Arsim dhe dhunë në shkollat shqiptare

Gjatë dy viteve të fundit në hapësirat shkollore janë evidentuar 703 raste të konflikteve fizike midis nxënësve, ndonëse numri i oficerëve të sigurisë ka njohur rritje ndër vite.

3807
Shkollat e mesme Shqipëri
Credit: shteg.org

Ambienti i shkollës rezultoi një vend i pasigurt për nxënësin 14-vjeçar të shkollës “Kolë Jakova” në Tiranë. Ditën e djeshme, gjatë një përleshje me thika me bashkëmoshatarin e tij, 14-vjeçari u dëmtua fizikisht çka bëri që sot të ndodhet nën kujdesin e mjekëve.

Ky konflikt është vetëm një prej qindra rasteve ku mosmarrëveshjet midis nxënësve të shkollave në arsimin publik kanë arritur në përleshje fizike.

Sipas të dhënave që Policia e Shtetit në dy vitet e mëparshme shkollore janë evidentuar 703 raste të konflikteve fizike midis nxënësve në ambientet e shkollave.

Ekspertët ngrenë shqetësime mbi dhunën e shtruar ndërsa masat e ndërmarra nga qeveria, si vendosja e oficerëve të sigurisë, sipas tyre nuk kanë sjellë përmirësimin e situatës.

Dhuna në shkolla

Kryeministri, Edi Rama duke prezantuar projektin për “Oficerët e Sigurisë në Shkolla”
Credit: Këshilli i Ministrave – Kryeministri, Edi Rama duke prezantuar projektin për “Oficerët e Sigurisë në Shkolla”

“Ne kemi studiuar disa eksperienca, janë të njëjta por dhe të ndryshme, por një gjë është e sigurt, që të gjitha eksperiencat, sado të ndryshme të jenë kanë sjellë një rritje shumë të ndjeshme të sigurisë në shkollë. Kanë sjellë një rritje shumë të ndjeshme të kapacitetit monitorues të shkollës e të prindërve mbi nxënësit…” – do të deklaronte Kryeministri Rama në vitin 2018, në një bashkëbisedim me mësues në shkollën e mesme të përgjithshme “Qemal Stafa”, duke prezantuar projektin për “Oficerët e Sigurisë në Shkolla”.

Gjatë prezantimit, Rama u shpreh se për realizimin e këtij projekti qeveria kishte studiuar eksperienca të ndryshme, të cilat si fokus kishin rritjen e sigurisë dhe bashkëpunimit midis nxënësve, mësuesve dhe prindërve.

Pas kësaj nisme, institucionet morën masa në rritjen e numrit të oficerëve të sigurisë në shkollat publike, duke e ngritur numrin në 222 oficerë në 150 shkolla të sistemit parauniversitar.

“Për vitet shkollore 2022-2023 dhe 2023-2024, numri i miratuar i oficerëve të sigurisë ka qënë 222 oficer, ndërsa numri faktik ka qënë mesatarisht 212 nga të cilët 146 ishin femra dhe 66 ishin meshkuj”, – thuhet në një shkresë që “shteg.org” mori nga Agjencia Kombëtare e Arsimit Parauniversitar (AKAP).

Por statistikat zyrtare tregojnë se shtimi i numrit të oficerëve nuk ka ulur rastet e konflikteve fizike brenda godinave shkollore.

Sipas të dhënave që Policia e Shtetit në dy vitet e mëparshme shkollore janë evidentuar 703 raste të konflikteve fizike midis nxënësve në ambientet e shkollave.

Përkatësisht, gjatë vitit shkollor 2022-2023 në të gjitha shkollat e arsimit publik janë regjistruar 509 konflikte fizike, nga të cilat 198 raste janë regjistruar në shkollat e Tiranës, 51 konflikte në shkollat e Durrësit dhe 47 në Kukës.

Ndërkohë, numri i rasteve të konflikteve të regjistruara nga Policia e Shtetit në ambientet shkollore ka njohur ulje gjatë vitit të kaluar shkollor, 2023-2024.

“Gjatë vitit shkollor 2023-2024, në shkollat e Republikës së Shqipërisë janë evidentuar 194 incidente (konflikte fizike)”, – thotë Policia e Shtetit në përgjigjen e kërkesës për të drejtë informimi që “shteg.org” dërgoi.

Numri më i madh i konflikteve fizike është regjistruar në shkollat e Tiranës me 67 raste, në shkollat e Elbasanit me 28 raste dhe në Vlorë ku janë evidentuar 22 konflikte mes nxënësve të shkollave.

Për Majlinda Keta, eksperte e arsimit, numri më i madh i konflikteve midis nxënësve në shkolla pasqyron edhe situatën problematike të qyteteve në vend.

“Si eksperte arsimi, më tremb e dhëna që në kushtet e drejtorisë vendore të Kukësit në vitet 2022-2023 shënohen 47 konflikte, duke menduar se në Kukës janë mbyllur disa shkolla për arsye të mos pasurit të kontingjentit të fëmijëve dhe të pasojave që ka krijuar emigracioni masiv në to” – thotë Keta për “shteg.org”.

Sipas Ketës, rritja e numrit të oficerëve të sigurisë, shërbimit psikologjik dhe të punonjësve social në shkolla duhej të ishte reflektuar në një ambient më të sigurt për nxënësit. Por masat e ndërmarra nuk kanë rritur sigurinë në ambientet shkollore.

“Presupozohet që asistenca dhe shërbimi ndaj fëmijëve në mënyrë të specializuar për t’u larguar sjelljet e tyre devijante nga konflikte fizike apo nga incidente që trajtohen më pas nga Policia e Shtetit, duhet të ishte në rritjen më të mirë të mundshme. Ne duhet të kishim një shkollë shumë më të larguar nga këto të dhëna që dalin, edhe pse në rënie në vitn 2023-2024. Duhet të kishim një shkollë ku këto shërbime të jepnin ndikimin e tyre direkt mbi pjesën e qetësisë, rregullit dhe sigurisë në shkolla” – thotë Keta për “shteg.org”.

Shkollat, jo vetëm arsim, por edhe edukim

Dhuna ilustrim

Bullizimi sipas ekspertëve duket se është një nga arsyet kryesore të nisjes së konflikteve mes nxënësve në shkolla.

Elona Mustafaraj, psikologe shkollore dhe këshilluese psikologjike, thotë për “shteg.org” se fëmijët që kthehen në viktima të bullizmit mund të identifikohen nga mësuesit duke parë ndryshimet në sjelljen e tyre pasi janë ekspozuar ndaj një sjelljeje bulliste.

“Fëmija bëhet më i tërhequr, më i mbyllur nuk merr pjesë në aktivitete ku mund të jenë dhe fëmijët bullistë. Ka rënie në mësime, nganjëherë shpreh ankth për të mos shkuar në shkollë. Përpiqen që edhe në shtëpi të bëjnë një jetë të mbyllur brenda dhomës së tyre. Nuk tregojnë se çfarë ndodh në shkollë. Përgjigjet i japin të shkurtra”, – thotë Mustafaraj.

Sipas psikologes bullizimi është bërë shkak edhe për humbjen e jetës së fëmijëve.

“E rëndësishme është të kuptohet se nga një sjellje që në fillim duket thjesht si një shaka ose diçka e paqëllimshme dhe e padëmshme, përshkallëzohet dhe në disa raste ka shkuar deri në humbjen e jetës së personit, ose të fëmijës viktimë”, – shton psikokologia.

Sipas Mustafaraj, stafet pedagogjike dhe të ndihmës psikosociale nuk duhet t’i mbyllin këto raste brenda ambienteve shkollore, pasi përshkallëzimi mund të vihet re në ambientet jashtë shkollës.

“Në momentet kur këto sjellje nuk janë raportuar as në institucionet e tjera siç mund të jetë në disa raste policia, organizatat të cilat merren me trajtimin e bullistëve, sjelljet agresore janë përshkallëzuar dhe dëmi ka qenë më i madh”, – thotë psikologjia Mustafaraj.

Ndërsa, për Majlinda Ketën shqetësues është dhe fakti që ngjarjet konkrete nuk pasqyrohen në analizat vjetore të arsimit në Shqipëri.

Sipas Ketës, ka mungesë totale të analizave konkrete, që kanë si fokus ngritjen e instrumenteve monitorues, të cilat ndjekin zhvillimin e vlerave edukative të nxënësve.

“I rëndësishëm do të ishte ndryshimi i konceptit të Ministrisë së Arsimit dhe të Sporteve, e cila operon me shpallje të listës së atyre institucioneve arsimore si “më të mirat në qytet”. Shkolla e mirë në shekullin e XXI nuk mund të cilësohet ajo që në fokus ka numrin e 10-tave”, – thotë Majlinda Keta.

Dallandyshe Xhaferri
+ posts

Dallandyshe Xhaferri është gazetare në "Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri" - RRKOKSH. Ajo ka studiuar Gazetari në Universitetin “Aleksandër Xhuvani” dhe ka marrë pjesë në shkëmbime studentore në Poloni dhe SHBA. Në Poloni, ka ndjekur një semestër në "Journalism and Management" në Universitetin "Papa Gjon Pali II", ndërsa në SHBA ka marrë leksione mbi gazetarinë në Kolegjin e Bostonit. Gjatë katër viteve të fundit, ajo ka punuar si gazetare në organizata të ndryshme me fokus gazetarinë cilësore dhe ka qenë e angazhuar në projekte të IFES, East West Management Institute dhe Rana Labs.