I ngacmuar nga një debat i nisur midis Andi Bushatit dhe drejtuesve të disa forcave të reja politike mendova të shtoj një këndvështrim që mungon në debatin e tyre.
Beteja elektorale e ardhshme, për herë të parë në historinë e pluralizmit shqiptar, nuk do të jetë betejë mes forcave politike për të marrë pushtetin por betejë mes PD dhe forcave të tjera politike (kryesisht atyre të reja) për të marrë monopolin e opozitës.
Siç e kam sqaruar edhe në një shkrim tjetër, Berisha bëri një marrveshje të keqe me Ramën për kodin elektoral duke patur parasysh pikërisht këtë fakt.
Ai pranoi që Rama të avantazhohej me sistemin e listave të mbyllura në 1/3 vetëm më premisën se kjo do të dëmtonte kundërshtarët e tij të vërtetë, pra forcat e reja politike.
Ai e di se e ka të pamundur të fitojë shumicën në kushtet ku ndodhet sot PD, me arrestin shtëpiak që ka për ta nxjerrë edhe jashtë parlamentit, me Ilir Metën në burg e në pamundësi të shtojë vota në thesin opozitar dhe me një PD të ndarë në disa copëza e pa asnjë lloj motivimi apo projeksioni për pushtet.
Synimi i Berishës është të ruajë monopolin e opozitës në parlament, edhe me koston e tkurrjes në kuota historike të numrit të mandateve opozitare.
Nga ana tjetër, forcat e reja politike e dinë që nuk do të mund të marrin dot pushtet këto zgjedhje. Si njohës i mirë i terrenit elektoral në Shqipëri, e them me siguri se i vetmi qark ku ka ende treg për idetë apo forcat e reja është Tirana e ndoshta Durrësi kjo për arsyen e thjeshtë se vota për forcat e reja duhet të jetë e liruar nga mankthet financiare dhe zinxhirët e pushtetit. Kryeqyteti kryesisht e deri diku Durrësi, e kanë një treg të votuesve të lirë, profesionistë të fushave të ndryshme, biznesmenë të vegjël apo të mesëm, studentë e të rinj të cilët e kanë luksin të mos bëjnë tregti me votën por të stimulojnë ndryshimin.
Kjo kategori votuesisht gjithashtu ka interes te ndryshimi me shpresën se shpërndarja e kapitalit do të bëhet në të ardhmen më proporcionale dhe jo të gjitha lugët e fondeve apo të mirave publike do i përlajnë 5-6 emra të përveçëm që sot etiketohen si oligarkë.
Pra për të arritur fitore në të gjithë vendin forcat e reja do të duhet së pari të trondisin Tiranën, të motivojnë të gjithë të mësipërmit që të shkojnë të votojnë ditën e diel dhe me shpresë Tirana të prodhojë në rastin më të keq 1-2 e në atë më të mirë 5-7 mandate për forcat e reja politike.
Duke qenë se pjesa më e madhe e elektoratit në Shqipëri është nën pushtetin e patronazhimit, në kuptimin organizativ, ekonomik dhe politik të fjalës, bëhet shumë e vështirë ose e pamundur që të depërtosh te vota e tyre, të paktën jo në këto zgjedhje dhe jo para se Rama të shfaqë shenja dobësie të cilat më pas do të trondisnin edhe themelet e sistemit që ka ngritur.
Duke qenë pra se shanset që të fitojnë zgjedhjet forcat e reja janë 0 dhe ata e dinë këtë gjë, atëherë kundërshtari i tyre natyral nuk është PS dhe Rama të cilët ata e dinë se do të jenë sërish në pushtet mbas zgjedhjeve, por është PD dhe PL.
Pra të dyja palët janë të qarta se kë kanë kundërshtar (si PD dhe forcat e reja) ndaj edhe nuk ka ndonjë habi që forcat e reja ta mbështesin sot SPAK si një aleat natyral të tyre i cili po i ndihmon që të dobësojë kundërshtarin duke e arrestuar dhe përndjekur penalisht sepse kjo mundëson dobësimin e tij elektoral dhe rrit shanset e futjes së tyre në parlament.
Unë jam dakord me Bushatin që SPAK është selektiv dhe disa herë ka treguar standarte të dyfishta, por nuk bie dakord me të se kjo po ndihmon instalimin e diktaturës apo autokracisë në vend.
Arrestimi i Metës apo arresti shtëpiak i Berishës janë pamje shqetësuese për Ramës së pari, i cili projekton veten në ato pamje. Nuk ka politikan sot në Shqipëri që uron apo punon ta fusë në burg kundërshtarin politik, sepse e di që ai standart do i bjerë në kokë herët ose vonë.
Unë mendoj se përkundrazi, veprimet e sotme të SPAK, do të ndihmojnë në krijimin e një klime më pluraliste në të ardhmen të cilat do të mundësojnë përmirësimin e ofertës elektorale dhe forcimin e ofertës politike në vend.
Është e vërtetë që Rama këto zgjedhje do të krijojë një supermaxhorancë (unë mendoj se merr mbi 95 deputetë) por nga krahu tjetër këto do të jenë zgjedhjet e fundit që ai fiton. Mbas këtyre zgjedhjeve PD dhe PL do të shpërbëhen totalisht ose do të gjymtohen thelbësisht, dhe më në fund përballja e ardhshme e PS nuk do të jetë me të shkuarën por me të ardhmen, përballje të cilën PS ka për të humbur dhe do të nisë cikli i reformimit apo shkatërrimit total edhe të asaj partie. Kjo do të sjellë një periudhë tranzicioni me rotacione të shpeshta politike po në fund qeverisja do të ketë absolutisht standarte të tjera më të favorshme për qytetarët.
Ajo që kërkohet sot në fakt prej forcave të reja politike nuk është falje nëse Rama fiton, sepse ai ka për të fituar, por sinqeritet me votuesin e me shqiptarët në synimet e tyre elektorale dhe përgatitje më e mirë organizative dhe ideologjike.
Partitë e reja duhet të tregojnë modele të ndryshme drejtimi nga PD dhe PS të cilat janë sot “one man show”, kanë mungesë të theksuar demokracie dhe nuk i japin asnjë hapësirë anëtarësisë.
Nëse i shohim me kujdes, i njëjti model drejtimi aplikohet sot edhe te forcat e reja dhe ky nuk është aspak një lajm i mire për ta, sepse edhe pse ne dukje indifferent, votuesi shqiptar është lexues shumë i mirë i realitetit politik. Nëse ke formën e kundërshtarit kur je i vogël, gjasat janë të bëhesh si ai apo edhe më keq kur të rritesh.
Ndaj kur nuk ke mjete financiare të barabarta me kundërshtarin, kur nuk ke motorin elektoral që ka kundërshtari, kur nuk ke traditën e pushtetit dhe gjithë borxhlinjtë ndaj tij qe mbart me vete, e vetmja armë që të mbetet efektive është sinqeriteti, demokracia e brendshme dhe argumenti, të treja elemente që mungojnë në tregun e partive të reja.
Besjan Pesha është një studiues i shkencave politike dhe njohës i mirë i politikës në rajonin e Ballkanit. Ai ka mbaruar Masterin për Shkenca Politike pranë Universitetit të Tiranës dhe ka një eksperiencë të gjatë si aktivist i shoqërisë civile, duke filluar me themelimin e Lëvizjes Mjaft e më pas me themelimin e Nismës Thurje.
Besjani gjithashtu ka një eksperiencë në politikën aktive si edhe në qeverisje ku ka shërbyer në disa pozicione të rëndësishme përgjatë viteve 2007-2013.
Së fundmi ai punon si konsulent politik në rajon dhe gjatë kohës së lirë kontribuon për shteg.org.