Berisha sulmon SPAK dhe qeverinë për dosjen “Partizani”

Ish-kryeministri dhe dhëndri i tij Jamarbër Malltezi mohojnë akuzat për korrupsion e përfitime 5.4 milionë euro; Berisha e quan procesin “politik” dhe një përpjekje për të goditur opozitën.

28
ish-kryeministri Sali Berisha
Credits: LSA - ish-kryeministri Sali Berisha

Seanca e parë në themel të dosjes “Partizani” u zhvillua këtë të hënë në Gjykatën e Posaçme, ku në bankën e të pandehurve janë ish-kryeministri Sali Berisha, dhëndri i tij Jamarbër Malltezi dhe tre persona të tjerë.

Në sallën e gjyqit ishte i pranishëm vetëm Malltezi, ndërsa Berisha mungoi duke respektuar masën e detyrimit për paraqitje në SPAK. Nga aty, ai deklaroi se procesi është ngritur mbi baza antiligjore dhe mbrojti pafajësinë e dhëndrit të tij, duke theksuar se Malltezi nuk ka ushtruar asnjëherë funksion publik.

Seanca e kaluar ishte shtyrë për t’i dhënë kohë avokatit Sokol Hazizaj të njihej me aktet, ndërsa këtë herë mbrojtësit e të pandehurve paraqitën një sërë kërkesash paraprake.

Përgjatë 30 minutave, avokati i Berishës renditi pretendimet për pavlefshmërinë absolute të akteve dhe vendimeve të marra nga gjyqtarja Irena Gjoka gjatë hetimeve paraprake.

“Kërkojmë konstatim të pavlefshmërisë absolute të vendimit për marrjen të pandehur, komunikimin e akuzës dhe çdo akt që rrjedh prej tij”, deklaroi mbrojtja e Berishës, duke akuzuar gjithashtu SPAK se ka tejkaluar kompetencat kushtetuese dhe ka vepruar në interes politik.

“Prokuroria ka kaluar kompetencat kushtetuese duke dhënë opinione. Ngritja e akuzës nuk është kryer në funksion të ushtrimit të kompetencës së saj. Prokuroria nuk ka përfaqësuar interesat e shtetit, por të një force politike, me qëllim mbajtjen në pushtet të saj” – vijoi mbrojtja e Berishës.

Në të njëjtën linjë, avokatja Klodiana Gjyzdari ndau kërkesat e saj në dy grupe, duke kundërshtuar vendimet gjyqësore dhe aktet e hetimit paraprak, të cilat sipas saj janë të paligjshme dhe nuk lidhen me akuzat ndaj Berishës.

“Vlerësojmë që vendimet gjyqësore të marra gjatë hetimit paraprak janë nga një gjykatë e krijuar jo me ligj. Kundërshtojmë aktet e hetimit paraprak mbi të cilat janë bazuar akuzat e Berishës, të cilat në pamje të parë tregojnë që s’kanë lidhje me akuzat në ngarkim të tij” – deklaroi Gjyzdari.

Përpara trupës gjykese dorëzoi dhe kërkesat e tij, vetë i pandehuri në këtë gjykim, Jamarbër Malltezi duke pretenduar për falsifikime gjatë hetimeve.

“Kam paraqitur në kërkesat e mia paraprake prova e fakte, ndër to dhe 30 falsifikime që prokurorët kanë bërë gjatë hetimeve, – deklaroi Malltezi duke iu drejtuar trupës gjykuese nëse do pranonte një aktakuzë me 30 falsifikime.

Malltezit i cilësoi të pavlefshme akuzat për “korrupsion pasiv” dhe “pastrim të produkteve të veprës penale”, duke argumentuar se ai nuk ka pasur funksione publike dhe nuk mund të mbajë përgjegjësi për veprat e ngritura.

“A do të pranoni ju një aktakuzë me 30 falsifikime? A do të quhet e vlefshme?”, pyeti ai trupën gjykuese, duke kërkuar gjithashtu që procesi të filmohet nga mediat për transparencë të plotë.

Ndërkohë, avokati Sokol Hazizaj, që përfaqëson biznesmenin Fatmir Bektashi dhe kompaninë HomePlan, kërkoi kohë shtesë për të vijuar me paraqitjen e kërkesave paraprake. Gjykata pranoi kërkesën dhe vendosi që procesi të vazhdojë më 29 shtator 2025.

Ish-kryeministri Sali Berisha akusohet për korrupsion, së bashku me dhëndrin e tij Jamarbër Malltezi, të cili sipas SPAK ka përfituar rreth 5.4 milionë euro nga një projekt ndërtimi falë vendimeve qeveritare të kohës kur në krye të ekzekutivit ishte vjehrri i tij.

Si Berisha, ashtu edhe Malltezi i kanë kundërshtuar akuzat duke i cilësuar ato të orkestruara nga kryeministri Edi Rama dhe të drejtuara për të goditur opozitën.

Në moshën 79-vjeçare, Berisha është zyrtari më i lartë i opozitës në tre dekadat e fundit që përballet me një proces të tillë ligjor. Një rast i ngjashëm ka ndodhur në vitin 1993, kur ish-kryeministri socialist Fatos Nano u arrestua dhe u gjykua pas vendimit të mazhorancës së atëhershme demokrate për t’i hequr imunitetin.

Sabina Nika
Gazetare |  + posts

Gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri”- RRKOKSH.
Studente në fakultetin e historisë dhe filologjisë, Universiteti i Tiranës.