“Bankers Petroleum” nën hetim për evazion në qindra miliardë lekë

Prokuroria e Fierit zbardh dyshimet për deklarime fiktive, shmangie tatimore dhe humbje të simuluara ndër vite nga kompania që operon në fushat naftëmbajtëse të Patos-Marinëz.

177
Bankers Petroleum
Credits: shteg.org - Bankers Petroleum

Kompania “Bankers Petroleum Albania LTD” ndodhet nën hetim penal nga Prokuroria e Fierit, e cila në bashkëpunim me Drejtorinë e Hetimit Tatimor dhe Policinë e Shtetit ka zbuluar një dëm të dyshuar prej mbi 500 miliardë lekësh ndaj buxhetit të shtetit.

Hetimet tregojnë se, shoqëria gjatë periudhës 2004–2024, ka realizuar eksporte dhe shitje në tregun vendas në një vlerë totale prej mbi 544 miliardë lekësh. Megjithatë, kompania ka deklaruar në mënyrë të vazhdueshme shpenzime tatimore më të larta se të ardhurat, duke rezultuar çdo vit me humbje në bilancet financiare.

“Shoqëria ka kryer eksporte dhe shitje brenda vendit në vlerën prej 532,433,614,112 lekë, ndërsa ka deklaruar shpenzime që tejkalojnë këto të ardhura. Humbja totale për periudhën e verifikuar rezulton në 11,691,799,688 lekë,” thuhet në njoftimin zyrtar të Prokurorisë së Fierit.

Prokuroria dyshon se “Bankers Petroleum” ka manipuluar shpenzimet në mënyrë të qëllimshme për të shmangur detyrimet tatimore dhe ka përfituar në mënyrë të paligjshme rimbursime të TVSH-së përmes dokumentacionit të falsifikuar.

Sipas Prokurorisë së Fierit, dëmi i shkaktuar nga “Bankers Petroleum Albania” përfshin një periudhë 20-vjeçare, që nga fillimi i aktivitetit të saj në Shqipëri në vitin 2004 deri në vitin 2024. Gjatë kësaj kohe, kompania ka nxjerrë dhe tregtuar sasi të konsiderueshme karburanti në zona me rezerva të mëdha nafte, si Patos-Marinëz në Fier.

“Është vërejtur se, shoqëria ka kryer eksporte dhe shitje brenda vendit nga viti 2004 deri në vitin 2024 në vlerën prej 532,433,614,112 lekë. Po ashtu, rezulton se ka deklaruar shpenzime tatimore që tejkalojnë të ardhurat nga eksportet dhe shitjet, duke dalë në çdo vit ushtrimor me humbje, ku vlera totale e humbjes për të gjitha periudhat është 11,691,799,688 lekë,” – thuhet në njoftimin zyrtar të Prokurorisë së Fierit.

Autoritetet dyshojnë se “Bankers Petroleum Albania LTD” ka rritur në mënyrë fiktive shpenzimet e saj, në mënyrë që të paraqitet në bilancin e saj vjetor me humbje, por më pas, nuk i paguante detyrimet tatimore. Kështu, kjo shoqëri përfitonte nga rimbursimi i TVSh-së nëpërmjet skemave mashtruese.

Prokuroria dyshon se është ndihmuar dhe nga individë e shoqëri të tjera kontraktuese të saj, nga ku mendohet se është bërë dhe falsifikimi i dokumentave të ndryshëm dhe kryerja e transaksioneve financiare me operatorë dhe individë të ndryshëm brenda dhe jashtë Shqipërisë.

Në kuadër të këtij procedimi penal, janë lëshuar 14 masa sigurie,për veprat penale si “Krijimi i skemave mashtruese lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar”, “Fshehja e të ardhurave”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Moskryerja e detyrave nga organet tatimore”, nga të cilat nëntë janë ekzekutuar.

Në mesin e të ndaluarve janë administratorët e kompanisë, përfshirë Hongping Xiao dhe ish-administratori Leonidha Çobo, si dhe drejtori i financës, Ardit Kero, i cili ka qenë pjesë e kompanisë për më shumë se 15 vjet.

Pesë persona të tjerë janë ende në kërkim, ndërsa pritet që hetimet të shtrihen edhe ndaj entiteteve të tjera juridike dhe individëve të përfshirë në skemën e dyshuar mashtruese.

“Hetimet në kuadër të këtij procedimi penal vijojnë pasi dyshohen disa skema të ndryshme mashtrimi për TVSH-në, pastrim parash, etj, ku janë të implikuar dhe shumë individë dhe kompani të tjera,” thuhet më tej në njoftimin e Prokurorisë.

Desada Sadiku
+ posts

Gazetare me përvojë në raportimin e kronikës së zezë dhe çështjeve politike në Shqipëri.
Gjithashtu, ajo ka qenë pjesë e “Investigative Journalism Lab” pranë “Albanian Center for Quality Journalism” (ACQJ).
Në SHBA ka marrë leksione të gazetarisë investigative në Kolegjin e Bostonit.

Desada ka përfunduar studimet në “Media Leadership and Management” dhe “Political Journalism” dhe ka qenë e angazhuar në projekte dhe internship-e që fokusohen në gazetarinë cilësore dhe hetimore.