Një ngjarje e pazakontë rrugore ka tronditur Tiranën mbrëmjen e 13 majit, kur në kryqëzimin pranë “Pallatit me Shigjeta”, një aksident i dukshëm me katër automjete u shndërrua në një skenë ndjekjeje dhe dhune të organizuar. Megjithëse në pamje të parë ngjarja ngjante me një përplasje të zakonshme, hetimet zbulojnë se ajo ishte një tentativë për sulm të drejtpërdrejtë ndaj një personi me të kaluar kriminale.
Ngjarja ndodhi rreth orës 23:30, kur një makinë tip BMW me targa britanike CF68AEA përplasi me qëllim një Benz me targa AB090FA, duke shkaktuar një aksident zinxhir me dy automjete të tjera të ndaluara në semafor.
Por pas ndërhyrjes së grupit hetimor dhe intervistimit të dëshmitarëve, doli se aksidenti ishte në fakt një ndjekje me motive hakmarrjeje midis drejtuesit të BMW-së, Zenel Torofini, 35 vjeç, dhe Eduart Koboçit, 28 vjeç, i cili drejtonte Benz-in.
Sipas njërit prej drejtuesve të mjeteve të përfshira, pas përplasjes dolën dy persona me leva hekuri nga BMW-ja dhe iu drejtuan agresivisht makinës së Koboçit. Ky i fundit, bashkë me një tjetër person, braktisën makinën dhe u larguan me vrap, ndërsa agresorët nisën ndjekjen e tyre.
“Isha i ndalur në semafor dhe u përplasa nga mbrapa. Më pas pashë 2 djem me leva hekuri që dolën nga makina tip BMW dhe iu drejtuan Benzit. Nga ky automjet dolën dy persona të tjerë dhe u larguan me vrap. Djemtë nga BMW u vunë në ndjekje të tyre”, – tha për shteg.org një prej drejtuesve të makinave që u përfshi rastësisht në aksident.
Gjatë kontrollit të mjetit të ndjekësve, policia gjeti leve hekuri në pozicionin e shoferit, ndërsa në makinën e Koboçit u gjet një predhë arme zjarri, çka lë të kuptohet se në vendngjarje është përdorur armë, edhe pse gëzhoja mungon.
“Punohet për kapjen e dy shtetasve të shpallur në kërkim dhe për dokumentimin e plotë të ngjarjes”, bëri me dije policia rreth 10 orë pas incidentit.
Ndërsa policia zyrtarisht pranon vetëm dy persona të përfshirë, dëshmitarët flasin për katër, çka ngre dyshime mbi shkallën reale të organizimit të këtij sulmi të mundshëm.
Eduart Koboçi, viktima e ndjekjes, nuk është i panjohur për policinë. Ai është arrestuar në 2016 për armëmbajtje pa leje dhe mjete të rrezikshme, ndërsa ka një dënim të vuajtur edhe në Spanjë.
Ngjarja po hetohet për të përcaktuar nëse bëhet fjalë për një përplasje rrugore të dhunshme, një tentativë për atentat, apo pjesë e ndonjë konflikti të vjetër kriminal. Ajo që mbetet e qartë, është se siguria rrugore dhe ajo publike janë gjithnjë e më të rrezikuara, kur aktet e dhunës ndodhin në semaforë të mbipopulluar të kryeqytetit dhe me mjete të regjistruara jashtë vendit.
Gazetar dhe bashkëpunëtor në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri” - RRKOKSH.
Ka mbaruar studimet në fakultetin e historisë dhe filologjisë, Universiteti i Tiranës.