Arrestohet Safet Bajri, i dyshuar për vrasjen e Fatbardh Licit në Shkodër

Prokuroria deklaron se ka mbledhur prova mbi të cilat është krijuar dyshimi i arsyeshëm se kushërinjtë Bajri dhe miku i tyre Bilali kanë planifikuar dhe organizuar vrasjen, ndërkohë që gjykata ka miratuar kërkesat për masën e sigurisë "arrest në burg".

1471
Safet Bajri i shoqëruar nga forcat RENEA
Credits: LSA - Safet Bajri i shoqëruar nga forcat RENEA

Safet Bajri, një ndër personat që drejtësia e akuzon për një seri ngjarjesh kriminale është arrestuar me urdhër të Prokurorisë së Posaçme mëngjesin e së premtes, më 21 Shkurt 2025.

Bajri është thirrur për të dëshmuar në policinë e Shkodrës ku dhe është njohur me masën e sigurisë së lëshuar ndaj tij nga Gjykata e Posaçme. Nga ambientet e drejtorisë së policisë lokale Bajri është shoqëruar më pas nga forcat RENEA drejt Tiranës.

Arrestimi u krye me vendim të Gjykatës së Posaçme ku ishte urdhëruar masa e sigurisë “arrest në burg” për Safet e Behar Bajri, dhe mikun e tyre Astmer Bilali, këta të fundit tashmë ndodhen të arrestuar në kuadër të dosjes ‘Metamorfoza’.

Sipas hetimeve, kushërinjtë Bajri dhe miku i tyre Bilali, dyshohet se kanë organizuar vrasjen e shtetasit Fatbardh Lici, ngjarje e ndodhur më 10 gusht 2018 në qytetin e Shkodrës.

Safet Bajri është hetuar më herët si person i dyshuar për këtë ngjarje por në atë koha çështja është pushuar për të për mungesë provash, ndërsa tani SPAK deklaron se ka siguruar prova të reja që e vënë atë sërish në akuzë.

Arrestimi

Mbrëmjen e së mërkurës Safet Bajri, në emisionin “Top Story”, do i garantonte shqiptarët se emri i tij po keqpërdoret dhe se nuk ka lidhje me asnjë ngjarje kriminale. Ai pretendonte se ka bashkëpunuar me policinë kur banesa e tij u kontrollua në kuadër të hetimeve për përplasjen me armë të ndodhur në Rranxë të Bushatit më 23 Gusht 2024, ku u godit me armë automjeti i blinduar “Audi A8”, me të cilin udhëtonin dy të rinjtë.

Sipas SPAK ata kishin shkuar të vrisnin Aleksandër Prendin por janë pritur me breshëri nga ky i fundit.

Gjatë kontrollit të policisë, në banesën e Bajrit u gjetën një arkë kursimi me 19 mijë euro brenda, të cilën Bajri pretendoi se i ka kursime për vajzën e tij 1-vjeçare.

Efektivët sekuestruan edhe 2 celularë, të tijin dhe bashkëshortes. Bajri është marrë në pyetje dhe është lënë i lirë.

Pikërisht për këtë ngjarje, Safet Bajri është thirrur për të dëshmuar sërish në policinë lokale mëngjesin e së premtes më 25 Shkurt 2025. Por ajo që duhet të ishte një procedurë rutine rezultoi një masë sigurie për të, kushëririn dhe mikun e tij Astmer Bilali.

Më 17 Shkurt Gjykata e Posaçme kishte vendosur masën e arrestit për të pas akuzave të ngritura për “Vrasje me paramendim” kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal.

Prokuroria njoftoi se “janë mbledhur prova se Safet e Behar Bajri dhe Astmer Bilali kanë planifikuar, organizuar dhe kanë kryer më 10 gusht 2018 në qytetin e Shkodrës vrasjen me armë zjarri të Fatbardh Licit, i afërm i shtetasit Ibrahim Licit”.

Fatbardh Lici, u vra me breshëri plumbash në 10 gusht 2018, teksa ndodhej në një kafene të Shkodrës. Ngjarja ndodhi rreth orës 7 e 30 minuta të mëngjesit në periferi të qytetit, në lagjen “Kiras”. Viktima, 53-vjeç, ka qenë duke pirë kafe në shoqërinë e dy personave të tjerë kur nga një mjet tip “Benz”, pa targa, ka dalë një person që ka qëlluar me breshëri automatiku në drejtim të tij, duke e lënë të vdekur në vend.

Vrasja e Fatbardh Licit, u hetua si pjesë e zinxhirit të vrasjeve që ndodhën në Shkodër gjatë fillimit të 2018-ës. Asokohe pjesëtarë të familjes Bajri kanë qenë në vëzhgim prej të paktën gjashtë muajsh. Madje, ata mbikëqyreshin me dronë në lagjen e tyre. Por, provat që t’i implikonin Bajrat në krimet me ngjarjen mungonin.

Sipas prokurorisë, arrestimi i Bajrit me ngjarjet e vitit 2018, por ai dhe grupi po hetohet si i dyshuar për përfshirjen në masakrën e Dobraçit disa muaj më parë në Shkodër ndaj fisit Lici, me 4 të vrarë, mes të cilëve 2 të pafajshëm.

Kjo nuk është hera e parë që Safet Bajri përfundon në qelitë e burgut.  

Bajri u dënua me 9 vite burg nga Gjykata e Apelit e Brukselit, si kreu i një organizate kriminale të trafikut të drogës dhe prostitucionit në kryeqytetin belg.

Më 2018, pas kthimit nga Belgjika, u arrestua gjatë operacionit të koduar “Oaz” bashkë me kushëririn Ilir Rustemi (Bajri), Emrah Plaku, ish-kampionin e boksit Astmer Bilali dhe Erogen Brajoviç, për një sërë krimesh, por u lirua pak më vonë, pasi nuk u provuan akuzat e kërcënimeve dhe gjobëvënësve për të cilat ai u arrestua.

Saga e Hakmarrjes Bajri-Lici

Saga e Hakmarrjes Bajri-Lici
Credits: shteg.org – Saga e Hakmarrjes Bajri-Lici

Saga e përgjakshme mes grupeve kriminale Bajri dhe Lici ka nisur që nga viti 2018 dhe ka prodhuar një seri ngjarjesh të dhunshme që kanë përfshirë atentate, vrasje dhe hakmarrje mes bandave. Deri tani, ky konflikt ka lënë pas 12 të vrarë dhe dy të zhdukur, ndërkohë që numri i atentateve dhe përplasjeve mes grupeve është ende në rritje.

Përplasjet mes këtyre grupeve kanë nisur me një atentat të telekomanduar në janar të vitit 2018 ndaj biznesmenit Lulzim Kulla, ku 8 persona u plagosën, duke shënuar fillimin e një spiraleje dhune që vazhdon edhe sot. Gjatë këtyre viteve, vrasjet e lidhura me hakmarrjet mes Bajrëve dhe Licëve kanë përfshirë figura të njohura të qytetit të Shkodrës dhe kanë tronditur strukturat shtetërore.

Një nga ngjarjet kyçe në këtë përplasje ka qenë vrasja e dy vëllezërve Astrit dhe Brahim Bilali, më 30 mars të vitit 2019, ku të dy u ekzekutuan me breshëri kallashnikovi. Pas këtij atentati, Ibrahim Lici u vu nën hetim dhe dyshohet të ketë qenë autor i kësaj vrasjeje. Atentati i Bilalëve shënoi një pikë të nxehtë të konfliktit mes grupeve rivale, të cilët janë përpjekur vazhdimisht të mposhtin njëri-tjetrin për të kontrolluar territorin dhe aktivitetet e paligjshme.

Në vazhdim, shumë atentate dhe vrasje të tjera kanë tronditur Shkodrën, si vrasja e Fatbardh Licit në gusht të vitit 2018, një ngjarje që dyshohet të ketë pasuar si hakmarrje nga Bajrat. Po ashtu, vrasja e Arjan Ferracakut dhe Fatos Ferracakut po ashtu janë të lidhura me këtë përplasje.

Vrasja e Endri Mustafës në vitin 2021 në lagjen “Livadhet”, e cila dyshohet se ka qenë një kurth i ngritur nga grupi Bajri, ka qenë një tjetër ngjarje që ka thelluar tensionet mes grupeve. Policia shpalli në kërkim Ibrahim Licin, por ai mohoi çdo lidhje me krimin, duke e akuzuar grupin rival Bilali për ekzekutimin e Mustafës. Megjithatë, hetimet e ngadalësuara dhe dëshmitë e pasigurta kanë bërë që drejtësia të mbetet e paqartë.

Kulmin e ka arritur përplasja më e fundit, atentati i 30 tetorit të vitit 2024 në Dobraç, ku 4 persona humbën jetën. Hamza Lici, vëllai i Ibrahim Licit, dhe Arlind Bushati, u qëlluan për vdekje, ndërsa dy të pafajshëm, Flutura dhe Bashkim Basha, humbën jetën po ashtu në këtë atentat të përgjakshëm. Nga hetimet e kamerave, u pa se Ibrahim Lici ishte gjithashtu në makinën e shënjestruar, por ai mbijetoi pas plagosjes dhe është ende i zhdukur.

Saga e hakmarrjes Bajri-Lici vazhdon të mbetet një histori e dhunshme që po vazhdon të shkaktojë viktima dhe kaotikë, ndërkohë që autoritetet përpiqen të zbardhin ngjarjet dhe të çajnë këtë rrjet kriminal që ka mbajtur Shkodrën nën tension për më shumë se 6 vite.

Sabina Nika
Gazetare |  + posts

Gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri”- RRKOKSH.
Studente në fakultetin e historisë dhe filologjisë, Universiteti i Tiranës.