Avokati në gjyq për korrupsion dhe ndikim të paligjshëm në drejtësi

GJKKO kalon në gjykim dosjen ndaj Radovan Çelës, i përfshirë në hetimet për sekuestrimin e 3.4 milionë eurove dhe ndikim të paligjshëm në sistemin e drejtësisë.

379
Avokati Radovan Çela
Credits: shteg.org

Gjykata e Posaçme (GJKKO) ka kaluar në gjykim dosjen në ngarkim të avokatit Radovan Çela, i cili akuzohet për korrupsion dhe ushtrim të ndikimit të paligjshëm. Çela është i përfshirë në çështjen e njohur si “Toyota Auris”, që lidhet me dosjen ‘Toyota Yaris’ dhe sekuestrimin e 3.4 milionë eurove në portin e Durrësit në vitin 2018.

Radovan Çela ka qenë avokat i Alfred dhe Elvis Vladi, të cilët u arrestuan pas sekuestrimit të shumës prej 3.4 milionë eurosh të gjetura në dy automjete “Toyota Yaris” në portin e Durrësit, pjesë e hetimit të quajtur “Toyota Yaris”. Ai është gjithashtu i përfshirë në hetimet për ish-Kryeprokurorin e Vlorës, Aurel Zarka, si dhe për disa funksionarë të tjerë të drejtësisë, përfshirë ish-oficeren e policisë gjyqësore pranë ish-Prokurorisë për Krime të Rënda, Erjona Daupaj dhe Astrit Vladin.

Të pandehurit, përfshirë Çelën, akuzohen për korrupsion dhe ushtrim të ndikimit të paligjshëm në disa raste. Sipas prokurorisë, ata kanë kërkuar dhe pranuar ryshfete për të ndikuar te gjyqtarë dhe prokurorë që hetonin dhe gjykonin dosjen e sekuestrimit të 3.4 milionë eurove, me qëllim që të favorizoheshin të pandehurit.

Për më tepër, SPAK ka ngritur akuza edhe për favorizimin e Suel Çelës për të çliruar pasuritë e sekuestruara në kuadër të Operacionit “Forca e Ligjit”. Hetimi ka nisur mbi bazën e të dhënave të Sky ECC, të dhëna të cilat u vunë në dispozicion nga autoritetet franceze dhe ku u zbuluan komunikime mes të pandehurve lidhur me çështjet e përfshira.

Sipas SPAK, është provuar se të pandehurit Astrit Vladi, Radovan Çela, Erjona Daupaj dhe Aurel Zarka kanë ofruar dhe pranuar përfitime të parregullta për të ushtruar ndikim tek funksionarë të drejtësisë. Ata dyshohet se kanë kërkuar dhe ofruar ryshfete për të favorizuar individë të përfshirë në çështjet e hetuara nga organet e drejtësisë.

Prokuroria ka vendosur ndarjen e çështjes dhe veçimin e akteve që lidhen me komunikimet mes të pandehurve dhe personave të tjerë, të cilët dyshohet se kanë kërkuar ose pranuar përfitime të paligjshme. Përveç kësaj, ka pasur ndarje të akteve lidhur me veprime të tjera të mundshme që përmbajnë elementët e veprave penale të tjera.

Mbrojtja e avokatit Radovan Çela ka kërkuar gjykim të shkurtuar, duke pranuar aktet që janë sjellë deri tani nga SPAK. Një vendim për këtë kërkesë do të merret më 12 maj.

Ndërkohë, më herët, Gjykata kishte vendosur pezullimin e çështjes për të pandehurit Astrit Vladi, Erjona Daupaj dhe Radovan Çela për një periudhë prej një viti, për shkak të arratisjes së tyre. Pas vetëdorëzimit të Radovan Çelës, procesi ka vazhduar për të.

Disa ditë më parë, SPAK dha pretencën për ish-Kryeprokurorin e Vlorës, Aurel Zarka, i akuzuar në të njëjtën dosje. Prokuroria kërkoi dënim me 4.6 vite burg për Zarkën, por nëse gjykata miraton kërkesën për gjykim të shkurtuar, ai mund të përfitojë një ulje të dënimit prej 1/3.

Hetimet për këtë dosje vijojnë dhe janë në proces ndarjeje dhe shqyrtimi të akteve të reja lidhur me personat dhe episode të tjera të mundshme të korrupsionit dhe ndikimit të paligjshëm.

Sabina Nika
Gazetare |  + posts

Gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri”- RRKOKSH.
Studente në fakultetin e historisë dhe filologjisë, Universiteti i Tiranës.