Arlind Cekaj, u arrestua nga policia e Abu Dhabit të martën, më 20 gusht 2024, gjykata e krimeve të rënda në Shqipëri vendosi ta shpallë atë në kërkim ndërkombëtar. Arrestimi u krye pas një bashkëpunimi mes Interpol Tirana dhe Interpol Abu Dhabi, në kuadër të operacionit “Para drejtësisë”, i cili parashikon kapjen dhe ekstradimin e shtetasve në kërkim ndërkombëtar.
Cekaj akuzohet se ka qenë pjesë e grupit të Amant Josifit, ish-këshilltar politik i Ministres Olta Xhaçka, i arrestuar një vit më parë po në Emiratet e Bashkuara Arabe nën të njëjtat akuza. Të dy kishin gjetur strehim në shtetin që njihet po aq për gratacelat e larta, sa për mbrojtjen shembullore që u ofron kriminelëve, pas implikimit në skemën ndërkombëtare të mashtrimeve përmes Call Centerave të “Grupit Milton”. Josifi, madje, konsiderohet si një nga “kokat” e skemës në nivel ndërkombëtar nga autoritetet spanjolle që e kanë hetuar.
Mashtrimet kryheshin përmes kompanive që funksiononin si qendra të thirrjeve telefonike në disa vende si Shqipëri dhe koordinoheshin nga Grupi Milton përmes personave të tyre të autorizuar.
Objektivi ishte të bindnin qytetarë, kryesisht nga vende të BE-së, për të investuar në kriptovalutë apo asete të tjera fiktive, duke përdorur platforma të rreme online, me premtimin e përfitimeve të majme.
Platformat në fjalë shërbenin për të fituar besueshmëri, që përforcohej edhe nga aplikimi i metodave të operimit në tregjet e shkëmbimit (forex), të cilat bashkërisht bënin që operacioni të fshihej pas një tisi profesionalizmi.
Të njëjtën skemë akuzohet se ka zbatuar edhe Erlind Cekaj, gjatë kohës kur punonte për “IT PumaTS/SM Company”, një prej dhjetëra call centerave nën pronësinë e Josifit, prej nga ku dyshohet se janë mashtruar rreth 17 mijë viktima, duke u shkaktuar atyre një dëm që përllogaritet të jetë 2.4 bilion dollar, po tu referohemi raportimeve të mediave spanjolle .
Skema u zbulua fillimisht nga një investigim i OCCRP-së në 2020, në të cilin u angazhuan qindra gazetarë nga dhjetëra vende, që shfletuan me muaj të tërë mijëra regjistra telefonatash, lista klientësh, dokumente të transfertave të parave apo shënime se si të sekuestroheshin viktimat e mundshme, të siguruara përmes një sinjalizuesi.
Gjetjet fillestare të gazetarëve u pasuan me hetime nga ana e Europolit, të cilat zbuluan nivelin e organizimit dhe shtrirjen e mashtrimeve kompjuterike në disa juridiksione evropiane. Për të lehtësuar punën, u krijua nga Agjencia e BE-së për Bashkëpunimin në Drejtësinë Kriminale (EuroJust) e ashtuquajtura Skuadra e Përbashkët Hetimore, në të cilën u përfshi edhe SPAK.
Ky i fundit bastisi 6 qendra të tilla thirrjesh telefonike në Tiranë, Elbasan dhe Vlorë në datat 8-9 nëntor 2022, në një përpjekje të koordinuar mes agjencive ligj zbatuese evropiane, duke arrestuar 4 persona, bashkëpunëtorët e ngushtë të Josifit.
RRKOKSH (Rrjeti për Raportimin e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri), organizata juaj kryesore mediatike investigative e angazhuar për të hedhur dritë mbi krimin e organizuar dhe korrupsionin në të gjithë Shqipërinë. Nëpërmjet platformës sonë online në shteg.org, ne ofrojmë një gazetari të plotë dhe me ndikim që synon jo vetëm të informojë, por edhe të nxisë ndryshimet shoqërore.