Ambasadori i Bashkimit Europian në Tiranë, Silvio Gonzato, ka dalë në mbrojtje të iniciativës së Task-Forcës së SPAK për monitorimin e zgjedhjeve të 11 majit.
Gjatë një aktiviteti të organizuar nga shoqëria civile, Gonzato theksoi se blerja e votës dhe presioni ndaj votuesve vijojnë të mbeten probleme të mëdha për Shqipërinë, duke theksuar rëndësinë e veprimeve të koordinuara për të garantuar një proces zgjedhor të pastër dhe të besueshëm.
“Përshëndes nismën e ndërmarrë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Prokuroria e Përgjithshme, SPAK dhe Policia e Shtetit, për të bashkërenduar veprimet e tyre në prag të zgjedhjeve të majit, për të adresuar krimet e mundshme zgjedhore si një mënyrë për të garantuar besimin në procesin zgjedhor. Mezi pres të dëgjoj më shumë nga këto institucione për iniciativat dhe përpjekjet e tyre koordinuese”, tha Gonzato.
Gonzato gjithashtu theksoi rëndësinë e trajtimit të keqpërdorimit të burimeve administrative, një problem që kërkon më shumë vëmendje për të siguruar kushte të barabarta për të gjithë kandidatët dhe partitë politike.
“Keqpërdorimi i burimeve administrative është nënvizuar gjithashtu në disa raporte të ODIHR-it si një çështje që kërkon më shumë vëmendje për të siguruar kushte të barabarta loje. Prandaj do të mirëprisja faktin që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka rritur rolin e tij monitorues në këtë fushë”, theksoi ai në një tryezë të përbashkët për krimet zgjedhore me përfshirjen e institucioneve dhe aktorëve të ndryshëm politikë dhe të shoqërisë civile.
“Blerja e votës dhe presioni ndaj votuesve vijon të jetë problem në Shqipëri. Mirëpres nismën e ndërmarrë nga aktorët kryesorë, si Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Prokuroria e Përgjithshme, SPAK dhe Policia e Shtetit, për të koordinuar përpjekjet e tyre para zgjedhjeve të 11 majit, për të adresuar krimet e mundshme zgjedhore, si garanci për besim në këto zgjedhje. Dhe mezi po pres që të dëgjoj më shumë nga këto institucione lidhur me nismën e tyre dhe koordinimin,” tha Gonzato, duke shprehur mbështetje për masat e parashikuara.
I dërguari i BE-së i bëri thirrje aktorëve kryesorë të procesit zgjedhor, si Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Prokuroria e Përgjithshme, SPAK dhe Policia e Shtetit, që të vazhdojnë përpjekjet e tyre për të parandaluar krimet zgjedhore dhe për të siguruar besimin e qytetarëve në zgjedhjet e 11 majit. Ai shtoi se është optimist për nismën që këto institucione po ndërmarrin për të adresuar krimet zgjedhore dhe presin që ato të veprojnë në përputhje me ligjin, pa ndikime politike.

Reagimi i Gonzatos erdhi pas sulmit të djeshëm të kryeministrit Edi Rama ndaj SPAK, i cili kishte kundërshtuar monitorimin në terren të zgjedhjeve të 11 majit nga ky organ.
Kreu i SPAK, Altin Dumani, i pranishëm në takim, deklaroi se hetimet e SPAK do të zhvillohen pa ndikime politike dhe do të jenë në përputhje me ligjin.
Ai theksoi se strategjia e SPAK për parandalimin e krimeve zgjedhore është hartuar në përputhje me ligjin dhe është publike për çdo qytetar.
“Hetimi do të kryhet në përputhje me ligjin dhe pa ndikim politik. Krimi zgjedhor, edhe ai me financimet jo formale, zgjatja e hetimeve post factum krijon mosbesim. Prandaj SPAK ka reflektuar me miratimin e strategjisë në përmbushje të detyrimit ligjor” theksoi Dumani.
Kreu i Spak gjithashtu u shpreh se grupet e hetimit do të jenë në terren për të qenë në kontakt me informacionet dhe për të siguruar një procesi zgjedhor të lirë.
“SPAK ka detyrë që në rastet kur ndeshet me krime zgjedhore që janë në juridiksionin e saj të hetojë dhe të udhëtojë ndjekjen penalen. Askush nuk duhet të ketë frikë sa kohë është në përmbushje të detyrimeve ligjore dhe kushtetuese” shtoi Dumani.
Dumani siguroi se SPAK ka një bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë e Përgjithshme për trajtimin e rasteve të krimeve zgjedhore dhe se janë ndërmarrë masa konkrete për të monitoruar procesin zgjedhor në kohë reale.
Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela, tha se ky bashkëpunim ka për qëllim identifikimin e shpejtë të shkeljeve të mundshme zgjedhore dhe trajtimin e tyre në përputhje me ligjin.
Çela shtoi se për të përballuar çdo mundësi për manipulim të zgjedhjeve, është përgatitur një protokoll koordinimi institucional me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, përmes të cilit do të sigurohet një ndihmë më efikase dhe një reagim më të shpejtë për çdo problem që mund të shfaqet gjatë fushatës zgjedhore.
Dallandyshe Xhaferri është gazetare në "Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri" - RRKOKSH. Ajo ka studiuar Gazetari në Universitetin “Aleksandër Xhuvani” dhe ka marrë pjesë në shkëmbime studentore në Poloni dhe SHBA. Në Poloni, ka ndjekur një semestër në "Journalism and Management" në Universitetin "Papa Gjon Pali II", ndërsa në SHBA ka marrë leksione mbi gazetarinë në Kolegjin e Bostonit. Gjatë katër viteve të fundit, ajo ka punuar si gazetare në organizata të ndryshme me fokus gazetarinë cilësore dhe ka qenë e angazhuar në projekte të IFES, East West Management Institute dhe Rana Labs.