Burgim i përjetshëm për autorët e vrasjes së komisar, Artan Cukut

Pas arrestimit të një krimineli të rrezikshëm në vitin 2012, një plan hakmarrjeje nisi të ngrihet në heshtje ndaj ish drejtuesit të lartë të Policisë së Shtetit. Pesë vite më vonë, Artan Cuku u vra me breshëri plumbash në hyrje të banesës. Prokuroria kërkon burgim të përjetshëm për dy personat që bashkëpunuan në vrasjen e tij, një atentat i menduar, i paguar dhe i kryer nga tre burra të lidhur nga gjaku, interesi dhe hakmarrja.

194
Komisar, Artan Cuku
Credits: LSA

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm në Tiranë ka kërkuar dënimin me burgim të përjetshëm për dy shtetas të akuzuar për vrasjen e ish-drejtorit të Policisë së Vlorës, Artan Cuku.

Bledar Jambelli (i njohur me aliasin Rikardo Muho) dhe Kristaq Leci, janë identifikuar si autorët e vrasjes të ish- drejtuesit të lartë të Policisë së Shtetit, ngjarje kjo e ndodhur më më 8 prill të vitit 2017.

Sipas Prokurorisë, vrasja ishte e paramenduar, e organizuar në bashkëpunim, dhe e shtyrë nga motive hakmarrjeje personale dhe përfitimi material. Në njoftimin zyrtar, theksohet se vepra përmbush të gjitha kriteret ligjore për t’u konsideruar si “vrasje e punonjësit të Policisë së Shtetit”, parashikuar nga nenet 79/b dhe 25 të Kodit Penal.

Hakmarrja që vrau drejtësinë

Ceremonia e titulllit ‘Dëshmor i Atdheut’
Credits: LSA – Ceremonia e titulllit ‘Dëshmor i Atdheut’

Gjithçka nisi në vitin 2012, kur Drejtoria e Policisë së Vlorës, në atë kohë nën drejtimin e Artan Cukut, arrestoi dhe nisi hetimet për Bledar Jambellin, një individ me precedentë të theksuar penal dhe i konsideruar me rrezikshmëri të lartë shoqërore.

Jambelli akuzohej për përfshirje në organizatë kriminale dhe vrasjen e dy personave, Shpëtim Muka dhe Ervin Shehu, ngjarje këto të ndodhura në nëntor të vitit 2006.

Megjithëse arrestimi u bë pas një hetimi të gjatë dhe kompleks, Jambelli doli i pafajshëm gjatë procesit gjyqësor dhe u lirua nga akuzat.

“Pikërisht për këtë shkak, në vitin 2017 shtetasi B.J. në shenjë hakmarrjeje përgatiti vrasjen e ish-Drejtorit Policisë Vlorë” – thuhet në njoftimin e Prokurorisë sipas të cilës ndjenja e poshtërimit dhe hakmarrjes ndaj njeriut që urdhëroi arrestimin e tij ishte dhe motivi i vrasjes së drejtuesit të lartë të Policisë së Shtetit, Artan Cukut.

Hetimet zbuluan se në vitin 2017, Jambelli nisi të përgatiste planin për të ekzekutuar ish oficerin e lartë, që aso kohe me ardhjen e socialistëve në pushtet e kishin “pezulluar” nga detyra.

Artan Cuku i ishte kthyer jetës civile ndërkohë që ata që dikur ai i kishte vendosur në duart e dritësisë thurnin plane për ekzekutimin e tij.

Brukuroria e Tiranë sqaron se Jambelli lidhi një marrëveshje me Kristaq Lecin, bashkëpunëtor dhe i njohur i tij, dhe për të përmbyllur skemën kriminale. Së bashku kontaktuan një të ri nga Elbasani, Mikel Shallarin, për të kryer ekzekutimin.

Shallarit iu premtuan 20.000 euro dhe një biletë për një jetë të re në Gjermani, nëse do të kryente vrasjen. Për t’i siguruar mjetet e krimit, Leci e pajisi me dy armë zjarri, njëra pistoletë Zastava dhe tjetra Glock me silenciator.

Leci mori përsipër vëzhgimin e viktimës dhe ndihmoi në organizimin e atentatit.

Më 8 prill 2017, Mikel Shallari qëlloi të paktën tetë herë mbi Artan Cukun, duke e lënë të vdekur në vend, në hyrje të pallatit ku banonte në Tiranë.

Fillimisht, policia arrestoi si autorë të dyshuar të vrasjes së ish oficerit të lartë të policisë, Mikel Shallarin, i cili bashkëpunoi me drejtësinë, duke treguar të gjithë grupin, rolet përkatëse dhe motivin e vrasjes së ish-Drejtorit të Policisë së Vlorës.

Shallari u dënua me 10 vite burg në kuadër të marrëveshjes me prokurorinë, pas pranimit të fajësisë dhe sipas prokurorisë, Bledar Jambelli, ishte organizatori dhe porositësi i vrasjes për motive hakmarrje personale, ndërsa Kristaq Leci, si ndihmësi dhe furnizuesi me armë, ishte përfshirë në ngjarje për të ndihmuar kushëririn e tij.

Pas përfundimit të hetimeve në dosjen penale nr. 139/2017, Prokuroria e Tiranës deklaroi se janë provuar përtej çdo dyshimi të arsyeshëm rolet, motivet dhe qëllimet e secilit nga të pandehurit. Si rrjedhojë, kërkoi burgim të përjetshëm për Bledar Jambellin dhe Kristaq Lecin, për veprën penale “Vrasje e punonjësve të Policisë së Shtetit”.

Dy vite pas vrasjes së tij, Artan Cukut i është dhënë titulli ‘Dëshmor i Atdheut’.

Me një karriere 16 vjeçare në Policinë e Shtetit, Artan Cuku ka mbajtur poste të rëndësishme drejtuese por dhe pse ishte një oficer karriere ai u lirua nga policia në qershor të vitit 2013.

Cuku ka qenë më herët zv. Drejtor në Policinë e Tiranës para se të emërohej Drejtor në Vlorë, ndërsa ka punuar edhe si shef krimesh në Tiranë, Shkodër e Fier.

Sabina Nika
Gazetare |  + posts

Gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri”- RRKOKSH.
Studente në fakultetin e historisë dhe filologjisë, Universiteti i Tiranës.