Arrestimi i Kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, shënoi një moment të rëndësishëm politik dhe juridik në vend. Për herë të parë, Kryeministri Edi Rama nuk u distancua nga veprimet e Prokurorisë së Posaçme, e cila urdhëroi arrestimin dhe izolimin e Veliajt në Bllokun e Sigurisë. Ky qëndrim shënoi një ndryshim nga praktikat e mëparshme, ku Rama shmangte komentet mbi veprimet e drejtësisë.
Pas një heshtjeje 24-orëshe, Rama reagoi në një komunikim 55-minutësh në Facebook, duke mbrojtur Veliajn ndërsa sot kreu i qeverisë akuzoi gjyqtarin e çështjes, Erion Bani, për lidhje me Partinë Demokratike. Ai sugjeroi se shorti për gjykimin e Veliajt ishte manipuluar dhe e akuzoi Banin për bërjen publike të dosjes “Toyota Yaris”, e cila sipas Ramës përmbante emra të rëndësishëm politik. Në vijim, ai kërkoi që institucionet e drejtësisë të shqyrtojnë vendimet e gjyqtarit.
Deklaratat e Kryeministrit shkaktuan reagime të forta, përfshirë një kundërpërgjigje nga Këshilli i Lartë Gjyqësor (KLGJ). Ky institucion dënoi ndërhyrjet politike dhe deklaratat që, sipas tij, cenojnë figurën dhe dinjitetin e gjyqtarëve të Gjykatës së Posaçme.
“KLGJ mban qëndrimin se çdo përpjekje për të cënuar pavarësinë e gjyqësorit, nëpërmjet trysnisë apo presionit të çfarëdo lloji, përbën një kërcënim të drejtpërdrejtë ndaj pavarësisë, demokracisë dhe sundimit të ligjit”, – deklakon Këshilli i Lartë i Gjyqësorit.
Debati i ndezur mbi këtë çështje ka rritur tensionet mes qeverisë dhe institucioneve të drejtësisë, duke ngritur pikëpyetje mbi pavarësinë e gjyqësorit dhe ndikimin politik në vendimmarrje.
Për pedagogun e Shkencave të Komunikimit, Zylyftar Bregun sulmi që po i bëhet SPAK-ut në deklaratat e Kryeministrit është i papreçedent duke shënuar funidin e një marrëdhënieje ku Drejtësia duhej të lihej të bënte punën e saj.
“Eshtë një sulm i paprecendet. Si duket Erjon Veliaj shënon fundin e marrëdhënies së maxhorancës me SPAK-un, sipas së cilës maxhoranca kishte parimin ‘të lëmë Drejtësinë të bëjë punën e vetë’. Tani fillon një epokë e re, siç e ka thënë Rama, që do të mbajnë një qendrim kritik.
Në analizën time krijesa po ha krijuesin dhe në këto momente krijuesi po përpiqet të hajë krijesën.” – thotë Bregu i cili e krahason mënyrën e menaxhimit të situatës nga ana e qeverisë si në kufinjtë e një puçi institucional.
“Rama do të varej nga qëndrimi që do të mbante ndaj kryetarit të Bashkisë Tiranë, që mund ta shkarkonte, të tregonte dhe një lloj solidariteti me SPAK-un, ndërkohë ai me këmbëngulje tha që nuk do e shkarkojë dhe emëroi një nënkryetar në rolin e Kryetarit të Bashkisë. Për mua është e ngjashme me atë që bëri Berisha më 21 janar”, – përfundon Bregu.
Për gazetarin Mero Baze arrestimi i Veliajt është një ngjarje e rëndë politike, veçanërisht në fillimin e fushatës elektorale.
“Përtej respektit që kam për SPAK, duket qartë që ky është një arrestim i motivuar politikisht, ndoshta të kompleksuar nga akuzat e Berishës dhe njerëzit me ndikim pranë tij brenda Drejtësisë së Re” – thotë Baze duke shtuar se në rastin e Veliajt kemi të bëjmë me një hetim që nuk lidhet drejtpërdrejtë me përgjegjësitë e Kryetarit të Bashkisë, por me dyshimet për përfitime të personave të tretë për shkak të tij.
“Kjo është një çështje që meriton të hetohet dhe gjykohet, por nuk ka asnjë arsye që të nisë me arrestimin e tij”, – thotë Baze, ndërkohë që shton se sipas tij, arrestimi Kryebashkiakut do të dëmtojë marrëdhëniet e Partisë Socialiste me SPAK dhe GJKKO, por nuk do të ketë pasoja elektorale të drejtpërdrejta, sepse po kanalizohet si një akt politik.
Pyetjes nëse i sheh si kërcënuese deklaratat e Kryeministrit ndaj SPAK-ut dhe GJKKO-së, Baze i përgjigjet se deklaratat e Ramës janë “një thikë me dy presa”.
“Nga njëra anë, Rama dhe Partia Socialiste duan të mbrojnë SPAK dhe Reformën në Drejtësi, duke e cilësuar si një arritje të tyre dhe kanë pranuar të gjitha goditjet që kanë marrë nga kjo drejtësi.
Nga ana tjetër, ata duan të ekspozojnë shkeljet flagrante të standardeve të hetimit dhe gjykimit, veçanërisht standardet e dyfishta nga elementë brenda SPAK dhe GJKKO.
Kjo e bën të vështirë të kuptohet ku përfundon mbështetja për SPAK dhe ku fillon sulmi ndaj tij. Megjithatë, është më shumë një strategji elektorale e socialistëve sesa një kërcënim real ndaj SPAK dhe GJKKO”, – përfundon ai.
Për drejtuesin e Institutit të Studimeve Politike, Afrim Krasniqi deklaratat e Kryeministrit përbëjnë zhvillim negativ për konceptin e shtetit të së drejtës në vend.
“Fakti që Kryeministi ka zgjedhur këtë lloj reagimi, duke llogaritur reagimet negative që do e shoqërojnë atë, tregon se interesi i tij kryesor janë kalkulimet elektorale dhe se goditja kryesore e bashkëpunëtorit të tij më të afërt, që drejton Bashkinë e Tiranës dhe që ka network-un më të madh në vend pas Kryeministrit, është një goditje që mund të kthehet edhe në kosto të madhe elektorale dhe që mund të përfshijë edhe pozicionin e tij” – argumenton Krasniqi duke shtuar se deklaratat e Kryeministrit janë deri diku dhe goditje për Komisionin Xhafa në parlament.
“E gjithë retorika ishte se do të ndërtohej një komision nga maxhoraca për reformën në Drejtësi. Tani, rezulton në një komision që do të kthejë Drejtësinë në shina, duke nënkuptuar refuzimin e hetimeve ndaj zyrtarëve të lartë dhe të drejtën e politikanëve, përfshirë edhe zotin Rama për të luajtur rolin e prokurorit në rastin ku gjykohen ose hetohen zyrtarët e tij. Domethënë, për të hetuar faktet dhe për të dhënë një vendimmarrje shteruese, gjë që nuk është detyrë e tij funksionale”, – thotë Krasniqi duke shtuar se deklaratat kërcënuese të opozitës dhe të Qeverisë ndaj SPAK janë tregues të pavarësisë së tij, por edhe të faktit se politikanët abuzues në vend vazhdojnë të refuzojnë Drejtësinë.
Dallandyshe Xhaferri është gazetare në "Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri" - RRKOKSH. Ajo ka studiuar Gazetari në Universitetin “Aleksandër Xhuvani” dhe ka marrë pjesë në shkëmbime studentore në Poloni dhe SHBA. Në Poloni, ka ndjekur një semestër në "Journalism and Management" në Universitetin "Papa Gjon Pali II", ndërsa në SHBA ka marrë leksione mbi gazetarinë në Kolegjin e Bostonit. Gjatë katër viteve të fundit, ajo ka punuar si gazetare në organizata të ndryshme me fokus gazetarinë cilësore dhe ka qenë e angazhuar në projekte të IFES, East West Management Institute dhe Rana Labs.