Bashkëpunoi me Erion Veliajn, arrestohet biznesmeni i dënuar më herët në Belgjikë

Me urdhër të SPAK është arrestuar edhe Elman Abule, i dyshuar për veprën penale të pastrimit të parave. Pak muaj më parë gjykata e Tiranës sekuestroi 50 milionë euro pasuri të paluajtshme të lidhura me Abulen e Kristian Boçin, pasi dyshohet që pasuritë të jenë produkt pastrimi parash.

679
Kristian Boci dhe Elman Abule
Credits: shteg.org

Gjykata e Posaçme ka miratuar masën e arrestit me burg ndaj biznesmenit Elman Abule, i cili është arrestuar nga policia pasditen e së hënës më 10 shkurt 2025.

Në kuadër të hetimeve ndaj kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Prokuroria e Posaçme ka kërkuar arrestimin e biznesmenit, pasi dyshohet për pastrim parash.

Mësohet se Abule është pyetur nga prokurorët si person në dijeni për çështjen në hetim ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj.

Elman Abule, që rezulton lidhje miqësore e kryebashkiakut është pyetur, sipas burimeve, lidhur me udhëtimet që ka patur me të jashtë vendit, si dhe me punët që ka marrë në Bashkinë e Tiranës.

Më herët gjykata e Tiranës vendosi masën e sekuestros mbi pasuritë e tij pas dyshimeve të ngritura pronat. Dyshohet të jenë produkt pastrimi parash.

Prokuroria e Tiranës dyshon se Abule ka krijuar një skemë të qarkullimit dhe justifikimit të të ardhurave nga krimi.

“Ky shtetas, nëpërmjet krijimit të një sërë kompanive, disa prej tyre nën administrimin edhe të K.B [Kristian Boçit], apo V.A [Vladimir Avramit], kanë krijuar një skemë të mirëfilltë të pastrimit të produkteve të veprës penale”, tha prokuroria në një njoftim të premten duke përmendur dhe Ender Boçin si pjesë të grupit.

Të katërt kanë biznese në fushën e energjetikës. Ata kanë siguruar kontrata për zhvillimin e dy hidrocentraleve në Mirditë dhe një turbinë për energji nga era në Pukë.

Prokuroria theksoi se “huamarrja në shuma të mëdha nga bankat e nivelit të dytë” ka qenë një prej skemave që ka përdorur grupi për të justifikuar qarkullimet e parave. Sidoqoftë, prokuroria nuk e specifikoi këtë dyshim me raste konkrete.

Ndër veprimet e tjera të dyshimta, prokuroria përmendi kontrabandën, blerjen e hidrocentraleve me vlera të konsiderueshme “pa përligjur burimin e të ardhurave”, shitblerjen fiktive me vlera të mëdha të makinave, krijimin dhe drejtimin e kompanive pa aktivitet për të cilat “deklarohet rritje kapitali”.

Gjykata i sekuestroi kompanisë kryesore “Fidalba”, të zotëruar nga Abule, një projekt pallati në zhvillim, katër ndërtesa me sipërfaqe rreth 2,500 metra katrorë dhe dy parcela toke me sipërfaqe rreth 5,600 metra katrorë në Xhafzotaj të Durrësit.

Abules dhe bashkëshortes iu sekuestruan gjithashtu dy vila me sipërfaqe totale rreth 500 metra katrorë dhe dy parcela toke me sipërfaqe 550 metra të blera me një vlerë rreth 1.2 milionë euro.

Shteg.org ka mundur të njihet me dosjen e prokurorisë ku ka raportuar jo vetëm për pronat por edhe për akuzat që rëndojnë mbi biznesmenin me lidhje të forta në politikën shqiptare.

Sabina Nika
Gazetare |  + posts

Gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri”- RRKOKSH.
Studente në fakultetin e historisë dhe filologjisë, Universiteti i Tiranës.