Betoni përballë Kushtetutës

Një vendim i Gjykatës Kushtetuese ndez debatin mbi të ardhmen e zonave të mbrojtura, përplas politikën me shoqërinë civile dhe hap rrugën për një betejë të re në gjykatat europiane. Mjedisi, drejtësia dhe interesi publik në një udhëkryq historik.

37
Gjykata Kushtetuese
Credits: exit.al - Gjykata Kushtetuese

Një nga çështjet më të ndjeshme për publikun shqiptar, mjedisin dhe të ardhmen e zhvillimit të qëndrueshëm në vend, mori vendimin përfundimtar në sallën e Gjykatës Kushtetuese.

Mes pretendimeve të forta të ekspertëve mjedisorë, juristëve dhe opozitës, që e shihnin ligjin si një kërcënim për trashëgiminë natyrore, dhe një maxhorance që e promovonte si rrugë drejt zhvillimit të turizmit dhe agroturizmit, Gjykata Kushtetuese vendosi t’i hapë rrugë ndërtimit të strukturave turistike në territore të mbrojtura natyrore.

Në seancën e 31 korrikut 2025, Gjykata Kushtetuese, e ndarë në qëndrime, rrëzoi kërkesën për shfuqizimin e ligjit “Për Zonat e Mbrojtura”.

Katër gjyqtarë panë shkelje kushtetuese. Katër të tjerë jo. Por, pa arritur shumicën e nevojshme prej pesë votash, kërkesa u konsiderua e rrëzuar.

Kryetarja e Gjykatës, Holta Zaçaj sqaroi se shumë prej pretendimeve u hodhën poshtë për mungesë argumentimi kushtetues ose sepse nuk u paraqitën brenda afatit.

Vendimi i Kushtetueses ngjalli menjëherë reagimin e juristëve të përfshirë në çështje si dhe të ekspertëve mjedisorë të cilët kundërshtuan vendim dhe deklarata e kryetares së Gjykatës Kushtetuese.

Sipas tyre, çështja e zonave të mbrojtura, kishte argumenta të forta ligjorë dhe meritonte votën e 9 anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, për të mbrojtur të ardhmen.

Beteja për të ardhmen e zonave të mbrojtura

Protesta e shoqërisë civile kundër ligjit për zonat e mbrojtura
Credits: LSA – Protesta e shoqërisë civile kundër ligjit për zonat e mbrojtura

Në një seancë që nisi nga ora 10:00 e mëngjesit e deri në orën 17:00 të 31 korrikut 2025, Gjykata Kushtetuese, rrëzoi kërkesën e 37 deputetëve të opozitës për shfuqizimin e ligjit nr. 21/2024 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin për Zonat e Mbrojtura”, duke e konsideruar atë në përputhje me Kushtetutën.

Ligji, i miratuar në shkurt të këtij viti vetëm me votat e mazhorancës, parashikon lehtësira për zhvillime turistike dhe agro-turistike brenda disa zonave të mbrojtura, duke hapur rrugën për ndërtimin e strukturave akomoduese.

Në nëntor 2024, 37 deputetë të opozitës depozituan në Gjykatën Kushtetuese një kërkesë për shfuqizimin e këtij ligji, duke e konsideruar të papajtueshëm me Kushtetutën e Shqipërisë, marrëveshjet ndërkombëtare dhe standardet e Bashkimit Evropian për mbrojtjen e mjedisit.

Kërkesa e opozitës u bazua në argumentin kryesor se ligji shkelte disa pika kyçe të Kushtetutës, sidomos neni 58 që garanton mbrojtjen e natyrës dhe mjedisit.

“Ky ligj cenon parimin e barazisë para ligjit, duke favorizuar grupe të caktuara biznesi dhe duke shkelur detyrimet ndërkombëtare të Shqipërisë,”  argumentuan ekspertët para Gjykatës.

Në vendimin e shpallur pas dy seancave publike, Gjykata theksoi se pretendimet juristëve dhe opozitës nuk kishin mbështetje të mjaftueshme kushtetuese, ndërsa disa prej tyre u cilësuan të vonuara apo të reja, siç ishte ai për cenimin e kërkimit shkencor apo sigurinë juridike.

Opozita denoncoi se konsultimi publik u krye në mënyrë formale dhe pa përfshirjen reale të organizatave mjedisore dhe komuniteteve lokale.

“Në procesin e miratimit nuk u dëgjua zëri i qytetarëve dhe ekspertëve të fushës,” tha aktivistja Nora Cani.

Dokumente dhe protokolle nga disa seanca parlamentare treguan se vetëm dy organizata joqeveritare ishin të ftuara për të dhënë opinionet e tyre, ndërsa shumë prej tyre ishin të injoruara.

Ky fakt duket se detyroi gjyqtaren, Elsa Berisha, që në një nga seancat e hetimit gjyqësor të ngrinte shqetësimin nëse “ vërtetë u morën në konsideratë opinioni i qytetarëve dhe i organizatave mjedisore para miratimit?”

Në përgjigje, një zyrtar i Kuvendit theksoi se raportet e konsultimit ishin depozituar dhe u konsideruan të mjaftueshme nga komisionet parlamentare.

Por disa dëshmi të marra në mënyrë konfidenciale nga burime pranë organizatave mjedisore tregojnë presione të mëdha politike dhe financiare për të mos kundërshtuar ligjin në mënyrë publike.

Sipas nenit 56 të Kushtetutës dhe Konventës së Aarhus-it, qytetarët kanë të drejtë të informohen për gjendjen dhe mbrojtjen e mjedisit. Por Gjykata vlerësoi se në këtë rast, konsultimi i bërë nga Kuvendi për projektligjin, pavarësisht se ishte nismë e deputetëve dhe jo e qeverisë, përmbushi këtë detyrim kushtetues.

“Për përputhshmërinë e këtij ligji janë parë edhe konventat ndërkombëtare, si Konventa e Rios, Bernës, Ramsarit dhe Parisit. Konventat janë të detyrueshme, por janë të gjera”, tha kryetarja Zaçaj. Sipas saj, secila zonë e mbrojtur kërkon specifikat e saj të mbrojtjes ligjore. Por deri në paraqitjen e VKM-ve specifike për këto zona, ligji i miratuar “Për Zonat e Mbrojtura” mbetet në fuqi.

Një pikë e debatueshme ishte edhe raporti financiar që duhej të shoqëronte projektligjin. Neni 82 i Kushtetutës kërkon që çdo ligj që sjell shpenzime ose ndryshime në të ardhura të ketë një raport të tillë.

Por edhe këtu gjyqtarët nuk ishin të njëzëshëm: disa argumentuan se krijimi i Zyrave të Administrimit të Parqeve Kombëtare nuk sjell shpenzime shtesë, ndërsa të tjerë theksuan se bëhet fjalë për struktura të reja, që krijojnë detyrime të reja financiare për buxhetin e shtetit.

Gjykata rrëzoi gjithashtu pretendimet për cenimin e barazisë përpara ligjit dhe shkeljen e hierarkisë së akteve normative, duke theksuar se mungonin argumente kushtetuese. 

Sa i përket një prej pikave kyçe të opozitës, mospërputhja me Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit dhe të drejtën evropiane (acquis communautaire), gjykata nuk arriti shumicën e nevojshme për një vendim përfundimtar. Qëndrimet e gjyqtarëve u ndanë, për rrjedhojë, për sa kohë nuk u arrit numri i kërkuar prej 5 gjyqtarësh për vendimmarrje, bazuar në nenin 73, pika 4, të ligjit nr. 8577/2000, ky pretendim konsiderohet i rrëzuar.

Konkretisht, sipas njërit qëndrim, MSA-ja është një marrëveshje ndërkombëtare që synon një proces për t’u ndërmarrë nga shteti shqiptar, që i përcakton direktivat si bazë dhe referencë për përafrim të legjislacionit, por pa i bërë ato instrumente me forcë detyruese dhe pjesë të së drejtës së brendshme në kuptimin kushtetues dhe për këtë shkak kontrolli kushtetues, sipas nenit 122 të Kushtetutës, shtrihet vetëm për pajtueshmërinë e ligjit objekt shqyrtimi me nenin 108 të MSA-së.

Sipas qëndrimit tjetër, neni 108 i MSA-së nuk mund të shihet i shkëputur nga acquis communautaire pasi ndryshe do të mbetej pa substancë.

Gjykata vëren se MSA-ja synon bashkëpunimin në luftën kundër degradimit të mjedisit, duke përcaktuar një proces përafrimi legjislativ pa vendosur detyrime konkrete të zbatueshme. Pavarësisht se në dukje ligji objekt kërkese liberalizon politikat shtetërore në administrimin e zonave të mbrojtura, ai, në thelb, përbën një ligj kuadër, i cili nuk është i vetë-zbatueshëm dhe në vetvete nuk sjell pasoja dhe, për rrjedhojë, nuk cenon detyrimet ndërkombëtare për mbrojtjen e mjedisit sipas MSA-së.

Gjykata shqyrtoi në themel pretendimet që lidhen me procedurën parlamentare (që kanë të bëjnë me raportin shoqërues të projektligjit dhe konsultimin publik), sipas neneve 82 dhe 56 të Kushtetutës, dhe pretendimet që lidhen me përmbajtjen e ligjit në drejtim të pajtueshmërisë me marrëveshjet ndërkombëtare të detyrueshme për zbatim dhe respektimit të identitetit kombëtar e trashëgimisë natyrore, sipas nenit 122 dhe Preambulës së Kushtetutës.

Për pretendimin për cenimin e nenit 82 të Kushtetutës në lidhje me raportin shoqërues të projektligjit që përligj shpenzimet financiare për zbatimin e tij, qëndrimet e gjyqtarëve u ndanë në dy drejtime, për rrjedhojë nuk u arrit numri i kërkuar prej 5 gjyqtarësh për vendimmarrje, bazuar në nenin 73, pika 4, të ligjit nr. 8577/2000. Në këto kushte ky pretendim u rrëzua.

Sipas Gjykatës, ligji i miratuar është një ligj kuadër, i cili nuk sjell pasoja të drejtpërdrejta, dhe për këtë arsye, nuk mund të konsiderohet në kundërshtim me detyrimet ndërkombëtare. Efektet konkrete do të vlerësohen në momentin që do të nxirren aktet nënligjore (VKM-të), të cilat do të përcaktojnë detajet e zbatimit në çdo zonë.

Gjithashtu, u argumentua se konventat ndërkombëtare janë të gjera dhe nuk ofrojnë një kornizë konkrete të zbatueshme për të rrëzuar ligjin në këtë fazë.

Ndonëse debati gjyqësor u nda në raportin katër me katër për disa nga pretendimet, gjykata rrëzoi shumicën e tyre, për mungesë argumentimi të bazuar në një analizë kushtetuese ose për shkak se gjyqtarët nuk arrinin shumicën e nevojshme prej pesë votash.

Kështu, referuar vendimit, pretendimet për lirinë e kërkimit shkencor dhe të sigurisë juridike në lidhje me komunitetin, janë pretendime të reja, të paraqitura pas hapjes së shqyrtimit gjyqësor. Si të tilla, ato nuk u morën për bazë.

Përsa i përket parimit të barazisë përpara ligjit, parimeve të shtetit të së drejtës dhe të hierarkisë së akteve normative, gjykata e vlerësoi si të pamjaftueshëm si kriter, si pasojë e mungesës së argumenteve kushtetuese.

Gjykata që rrënon të ardhmen

Thirrja e ambjentalistëve për mbrojtjen e mjedisit
Credits: LSA – Thirrja e ambjentalistëve për mbrojtjen e mjedisit

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese mbylli një kapitull ligjor, por nuk i dha fund betejës politike, morale dhe qytetare për zonat e mbrojtura në Shqipëri. Çështja tashmë është e destinuar të vazhdojë në gjykatat evropiane, në opinionin publik dhe në ndërgjegjen e brezit të sotëm për atë që do t’i lërë brezit të ardhshëm. Turizëm apo betonizim? Zhvillim apo shkatërrim?

Gjykata Kushtetuese sipas avokates Irene Dule zgjodhi të mos mbrojë thesaret natyrore të Shqipërisë.

“Sot Gjykata Kushtetuese zgjodhi se në cilën anë të historisë do të pozicionohet, shumica vendosi të mos mbrojë thesaret natyrore të Shqipërisë. Për mua dhe kolegët e mi, përfaqësues të çështjes, ky është një vendim zhgënjyes, sepse argumentet ligjore ishin të forta, përfaqësimi i sinqertë dhe dinjitoz dhe se mjedisi ynë meriton mbrojtje kushtetuese, por të paktën mbetemi të qetë në ndërgjegje sepse bëmë gjithçka që ishte e mundur që brezat e ardhshëm ta trashëgojnë tokën shqiptare po aq të bukur sa e gjetëm ne” – tha për “shteg.org” Irene Dule.

Avokatja e quajti vendimin “zhgënjyes” dhe paralajmëroi se betejat për mbrojtjen e natyrës shqiptare nuk do të ndalen këtu.

Nga ana tjetër, deputetja Ina Zhupa akuzoi gjykatën për mungesë guximi dhe për përdorimin e barazisë 4 me 4 si “dredhi për të mos vendosur”.

Ajo paralajmëroi se çështja do të shkojë në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut në Strasburg, duke kujtuar edhe precedentë të mëparshëm si rasti Marini kundër Shqipërisë, ku u konsiderua se ndarja e barabartë e votave cenon të drejtën për një vendim të qartë dhe përfundimtar.

“Nga sot nuk kemi më zona të mbrojtura,” – deklaroi Zhupa, duke falënderuar organizatat mjedisore dhe avokatët për përfaqësimin dinjitoz.

Ekspertë të mjedisit dhe të së drejtës publike kanë ngritur shqetësime se ligji rrezikon të krijojë precedent negativ, pasi lejon ndërtime brenda zonave të mbrojtura përpara se të jetë kryer një analizë e thelluar mjedisore.

Mazhoranca socialiste miratoi ligjin që lejon ndërtimet për arsye ekonomike dhe turistike brenda Zonave të Mbrojtura, duke anashkaluar konsultimin publik dhe duke injoruar kundërshtimet e shoqërisë civile dhe Bashkimit Evropian.

Shoqëria civile argumentonte se mungesa e konsultimit dhe e analizës së impaktit të ligjit krijon hapësira të mëdha për korrupsion dhe se “legjitimon grabitjen e pasurive natyrore”.

Ligji “Për Zonat e Mbrojtura”,  u miratua në shkurt të vitit të kaluar me 74 vota pro të mazhorancës.

Varianti që u miratua ndryshon thelbësisht nga  versionin fillestar i tij i propozuar nga disa deputetë, për të cilin u zhvilluan dëgjesa publike, por në versionin përfundimtar të ardhur nga qeveria, dhe të miratuar pa konsultim, lejohet ndërtimi i strukturave të mëdha turistike brenda zonave të mbrojtura, si dhe kalimi i vendimmarrjes në Këshillin Kombëtar të Territorit, një organ që nuk ka detyrim ligjor për të kryer konsultim publik.

Ndërsa qeveria e ka konsideruar ligjin si një fitore për zhvillimin ekonomik dhe promovimin e turizmit të qëndrueshëm, kundërshtarët e ligjit paralajmërojnë se beteja ligjore dhe qytetare për mbrojtjen e zonave të mbrojtura sapo ka nisur.

Sytë tani janë nga aktet nënligjore dhe nga reagimi i institucioneve evropiane.

Desada Sadiku
+ posts

Gazetare me përvojë në raportimin e kronikës së zezë dhe çështjeve politike në Shqipëri.
Gjithashtu, ajo ka qenë pjesë e “Investigative Journalism Lab” pranë “Albanian Center for Quality Journalism” (ACQJ).
Në SHBA ka marrë leksione të gazetarisë investigative në Kolegjin e Bostonit.

Desada ka përfunduar studimet në “Media Leadership and Management” dhe “Political Journalism” dhe ka qenë e angazhuar në projekte dhe internship-e që fokusohen në gazetarinë cilësore dhe hetimore.