Astrit Avdyli, personazh i skeduar nga policia “si person me rrezikshmëri të lartë shoqërore”, përfundon për herë të tretë në qelitë e burgut. 50-vjeçari u arrestua nga policia ndërsa Gjykata e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vendosi të hënën më 1 korrik 2024, masën e sigurisë “arrest në burg”.
Kjo është hera e tretë që Avdyli përfundon në qeli ndërsa dosjet hetimore e identifikojnë si kreu i një grupi kriminal që vepron në zonën e Shijakut. Këtë radhë, ndaj 50-vjeçarit rëndojnë akuzat për “sigurim të kushteve dhe mjeteve për vrasje”, “ndihmë për kalim të paligjshëm kufiri” dhe “futje ose mbajtje të sendeve të ndaluara në burgje”, vepra penale këto për të cilat rrezikon 17 vjet heqje lirie.
Prokurorët dyshojnë se Avdyli ndihmoi ish-deputetin e Partisë Socialiste, Arben Ndoka, për të planifikuar dhe provuar vrasjen e Durim Bamit, i dyshuar si kreu i grupit kriminal të Niklës në Fushë-Krujë. Mbi këto dyshime të prokurorëve ai u shpall në kërkim dhe ishte një ndër 50 personat për të cilët GjKKO vendosi më 15 maj 2024 masën e sigurisë “arrest në burg” pas zbardhjes dhe verifikimit të përgjimeve të ardhura nga platforma Sky ECC mes 7 grupeve kriminale gjatë viteve 2019-2021.
Në operacionin “Revanshi” të 17 majit 2024 autoritetet mundën të arrestojnë 20 nga të listuarit, 14 prej të cilëve u kapën në Shqipëri, 6 të tjerë në Itali, Belgjikë, Gjermani dhe Spanjë. Avdyli ishte një nga ata që i shpëtuan policisë. Gjatë aksionit policia sekuestroi armë, sende, prona dhe para në vlerën e rreth 4.5 milionë eurove.
“Revanshi” i policisë

Dy fugonë të bardhë dhe një fuoristradë e zezë parkuan me nxitim përballë një porte hekurit në “Lagjen popullore” të Shijakut. Një skuadër iu drejtua hyrjes anësore të një shtëpie buzë rrugës, ndërsa tjetra portës kryesore të avllisë që e rrethonte. Policia deklaroi se pas 6 javësh kërkime kishte mundur të siguronte vendndodhjen e të shumëkërkuarit “bazuar në inteligjencën policore”.
Pas operacionit, zyra për shtyp njoftoi arrestimin e të shumëkërkuarit Astrit Avdyli dhe shpërndau pamjet video. Policia konfirmoi se shtëpia ku u zhvillua aksioni ishte e familjes dhe se gjatë arrestimit u sekuestrua edhe një pistoletë. Pamjet e shpërndara nga policia tregojnë për një ambient të siguruar me mure të larta dhe një portë elektrike.
Shtëpia është pranë rrjedhës së lumit Erzen në një nga zonat me më pak dendësi ndërtesash në Shijak. Në një sipërfaqe prej 10 hektarësh numërohen vetëm 40 ndërtesa.
Banesa e familjes Avdyli ndodhet në një sipërfaqe trualli përreth prej 12,300 metrash katrorë. Afër gjendet dhe një fabrikë fasonerie. Banesa ngjan krejtësisht e fortifikuar dhe me shumë gjasa familja ka kryer punime specifike pas vitit 2018. Përveç rrethimit me mur blloqesh betoni, është ndërhyrë me punime për të rregulluar njërën anë të shtratit të lumit Erzen teksa është rregulluar dhe niveli i dherave.
I shpallur në kërkim që në maj të 2024-s policia nuk mundi të arrestonte Astrit Avdylin për 6 javë, dhe besohet se ai fshihej në zonën përreth Shijakut. 50-vjeçari u shndërrua në një nga personat më të kërkuar të policisë pasi prokuroria ngriti akuzën pas provave të siguruara se ndihmoi ish-deputetin e Partisë Socialiste, Arben Ndoka, për të siguruar kushtet për vrasjen e vëllezërve Durim dhe Valter Bami, dy prej krerëve që organet ligjzbatuese i konsiderojnë si drejtues së grupit të Niklës në Fushë-Krujë.
Sipas prokurorisë, edhe nga qelitë e burgut Avdyli ishte në gjendje të organizonte plane për ekzekutimin e grupeve rivale. “Përdorte telefonin dhe aplikacionin e enkriptuar SkyECC për të komunikuar nga burgu, duke garantuar mbështetje logjistike për vrasjen e Durim Bamit dhe në një rast tjetër për të ndihmuar në futjen brenda territorit shqiptar pa kryer procedurat e zakonshme të nipit të tij”, thuhet në dosjen që SPAK-u e ka pagëzuar me emrin “Metamorfoza”.
Durim Bami, gjithashtu i shpallur në kërkim nga SPAK-u në kuadër të operacionit “Revanshi”, u ndalua në Dubai më 10 qershor, ndërsa Ministria e Drejtësisë njoftoi se u ka kërkuar autoriteteve të Emirateve të Bashkuara ekstradimin e tij, megjithëse dy vendet nuk kanë marrëveshje për shkëmbimin e të dënuarve.
Emri i Astrit Avdylit u bë i njohur pas operacionit të ashtuquajtur “Volvo 4” në tetor 2018 ku u zbulua një laborator i përpunimit të heroinës në Has. Nën akuzën për “trafik të lëndëve narkotike” policia arrestoi 44 persona, ku 19 ishin anëtarë të grupit të Avdulajt. Në këtë operacion u ndalua edhe vëllai i tij, Altin Avdyli, ndërsa në total Prokuroria e Krimeve të Rënda ngriti fillimisht akuza për 40 persona. Ata dyshohej se ishin përgjegjës për një linjë narkotrafiku ndërkombëtar për të cilin bashkëpunonin me grupin e Bajrit në Shkodër dhe atë të Ndokës në Lezhë.
Katër vite më vonë, në vitin 2022, Astrit Avdyli, i njohur ndryshe si Astrit Balliu, Astrit Sulejmani apo “Kapelja”, u dënua me 12 vjet burg. Por ai dhe vëllai ishin liruar në vitin 2021 për shkak të përfundimit të afateve të paraburgimit.
“në vitin 2022 Astrit Avdyli u dënua me 12 vjet burg,
Por ai u lirua në vitin 2021 për shkak të përfundimit të afateve të paraburgimit.”
Në prill 2023, Gjykata e Posaçme e Apelit e rrëzoi dënimin me burg për “narkotrafik” ndaj Avdylit duke e kthyer një pjesë të dosjes “Volvo 4” për rigjykim me një tjetër trup gjykues. Gjatë kësaj kohe Struktura e Posaçme Anti-Korrupsion (SPAK) vijoi hetimet paralele për shqyrtimin e përgjimeve të ardhura nga platforma SKYECC.
Në maj 2024 pas një hetimi të gjerë, SPAK-u deklaroi se dyshohet që në kohën kur Astrit Avdyli ka qenë në paraburgim, gjatë vitit 2020, ndihmoi ish-deputetin e Partisë Socialiste, Arben Ndoka, duke angazhuar nipin e tij Aldo Avdyli dhe shtetasin Arben Mërkuri për të siguruar kushtet për vrasjen e vëllezërve Durim dhe Valter Bami, dy prej krerëve të të ashtuquajturit grupi i Niklës në Fushë-Krujë.
E shkuara dhe “pushteti” i Avdylajve

Në regjistrat e forcave ligjzbatuese shqiptare, emri i Astrit Avdylit u regjistrua për herë të parë në vitin 2003. Ai u arrestua me akuzën e vrasjes, por pas dënimit me 16 vjet përfitoi ulje dënimi, pasi siguroi një raport mjekësor që e diagnostikonte me “depresion endogjen me tentativa vetëvrasëse”. Me vendim të Gjykatës së Lartë Avdyli fitoi lirinë më 2 mars 2016. Togat e zeza urdhëruan lirimin e tij të menjëhershme me argumentin se “qëndrimi në burg i rrezikonte jetën”.
Por vetëm pak kohë pas lirimit nga burgu, Avdyli u rivendos nën hetim me akuzën e përfshirjes në trafikun e drogave të forta. Prokuroria e Krimeve të Rënda kreu me qindra orë përgjime dhe ndërroi tre grupe prokurorësh derisa në tetor 2018 ngriti akuzat për “trafik ndërkombëtar droge”, “korrupsion”, “ushtrim ndikimi të paligjshëm apo falsifikime masive me pronat”. Hetimet e viteve 2016- 2018 evidentuan pesë grupe kriminale, të cilët ndërvepronin me njëri-tjetrin në kryerjen e veprave penale të ndryshme në kuadër të grupit të strukturuar kriminal dhe kishin shtrirje në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë. Dosja e etiketuar “339” ende ka dritëhijet e saj, por përgjimet e publikuara në vitin 2019 nga gazeta gjermane “BILD”, nxorën në pah pushtetin e Avdylajve në zonën e Shijakut dhe të Durrësit.
Përgjimet e prokurorisë të zhvilluara gjatë viteve 2016-2017, kur në Shqipëri u zhvilluan zgjedhjet e parakohshme vendore në Dibër dhe më tej zgjedhjet parlamentare, dëshmuan komunikime direkte të Altin Avdylit me zyrtarë të lartë socialistë dhe drejtues lokalë dhe angazhimet e vëllezërve në fushatën zgjedhore. Altini, i njohur me nofkën “Niçja”, pranonte se do të siguronte vota për hambarin elektoral të Partisë Socialiste, por kishte çmimin e tij. “I pëlqyeri i grupit” do të vendosej në listat e kandidatëve për deputetë për Kuvendin e Shqipërisë. Vendosja në shërbim të politikës nuk ishin interesat e vetme që kishin Avdylajt në zonën e Shijakut dhe Durrësit. Në përgjimet e zbuluara tregohet interesi që ata kishin për pronat në Bashkinë e Durrësit.
Në përgjimet e rrjedhura nga prokuroria, Altin Avdyli interesohet në Bashkinë e Durrësit për pronat që familja ka në qytet. Një hotel shtatëkatësh dhe të paktën dy lokale lidhen me grupin.
Në rastin e hotelit pranë plazhit, trualli prej 600 metrash katrorë mbi të cilin u ndërtua, iu dha familjes Avdyli në maj të vitit 2017 me firmë të Kryetarit të Bashkisë Durrës, Vangjush Dako. Po në vitin 2017 familja Avdyli përfitoi dhe një lokal në qendër të Durrësit, pronë kjo e cila vitit 1992 shfrytëzohej nga një tjetër familje durrsake. Ata kurrë nuk gjetën miratimin e Bashkisë së Durrësit për privatizimin e lokalit, pavarësisht përpjekjeve disavjeçare.
Një lokal plazhi përballë universitetit “Aleksandër Moisiu” ishte një tjetër pronë e familjes Avdyli, regjistruar në emër të së ëmës, Fatime Avdyli. Nga ana tjetër, në Shijak, vëllai i Astrit Avdylit rezulton të ketë përfituar një kontratë qiraje për një truall prej 1,000 metrash katror, mbi të cilin zhvilloi një biznes tregtar.
Deri në publikimin e këtij shkrimi, avokati i Astrit Avdylit nuk iu përgjigj pyetjeve që “Shteg” ngriti mbi akuzat e prokurorisë apo dhe problemeve që familja ka pasur me ligjin.
Erblin Vukaj është gazetar i Rrjetit për Raportimin e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri. Ai ka përfunduar studimet për gazetari në Universitetin e Tiranës. Vukaj ka punuar që nga viti 2012 në media online, shtyp të shkruar, radio dhe televizion, ku ka mbuluar çështjet të ndryshme si aktualiteti, shëndetësia, mjedisi dhe sporti. Paralelisht, ai ka drejtuar dhe është përfshirë në disa projekte hulumtimi mbi të shkuarën komuniste në Shqipëri.