Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka shpallur fajtor avokatin Radovan Çela, një nga emrat kyç të përfshirë në hetimet për dosjen “Toyota Yaris”. Me vendim të shpallur sot, Çela u dënua me 2 vite e 8 muaj burgim për korrupsion pasiv dhe aktiv në drejtësi, si dhe për ushtrim të ndikimit të paligjshëm ndaj funksionarëve publikë.
Fillimisht, Çela u dënua me 4 vite burg, por përfitoi ulje të dënimit në bazë të gjykimit të shkurtuar. Ai ndodhet në paraburgim që prej 5 marsit 2025, kur u vetëdorëzua në Policinë e Tiranës.
Korrupsioni në drejtësi
Sipas SPAK, Radovan Çela ka vepruar në bashkëpunim me ish-prokurorin Aurel Zarka, ish-oficerën e policisë gjyqësore Erjona Daupaj dhe shtetasin Astrit Vladi. Ata akuzohen se kanë ndërhyrë në të paktën 8 dosje penale për të ndikuar tek gjyqtarë dhe prokurorë në mënyrë që të favorizonin persona të akuzuar për vepra të rënda penale.
Një nga rastet kryesore ku është provuar ndikimi i grupit është ai i Alfred dhe Elvis Vladit, të ndaluar në vitin 2018, pas sekuestrimit të 3.4 milionë eurove në portin e Durrësit.
E ashtuquajtura dosje “Toyota Yaris”, e nisur nga një ngarkesë e dyshimtë parash në portin e Durrësit, ka evoluar në një gur prove të kapjes së drejtësisë. Që nga sekuestrimi i 3.4 milionë eurove, janë ndërtuar akuza për korrupsion, pastrim parash dhe favorizim të të pandehurve, përfshirë edhe përfitime për llogari të personazheve si Suel Çela, i lidhur me botën e krimit në Elbasan.
Çela akuzohet se ka ofruar, pranuar dhe ndërmjetësuar përfitime të paligjshme me qëllim që të ndikohej vendimmarrja e funksionarëve të drejtësisë. Konkretisht, ai përballet me dy raste korrupsioni aktiv ndaj prokurorëve dhe gjyqtarëve (një në bashkëpunim) si dhe me pesë raste të ushtrimit të ndikimit të paligjshëm, katër prej të cilave në bashkëpunim.
Përgjatë hetimeve, SPAK ka mbledhur prova se të pandehurit komunikonin përmes aplikacionit të koduar Sky ECC, nga të cilat rezultojnë ndërhyrje të koordinuara për të ndryshuar rrjedhën e hetimeve dhe vendimeve gjyqësore.
Çela ishte përfaqësuesi ligjor i Alfred dhe Elvis Vladit në proceset gjyqësore që pasuan sekuestrimin e shumës prej 3.4 milionë eurosh në Durrës. Në të njëjtën dosje janë përfshirë dhe personazhe të tjerë si Aurel Zarka, i dënuar dy ditë më parë me 4 vite burg (të reduktuara në 2.8 me gjykim të shkurtuar), si dhe Astrit Vladi dhe Erjona Daupaj, të cilët vijojnë të jenë nën hetim ose në kërkim.
Sipas hetimit të SPAK, ky rrjet ka tentuar gjithashtu të ndërhyjë për të çliruar pasuritë e Suel Çelës, të sekuestruara në kuadër të operacionit “Forca e Ligjit”.
Prokuroria e Posaçme ka vendosur ndarjen e një pjese të dosjes fillestare dhe ka nisur procedime të reja penale për bisedat e zbuluara gjatë hetimit, ku përmenden emra të tjerë gjyqtarësh dhe prokurorësh që dyshohet se kanë kërkuar ose pranuar përfitime të paligjshme. Hetimet janë në zhvillim, dhe SPAK nuk përjashton që çështja të zgjerohet më tej.
Gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri”- RRKOKSH.
Studente në fakultetin e historisë dhe filologjisë, Universiteti i Tiranës.