“Nuk më ka ndaluar njeri në rrugë, nuk kam pasur kurrë shqetësime për shkak të djemve të mi, nuk kam dëgjuar asnjë llaf për ta.” Kështu e nisi dëshminë e tij Muhamet Duka, babai Leonard dhe Erlis Dukës, në seancën gjyqësore të zhvilluar në Gjykatën e Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, lidhur me vrasjen e ish-policit Santiago Malko në gusht të vitit 2019.
I thirrur në cilësinë e dëshmitarit, Muhamet Duka deklaroi se nuk ka dijeni për ndonjë konflikt mes familjes së tij dhe Ervis Martinajt, emër ky i përmendur në këtë dosje si i lidhur ngushtë me viktimën. Ai mohoi çdo përfshirje të mundshme të djemve të tij në aktivitete kriminale dhe shprehu se ka qenë i përqendruar vetëm në jetën dhe biznesin e tij.
“Shoqërinë e djemve nuk më ka rënë rasti ti njoh, unë meresha me tregti me biznesin tim, kam patur një lokal timin te Fresku, punoja unë dhe bashkëshortja ime. Tani jam në pension. Leonardi ka patur punët e veta, me biznesin e tij, me këto lojërat e fatit. Nuk e di me kë bashkëpunonte, nuk i jam përzier në punët e tij se ata janë të rritur” – tregoi Duka i madh.
Muhamet Duka tha se nuk kishte dijeni për emrin e viktimës, Santiago Malko, dhe se emrat e përmendur në proces, përfshirë Ervis Martinajn, Fatmir Dogjën, Ilir Selmanin dhe Blendi Tetën i kishte dëgjuar vetëm nga mediat.
“Nuk e di kush ishte Santiago Malko, as i kam njohur ndonjëherë njerëz si Ervis Martinaj, Fatmir Dogja apo Blendi Teta. Emrat i kam dëgjuar vetëm nga televizori,” tha Duka, duke shtuar se njihte disa nga personat e përmendur në hetim përmes lidhjeve familjare apo si banorë të lagjes.
Në dëshminë e tij, Duka sqaroi marrëdhëniet familjare me persona të përmendur në dosjen hetimore ku ai tregoi se Aleksandër Maxhaku është nipi i tij, ndërsa Dritan Agaj një i afërm nga ana e gruas. Edhe Oltion Lokën ai tha se e njeh si banor të lagjes.
“Aleksandër Maxhaku është nipi im, nuk e kam takuar prej vitesh. Dritan Agaj është i afërm nga ana e gruas. Oltion Lokën e njoh nga lagjja, por nuk di me kë rrinte,” – dëshmoi Duka në procesin ku djemtë e tij janë të akuzuar për vrasjen e Santiago Malkos, ishte ish-polic për një periudhë të shkurtër në strukturat e Patrullës së Përgjithshme në Tiranë, por kishte lidhje të njohura me botën e krimit.
Si i dyshuar për këtë ngjarrje, në rolin e porositësit të vrajses, u arrestuar më 14 shkurt 2023 në Bruksel, Leonard Duka dhe një vit më vonë ai u ekstraduar në Shqipëri duke u përballur me drejtësinë ku akuzohet për “vrasje me paramendim”, “grup i strukturuar kriminal”, si dhe “mbajtje pa leje të armëve dhe municioneve”.
Së bashku me të janë në gjykim edhe bashkëpunëtorët e tij si Erlis Duka, Fatmir Hyseni, Aleksandër Maxhaku.
Sipas SPAK, prishja e marrëdhënieve mes Dukës dhe Martinajt, pas rrëmbimit dhe dhunimit të babait të Dukës, shënoi pikën e kthesës që çoi në hakmarrjen ndaj Malkos, të cilin e konsideronin si “krahu i djathtë” i Martinajt.
Santiago Malko u ekzekutua me dhjetë plumba në zonën e Xhamllikut, ndërsa udhëtonte me një BMW X5. Autorët e pritën në një furgon të bardhë dhe qëlluan me breshëri kallashnikovi nga një makinë tip “Mercedes Benz”. Pasi automjeti i Malkos u përplas me një mur, atentatorët iu afruan dhe e qëlluan në kokë për ta siguruar vdekjen.
Prokuroria ka ngritur akuza si autor të vrasjes ndaj Fatmir Hysenit i cili ende rezulton person në kërkim.
Si organizatorë dyshohet të jenë vëllezërit Leonard dhe Erlis Duka. Pjesë e grupit që mori pjesë në vrasje me role të ndryshme dyshohet se janë dhe Ilir Selmani, Oltian Loga, Dritan Agaj, Aleksandër Maxhaku, Xhoni Nica, Fatmir Hyseni dhe Blendi Teta.
Gjykata e Posaçme deri tani ka dënuar 2 persona në lidhje me vrasjen. Blendi Tetën me 25 vjet burg, i cili në fakt do të rigjykohet, pas një vendimi të Gjykatës së Lartë dhe Ilir Semlanin me 28 vjet burg. I njëjti vendim është lënë në fuqi më 16 nëntor 2023 edhe nga Gjykata e Posaçme e Apelit. Ndërsa ka vendosur prishjen e vendimit për dënimin me 7 vjet burg të Elvis Gaçajt, një tjetër i akuzuar në këtë çështje, duke kthyer dosjen ndaj tij në shkallën e parë.
Ndërkohë, për personat që janë ende në kërkim, gjykimi vazhdon i veçuar në mungesë.
Gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri”- RRKOKSH.
Studente në fakultetin e historisë dhe filologjisë, Universiteti i Tiranës.