Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj është arrestuar mesditën e së hënës, 10 Shkurt 2025, pas një urdhri “arrest me burg” të lëshuar nga Gjykata e Posaçme.
Gjykata e Posaçme dhe SPAK nuk kanë dhënë asnjë deklaratë mbi arrestimin e Kryebashkiakut, me argumentin se informacioni i plotë do të jepej në një moment të dytë.
“Nga ana e Gjykatës në këtë moment nuk ka asnjë koment lidhur me çështjen në fjalë. Në momentin e duhur procedural do ju bëhet me dije kryesisht, nga ana e vetë gjykatës informacioni i nevojshëm” – deklaroi zyra e shtypit të gjykatës.
Në media rrodhën informacione se Gjykata ka vendosur gjithashtu masën e sigurisë “arrest shtëpie” për bashkëshorten e Veliajt, Ajola Xoxa.
Avokati i familjes Veliaj i tha “shteg.org” se nuk ka asnjë koment mbi masat e lëshuara nga gjykata pasi ai ende nuk është në dijeni të fakteve.
Në dhjetor të 2024 Prokuroria e Posaçme konfirmoi se Erion Veliaj po hetohej për akuzat që kishin lidhje me korrupsionin, pastrimin e parave, dhe fshehjen e të ardhurave.
Për më shumë se 5 orë Veliaj është marrë në pyetje nga prokurorët pas hetimeve të nisura për çështje për të cilat SPAK mendon se ka gjetur prova për të paktën katër akuza.
“Deri në këtë fazë të hetimit paraprak, nga provat e grumbulluara, është arritur në konkluzionin se ekzistojnë të dhëna konkrete, të cilat lidhen jo vetëm me veprën penale të parashikuar nga neni 260 i Kodit Penal (korrupsioni pasiv), por edhe me veprat penale: “Korrupsion aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë” i parashikuar nga neni 245, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” parashikuar nga neni 287/2 i Kodit Penal dhe “Refuzim për deklarim, mosdeklarim, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë, ose i çdo personi tjetër që ka detyrim ligjor për deklarim” parashikuar nga neni 257/a, paragrafi 2 i Kodit Penal”, thuhet në reagimin e prokurorisë.
Por kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka lënë të kuptohej që akuzat ndaj tij janë të iniciuara politikisht dhe se faktet janë ngritur mbi dëshmitarë të rreme.
Arrestimi
Rreth orës 13.30 disa agjentë të Byrosë së Hetimit, me një vendim gjykate në dorë, janë paraqitur në zyrat e kryebashkiakut të Tiranës.
Ata i kërkuan Erion Veliaj të zbatonte vendimin e Gjykatës së Posaçme i cili urdhëronte arrestimin e tij, masë kjo që burimet e pa konfirmuara i thanë “shteg.org” ishte lëshuar gjatë mëngjesit të së hënës.
Pak minuta më vonë, rreth orës 14:00, Erjon Veliaj u pa me një dosje në dorë dhe i shoqëruar nga oficerët e policisë të cilët “e futën” në një makinë tip Volkswagen i zi, pronë e Byrosë Kombëtare të hetimit.
Nga zyra e tij, Veliaj e ka gjetur veten në Bllokun e Sigurisë në rrugën “Mine Peza”, ku autoritetet kanë kryer procedurat e nevojshme të identifikimit si dhe të prezantimit të tij me akuzat për të cilën Prokuroria e Posaçme i kërkoi gjykatës arrestimin e tij.
Sipas informacioneve që rrodhën në media, Gjykata ka miratuar edhe masën “arrest shtëpie” ndaj bashkëshortes së Veliajt, Arjola Xoxe dhe disa biznesmenëve të tjerë, pasi dyshohet se kanë marrë tendera të dyshimtë pranë Bashkisë së Tiranës.
Erjon Veliaj, i cili mban postin e Kryebashkiakut të Tiranës që nga viti 2015, është thirrur disa herë pranë ambienteve të Prokurorisë së Posaçme për të dëshmuar.
Në prill të vitit 2024 Veliaj u thirr nga SPAK për të dhënë shpjegime rreth Inceneratorit të Tiranës. Ai u mor në pyetje për më shumë se 7 orë, ndërkohë që përpara kamerave deklaroi se Bashkia e Tiranës nuk kishte asnjë lidhje me procesin e incerenatorëve.
Dosja e dytë që SPAK vazhdon të hetojë është ajo e “5D”-së, ku sipas këtij institucioni, dyshohet se në të përfshihen çështje që kanë të bëjnë me afera korruptive dhe shpërdorim detyre të drejtorëve të Bashkisë Tiranë gjatë kohës ku Veliaj qëndronte në krye të këtij institucioni.
Në fundvitin e kaluar, Prokuroria e Posaçme dyshonte se, nga provat e mbledhura deri në atë moment, Veliaj rezultonte si autor i disa veprave penale që kanë lidhje me korrupsionin, pastrimin e parave dhe fshehjen e të ardhurave.
“Deri në këtë fazë të hetimit paraprak, nga provat e grumbulluara, është arritur në konkluzionin se ekzistojnë të dhëna konkrete, të cilat lidhen jo vetëm me veprën penale të parashikuar nga neni 260 i Kodit Penal (korrupsioni pasiv), por edhe me veprat penale: “Korrupsion aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë” i parashikuar nga neni 245, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” parashikuar nga neni 287/2 i Kodit Penal dhe “Refuzim për deklarim, mosdeklarim, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë, ose i çdo personi tjetër që ka detyrim ligjor për deklarim” parashikuar nga neni 257/a, paragrafi 2 i Kodit Penal”, tha nëpërmjet deklaratës SPAK, ndërkohë që hetimet ndaj tij u drejtuan nga prokurori Altin Dumani me Ols Dado.
Në kuadër të këtyre hetimeve, në fillim të dhjetorit 2024 , agjentë të Byrosë Kombëtare të Hetimit ushtruan kontrolle në banesën e Kryebashkiakut, në vilën në pronësi të vëllait të tij, Arbër Veliaj, si dhe në zyrat e qendrës “Harabel” dhe “Nan Gallery”, të themeluara nga bashkëshortja e tij, Arjola Xoxe.
Dhe pse sot nën masë sigurie, më 6 dhjetor Veliaj do të deklaronte se mbështeste hetimet e Prokurorisë së Posaçme.
“Familjarët e mi dhe unë, si qytetar i këtij vendi, por njëkohësisht edhe në cilësinë e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, do të jemi gjithmonë të hapur për çdo veprim dhe vendim të institucioneve të drejtësisë, por duke përbuzur njëkohësisht me neveri çdo të pavërtetë, që ka si qëllim dëmtimin e imazhit tim dhe familjarëve të mi, si dhe duke përhapur, mbi të gjitha, disinformacione edhe mbi vetë punën e këtyre institucioneve” – shkruante Veliaj, pas kontrolleve të zhvilluara nga BKH-ja me urdhër të Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO).
Kontrollet në ambientet e poseduara prej kryebashkiakut Veliaj dhe familjarëve të tij u cilësuan si “në shkelje me ligjin” nga bashkëshortja dhe vëllai i tij, Arjola Xoxe dhe Arbër Veliaj, të cilët ankimuan vendimin e GJKKO-së në Gjykatën e Apelit të Posaçëm.
Gjykata e Posaçme dhe SPAK nuk kanë dhënë asnjë deklaratë mbi arrestimin e Kryebashkiakut, me argumentin se informacioni i plotë do të jepte në një moment të dytë.
“Nga ana e Gjykatës në këtë moment nuk ka asnjë koment lidhur me çështjen në fjalë. Në momentin e duhur procedural do ju bëhet me dije kryesisht, nga ana e vetë gjykatës informacioni i nevojshëm” – deklaroi zyra e shtypit të gjykatës.
Avokati i familjes Velia i tha “shteg.org” se nuk ka asnjë koment mbi masat e lëshuara nga gjykata pasi ai ende nuk është në dijeni të fakteve.
Dallandyshe Xhaferri është gazetare në "Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri" - RRKOKSH. Ajo ka studiuar Gazetari në Universitetin “Aleksandër Xhuvani” dhe ka marrë pjesë në shkëmbime studentore në Poloni dhe SHBA. Në Poloni, ka ndjekur një semestër në "Journalism and Management" në Universitetin "Papa Gjon Pali II", ndërsa në SHBA ka marrë leksione mbi gazetarinë në Kolegjin e Bostonit. Gjatë katër viteve të fundit, ajo ka punuar si gazetare në organizata të ndryshme me fokus gazetarinë cilësore dhe ka qenë e angazhuar në projekte të IFES, East West Management Institute dhe Rana Labs.