Gjykata e Apelit Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar vendosi të lerë në fuqi vendimin për dënimin me burgim të përjetshëm të Laert Haxhiut, i dyshuar si autor i “masakrës së Lushnjes”. Vendimi i dha në prezëncë të prokurorit të çështjes, Altin Dumani, ndërsa vetë i pandehuri nuk u paraqit në gjykatë duke u përfaqësuar nga avokati i tij mbrojtës.
Laert Haxhiu u dënua nga Gjykata e Shkallës së Parë me burgim të përjetshëm, pasi akuzohet për “masakrën e Lushnjës”, e cila përfundoi me vrasjen e Zamir Latifit, të Jurgen Hoxhës, si dhe me plagosjen e Marjus Xhepexhiut dhe Bujar Turkut.
Haxhiu u gjet fajtor edhe për kryerjen e një sërë veprash të tjera penale si ,“Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale ose grupi i strukturuar kriminal”, “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Prishja e qetësisë publike”.
Avokati i Haxhiut, deklaroi se klienti i tij është pafajshëm, dhe për këtë arsye kërkoi prishjen e vendimit të shkallës së parë dhe dërgimin e çështjes për rigjykim me një trup gjykues tjetër.
“I kërkoj Gjykatës të vlerësojë me objektivitet ankimin tonë, duke bërë të mundur zbardhjen e të vërtetës. I kërkojmë gjykatës ndryshimin e vendimit të GJKKO-së për shpalljen fajtor të Laert Haxhiut. Kërkojmë deklarimin e pafajësisë për Laert Haxhiun. Kërkojmë prishjen e vendimit të shkallës së parë dhe dërgimin e çështjes në të njëjtën gjykatë me një trup gjykues tjetër.” – tha avokati Detar Hysi në seancën gjyqësore.
Nga ana tjetër, prokurori Altin Dumani e cilësoi vendimin e dënimit me burgim të përjetshëm nga Shkalla e Parë si të drejtë dhe kërkoi që të mbahet në fuqi. “Vendimi i Shkallës së Parë është i drejtë dhe duhet të mbetet në fuqi. Janë trajtuar si provat e prokurorisë, ashtu edhe provat e paraqitura nga mbrojtja. Sa i takon zbatimit të ligjit, ne gjykojmë se është vendim i drejtë.” – tha, prokurori Dumani.
Gjykata e Apelit Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar e konsideroi të drejtë vendimin e shkallës së parë, duke lënë në fuqi dënimin e Haxhiut me burgim të përjetshëm.
Gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri”- RRKOKSH.
Studente në fakultetin e historisë dhe filologjisë, Universiteti i Tiranës.