Berisha del nga izolimi, PD në festë

SPAK paralajmëroi se do ta ankimojë në Apelin e Gjykatës së Posaçme

859
Berisha del nga izolimi
Credit: LSA

Me një vendim të dhënë në orët e para të mëngjesit, Gjykata e Posaçme vendosi të ndryshojë masën e sigurisë së Kryetarit të PD-së Sali Berisha, nga “arrest shtëpie” në “detyrim paraqitje”, duke i dhënë fund izolimit të tij në shtëpi. Prokurorët e SPAK kishin kërkuar që Berisha të mbetej në izolim, sërish për të njëjtat arsye, sepse disa muaj më parë nuk respektoi masën e sigurisë “detyrim paraqitje” që i caktoi SPAK.

Menjëherë pas zbardhjes së vendimit, Berisha doli nga arresti shtëpiak dhe u paraqit në zyrat e PD-së, i shoqëruar nga drejtues politik të opozitës dhe simpatizantë.

“U krye dhe kjo punë! Piramida më e madhe e mashtrimit mori sot goditjen më fatale. Sot Shqipëria u ndriçua nga rrezet e para të rikthimit të pandalshëm të demokracisë. Sakrifica, mundi u shpërblye”, – deklaroi Berisha.

Pasi gjykata vendosi shuarjen e masës “arrest me burg”, reagoi edhe Prokuroria e Posaçme SPAK e cila tha se vendimin do ta ankimojnë, për të kërkuar në Apelin e GJKKO-së rikthimin e masës “arrest shtëpie”.

Berisha ndodhej në masën e ‘arrestit shtëpiak’ prej 30 dhjetorit të 2023 pasi refuzoi të zbatonte vendimin e parë të GJKKO-së për masën e sigurisë “detyrim paraqitje” dhe “bllokim të pasaportës për të mos dalë jashtë vendit”.

Berisha akuzohet nga SPAK për “korrupsion pasiv të zyrtarëve të lartë publik”, si i dyshuar për privatizimin në shkelje të ligjit të ish-kompleksit sportiv Partizani dhe më pas ndërtimin e disa pallateve dhe njësive të ndryshme shërbimi nga dhëndri i tij Jamarbër Malltezi.

Berisha nuk i ka pranuar akuzat e ngritura nga Prokuroria Speciale duke i cilësuar ato si të ndikuara politikisht.

Në shtator të këtij viti, prokurorët Arben Kraja dhe Enkelejda Millonai i komunikuan Sali Berishës akuzën e “korrupsionit pasiv kryer në bashkëpunim” në lidhje me truallin e kompleksit Partizani, që iu kthye disa familjeve të Tiranës, mes të cilëve ishte përfitues edhe dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi.

Por kreu i Partisë Demokratike nuk ka pranuar asnjë akuzë, me pretendimin se dosja është manipuluar dhe i gjithë procesi është politik. Berisha as nuk iu bind masës “detyrim paraqitje” që SPAK e vendosi pa marrë autorizim nga parlamenti. Për këtë mosbindje, ai qëndroi 11 muaj në izolim.

Hetimi nisi në bazë të një denoncimi të Taulant Ballës, i cili rreth katër vite më parë u paraqit në SPAK me një dosje të hartuar në zyrat e Partisë Socialiste. Sipas socialistëve, qeveria e drejtuar nga Berisha kishte krijuar kushtet dhe kishte marrë vendime që favorizonin dhëndrin e tij Jamarbër Malltezi për të përfituar nga privatizimi i truallit të kompleksit Partizani, duke qenë pjesë e familjeve trashëgimtare.

Sabina Nika
Gazetare |  + posts

Gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri”- RRKOKSH.
Studente në fakultetin e historisë dhe filologjisë, Universiteti i Tiranës.