Prokuroria shqiptare ka ngritur akuza për “shpërdorim detyre”, “shkelje të barazisë në tendera”, “mashtrim” dhe “korrupsion pasiv”, vepra penale këto për të cilat nëse gjendet fajtor rrezikon 26 vjet heqje lirie.
Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, është arrestuar të enjten e 2 korrikut 2024 pas akuzave të ngritura për “shpërdorim detyre”, “shkelje të barazisë në tendera”, “mashtrim” dhe “korrupsion pasiv”, vepra penale këto për të cilat, nëse gjendet fajtor, rrezikon 26 vjet heqje lirie.
Prokurorët dyshojnë se Beqaj i ka kryer këto vepra penale gjatë kohës që mbante pozicione të larta në administratën shqiptare.
Arrestimi dhe më pas shoqërimi në ambientet e burgut të ish-zyrtarit të lartë u krye mëngjesin e së enjtes, kur forcat e policisë ekzekutuan vendimin e lëshuar më herët nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
Masa e sigurisë “arrest me burg” ndaj Beqajt u vendos pas kërkesës së bërë nga Prokuroria e Posaçme në kuadër të procedimeve që janë hapur ndaj tij që në fillim të vitit 2020, dhe një procedim i dytë në vitin 2023. Prokurorët kanë dyshime se Beqaj është i përfshirë në skemat dhe abuzimet me fondet e BE-së gjatë kokës që drejtonte Agjencinë Shtetërore të Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës SASPAC.
Rreth orës 11:30 mediat lokale transmetuan pamjet e Ilir Beqajt me pranga në duar duke dalë nga ambientet e Drejtorisë së Policisë së Tiranës, ndërsa në mesditë, në një njoftim zyrtar, Prokuroria e Posaçme (SPAK), njoftoi zyrtarisht arrestimin, si dhe akuzat që rëndojnë mbi ish-ministrin.
Beqaj dyshohet se përgjatë viteve 2022-2023 ka kryer procedura prokurimi fiktive në të paktën 8 procedura tenderimi për projektet që financohen nga Bashkimi Evropian për Shqipërinë në kuadër të Instrumentit për Asistencën e Paraanëtarësimit (IPA II)”.
Hetimet tregojnë se në kohën që kjo agjenci është drejtuar nga Beqaj, janë krijuar skema mashtruese përmes së cilës lëshoheshin fatura fiktive për shërbime të pakryera, të cilat më pas i ngarkoheshin SASPAC-it si shpenzime.
Këto fatura rezulton se plotësoheshin nga një rreth miqsh të lidhur ngushtësisht me ish-ministrin Beqaj, por edhe me zyrtarët e tjerë në SASPAC, njerëz të lidhur me biznesin apo që kishin krijuar organizata jofitimprurëse.
Si bashkëpunëtor i ish-ministrit konsiderohet nga prokurorët dhe vartësi dhe miku i tij, shtetasi Ermal Kurtulaj, i cili kishte rolin e koordinatorit të programit EUSAIR Facility Point, një projekt strategjik i 9 partnerëve europianë në tetë vende, duke përfshirë edhe Shqipërinë.
Mashtrimi me faturat
Agjencia Shtetërore e Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës, SASPAC, u themelua nga Këshilli i Ministrave në tetor të vitit 2021, ndërsa kryeministri Edi Rama emëroi në krye të Agjencisë ish-ministrin e Shëndetësisë Ilir Beqaj.
Roli i kësaj agjencie është që të koordinojë veprimtarinë dhe programet kombëtare dhe rajonale të asistencës financiare të Bashkimit Evropian, si dhe të monitorojë zbatimin e tyre. Një ndër programet që SASPAC-i menaxhon dhe monitoron është programi ‘USAIR Facility Point’, i cili është një projekt strategjik i 9 (nëntë) partnerëve në tetë vende, me qëllim mbështetjen e proceseve të zbatuara në kuadër të bashkëpunimit makro-rajonal të rajonit Adriatiko-Jonian.
Koordinator i këtij projekti është emëruar shtetasi Ermal Kurtulaj, i cili konsiderohet si lehtësues që mbështet Koordinatorin Shtetëror të SASPAC-it, Ilir Beqaj, në përmbushjen e detyrave të tij.
Kurtulaj konsiderohej brenda SASPAC-it si njeriu i besuar i drejtuesit të kësaj agjencie, merrte përsipër plotësimin e faturave, që shkonin në shumën e mijëra eurove për aktivitete të cilat në të vërtetë Agjencia nuk i kishte kryer. Sipas SPAK-ut, ai është përfshirë në veprime korruptive nëpërmjet kërkimit dhe pranimit të lëshimit të faturave fiktive nga subjekte të ndryshme tregtare dhe OJF, duke vendosur vlera fiktive në faturime me qëllim përfitimin personal.
Sipas Prokurorisë, nga të dhënat e administruara deri në këtë fazë të procedimit, shtetasi Ermal Kurtulaj rezulton se përfshihet edhe veprime të tjera me punonjës të agjencisë, të cilët në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë kryer gjithashtu veprime me të njëjtën natyrë, ku në të paktën një rast rezulton dukshëm marrja e përfitimit për një shërbim të prokuruar si qira salle dhe shërbim kateringu.
Nën akuzë edhe për koncesionin e sterilizimit të pajisjeve mjekësore

Që prej nëntorit të vitit 2023 ish-ministri i Shëndetësisë ishte i detyruar të paraqitej çdo të premte përpara oficerëve të Byrosë Kombëtare të Hetimit, ndërkohë që gjykata i kishte ndaluar udhëtimin përtej kufijve të vendit.
Pas një hetimi penal të nisur në janar të vitit 2020, vetëm pas 4 vitesh prokuroria mundi të ngrejë akuza zyrtare ndaj ish-funksionarit të lartë të Partitë Socialiste.
Në maj të 2024, Ilir Beqaj u njoftua zyrtarisht se akuzohej nga Prokuroria e Posaçme për veprat penale të “shpërdorimit të detyrës”, “korrupsionit” dhe “shkeljes së barazisë në pjesëmarrësve në tendera”. Prokuroria e akuzon ish-Ministrin e Shëndetësisë për “shpërdorim detyre” në lidhje me nënshkrimin e marrëveshjes koncesionare më të kushtueshme në sektorin shëndetësor në Shqipëri, atë të sterilizimit të pajisjeve mjekësore, në kohën që Ilir Beqaj ushtronte detyrën e ministrit, në dhjetor të 2015-s nënshkroi kontratën koncesionare, që vetëm në dy vitet e para të operimit kapi vlerën e 134 milionë eurove.
Hetimet 4-vjeçare të prokurorisë zbuluan shkelje të ligjit në procedurat e dhënies së njërit prej koncesioneve më të kushtueshme të sektorit të shëndetësisë në vend, me qëllimin e vetëm të shpalljes fitues të kompanive të lidhura me zyrtarë të lartë të sektorit të shëndetësisë.
Lista e shkeljeve përmban një studim fizibiliteti me të dhëna të rreme në kundërshtim me ligjin; hartimi i kritereve në mënyrë të tillë që t’u përshtateshin gjendjes reale të kompanive të përzgjedhura paraprakisht.
Në kuadër të këtij hetimi, u arrestua në gusht të vitit 2023 zv.ministri i Shëndetësisë, Klodian Rrjepaj dhe pronarin e kompanisë koncesionare.
Ilir Beqaj u zgjodh ministër i Shëndetësisë në kabinetin e parë të kryeministrit Edi Rama dhe gjatë drejtimit të tij në vitet 2013-2017 u firmosën tre kontrata koncesionare prej dhjetëra milionë eurosh për shërbime të sistemit shëndetësor.
Beqaj ka qenë deputet i Partisë Socialiste për disa legjislatura dhe ishte ministër i Shëndetësisë nga viti 2013 deri në vitin 2017.
Mirilda Tili është gazetare i Rrjetit për Raportimin e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri. Ajo ka përfunduar studimet për gazetari në Universitetin e Tiranës. Tili ka punuar që nga viti 2005 në media, shtyp të shkruar dhe televizion, ku ka mbuluar çështjet të ndryshme si aktualiteti, shëndetësia, mjedisi dhe në 10 vitete e fundit fokus ka qenë ekonomia. Në këtë të fundit, buxheti i shtetit, tatimet dhe taksat, aviacioni, bujqësia, transporti, energjia kanë qenë prioritet.