Avokatët e Veliajt kërkojnë përjashtimin e prokurorit Ols Dado

Sipas tyre, Dado ndodhet në një konflikt të hapur interesi, pasi më parë ka marrë një leje ndërtimi nga kryebashkiaku i Tiranës. Kërkesa është paraqitur menjëherë pas seancës së vlerësimit të masës së sigurisë, por ende nuk ka një përgjigje nga kreu i SPAK.

536
Erion Veliaj duke u shoqëruar nga agjentët e BKH-së
Credits: LSA

Avokatët e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i janë drejtuar drejtuesit të SPAK, Altin Dumani, me një kërkesë zyrtare për përjashtimin e prokurorit Ols Dado nga çështja kundër Veliajt. Sipas tyre, Dado ndodhet në një konflikt të hapur interesi, pasi më parë ka marrë një leje ndërtimi nga kryebashkiaku i Tiranës. Kërkesa është paraqitur menjëherë pas seancës së vlerësimit të masës së sigurisë, por ende nuk ka një përgjigje nga kreu i SPAK.

Në një deklaratë për mediat, grupi i avokatëve mbrojtës të çiftit Veliaj-Xoxa dhe Abule, shprehën shqetësimet e tyre mbi përfshirjen e Ols Dados në këtë proces.

Maks Haxhia, avokati i Ajola Xoxës, tha se në përputhje me Kodin e Procedurës Penale, çdo prokuror apo gjyqtar që gjendet në konflikt interesi është i detyruar të japë dorëheqjen. Ai theksoi se në përvojën e tij 42-vjeçare nuk ka hasur më parë një rast ku një prokuror në kushte të tilla nuk ka dhënë dorëheqjen.

“Do ishte shumë profesionale që prokurori ta bënte diçka të tillë. Nuk kuptoj përse duhet me patjetër të jetë ky prokuror në këtë çështje? Nëse janë të sigurt për provat që kanë, përse kërkon prokurori të rri me çdokush në çështje, kur evidentohet një konflikt interesi?” – tha avokati.

Sipas avokatëve, shumica e dosjes penale ndaj Veliajt është hartuar nga Ols Dado, gjë që e bën të papranueshme që ai të vazhdojë të jetë pjesë e çështjes. Avokati Ermir Beta shtoi se në seancën e datës 12 shkurt, Dado ka treguar njëanshmëri të hapur ndaj Veliajt, duke ngritur edhe më shumë dyshime për paanshmërinë e procesit gjyqësor.

“Në seancën gjyqësore të datës 12, prezent ka qenë aty edhe vetë drejtuesi i prokurorisë. Shkaku i përjashtimit të zotit Dado, në vlerësim të zotit Veliaj, ishte vetëm konflikti i interesit për një leje ndërtimi ku edhe zoti Dado, kishte emrin. Në mungesë të një përgjigjeje apo reagimi nga drejtuesi i prokurorisë, aty prezent në sallë, mbrojtja ka formalizuar kërkesën për përjashtimin e z. Dado apo zëvendësimin e tij nga prokurori i çështjes. Këtu kemi shtuar edhe shkakun tjetër të sjelljes së përfaqësuesit të akuzës, që në vlerësimin tonë kishte doza njëanshmërie, e kam fjalën për z. Dado. Ende jemi në pritje të një përgjigjeje të cilën nuk e kemi” – theksoi Beta.

Një tjetër pikë e debatit mes mbrojtjes dhe SPAK ka qenë akuzat për një mesazh të dërguar nga Veliaj ndaj një hetuesi të BKH-së, i cili është cilësuar si intimidues nga prokuroria. Avokati Ermir Beta mohoi këto akuza, duke deklaruar se mesazhi nuk përmbante asnjë formë kërcënimi dhe se Veliaj ishte i shqetësuar për familjen e tij në një moment kur bashkëshortja e tij ishte thirrur disa herë për dëshmi.

Sipas avokatëve, situata në të cilën ndodhej familja e Veliajt ishte stresuese, pasi Xoxa ishte thirrur për të dëshmuar për rreth 9-10 orë dhe ishte rikthyer për të njëjtën çështje disa ditë më vonë. Sipas mbrojtjes, është e kuptueshme që Veliaj ka reaguar ndaj kësaj situate dhe komunikimi i tij nuk ka pasur qëllim intimidues.

“Konteksti është që z. Veliaj, edhe në momentin kur është ushtruar kontroll ndaj znj. Xoxa në Dhjetor 2024, ka qenë në udhëtim pune jashtë shtetit. Ai është gjetur në situatën që ndaj familjes së tij, bashkëshortes, është ushtruar kontroll. Dhe në tekstin që unë e kam, por që nuk mund ta vendosim në dispozicion, nuk ka asgjë intimiduese”, tha avokati Beta.

Avokatët e Veliajt kanë shprehur gjithashtu pakënaqësi për mosreagimin e Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë (ILD) dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP), të cilët nuk kanë dhënë ende një përgjigje për kërkesën e Veliajt për përjashtimin e Ols Dados. Sipas avokatëve, mosreagimi i këtyre institucioneve ngre shqetësime për funksionimin e drejtësisë në vend dhe tregon mungesë transparence.

Më 11 mars, në Gjykatën e Posaçme të Apelit do të mbahet seanca për ankimimin e Erion Veliajt ndaj masës së sigurisë “arrest me burg”. Avokatët e tij do të vazhdojnë të kërkojnë lirimin e tij dhe përjashtimin e prokurorit Ols Dado nga çështja, duke argumentuar se procesi ndaj tij është i ndikuar nga konflikti i interesit dhe mungesa e paanshmërisë.

Veliaj përballet me akuza për korrupsion në nëntë raste dhe pastrim parash, ndërsa bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa, akuzohet për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie.

Çështjen e ndjekin prokurorët Ols Dado dhe Altin Dumani, dhe nga hetimet ka rezultuar se Veliaj ka miratuar fonde publike dhe leje ndërtimi për biznesmenët e përfshirë në hetim, ndërsa një pjesë e këtyre fondeve kanë përfunduar në organizata dhe biznese të kontrolluara nga Ajola Xoxa dhe persona të lidhur me të. Nëpërmjet tetë bizneseve dhe OJF-ve të saj, në bashkëpunim me biznesmenin Elman Abule, janë gjeneruar 1.1 milion euro.

Gjithashtu, sipas Prokurorisë së Posaçme, Xoxa ka shpenzuar 860 mijë euro për veshje dhe bizhuteri në gjashtë vitet e fundit, shpenzime të padeklaruara.

SPAK ka sekuestruar një vilë 494 m² në Qerret, ndërtuar nga kompania e Gentian Sulës, dy llogari bankare të Ajola Xoxës me 869,149 euro, si dhe 115 mijë euro në valutë të ndryshme, të gjetura në një kasafortë gjatë kontrolleve në një prej bizneseve të saj.

iPhone 152x152 1
[email protected] | Website |  + posts

RRKOKSH (Rrjeti për Raportimin e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri), organizata juaj kryesore mediatike investigative e angazhuar për të hedhur dritë mbi krimin e organizuar dhe korrupsionin në të gjithë Shqipërinë. Nëpërmjet platformës sonë online në shteg.org, ne ofrojmë një gazetari të plotë dhe me ndikim që synon jo vetëm të informojë, por edhe të nxisë ndryshimet shoqërore.