Dënime me burg për pronarët fiktiv të “Call Center”-ave

Jusel Mici dhe Mendim Domi, të konsideruar si "pronarë fasadë" të kompanive të krijuara nga shtetas italianë, u dënuan nga GJKKO për mashtrim kompjuterik, pastrim parash dhe pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal.

252
Qendra “Call Center”
Credits: shteg.org

Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka shpallur vendimin përfundimtar ndaj Jusel Micit dhe Mendim Domit, dy të rinj të akuzuar për përfshirje në një skemë kriminale që mashtronte qytetarë të huaj përmes “call center”-ave fiktivë dhe investimesh të rreme në kriptovaluta.

GJKKO i gjeti fajtorë për veprat penale: “mashtrim kompjuterik”, “grup i strukturuar kriminal”, “pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” dhe “fshehje e të ardhurave”.

Jusel Mici u dënua me 12 vite burg, por me përfitimin nga gjykimi i shkurtuar, sipas nenit 406 të Kodit të Procedurës Penale, dënimi iu ul me një të tretën, duke u konvertuar në 8 vite burg efektiv.

Ndërsa Mendim Domi, i cili rezulton me disa dënime të bashkuara, u dënua me gjithsej 11 vite burgim. Edhe për të u aplikua e njëjta masë lehtësuese, duke rezultuar në një dënim përfundimtar prej 7 vitesh e 4 muaj burg. Të dy të dënuarit do ta vuajnë masën në një burg të sigurisë së lartë.

Jusel Mici dhe Mendim Domi, ishin vetëm 25 vjeç kur në verën e vitit 2018 vendosën të shesin për vetëm 100 lekë kompaninë e tyre “VibeMedia” një shtetasi italian, Maurizio Giacalone, një sipërmarrës në fushën e “call center”-ave. Pas kësaj shitjeje simbolike, dy të rinjtë krijojnë edhe tetë kompani të tjera, me objekt të njëjtë veprimtarie.

Hetimet e Prokurorisë, të nisura në vitin 2023, zbuluan një rrjet të mirëorganizuar me të paktën 24 kompani të krijuara në Shqipëri, që mashtronin qytetarë të vendeve të BE-së. Pasi i bindnin viktimat të investonin në platformat e rreme financiare online, grupi ndërpriste çdo kontakt me ta.

Sipas hetimeve, përfituesit kryesorë të kësaj skeme ishin Maurizio Giacalone dhe të paktën shtatë italianë të tjerë, shumica me origjinë nga Palermo.

Të ardhurat nga mashtrimi qarkullonin përmes kompanive fiktive dhe më pas nxirreshin në cash nga administratorët shqiptarë, përfshirë Micin dhe Domin. Totali i xhiros së vlerësuar arrinte në 5.8 milionë euro, ndërkohë që asnjë prej kompanive nuk kishte bërë deklarim tatimor të rregullt.

Megjithëse dyshohet për përfitime milionëshe, pasuria e deklaruar e Micit dhe Domit është minimale, një banesë në proces legalizimi në Vorë, dy apartamente familjare në Tiranë dhe dy automjete të përdorura.

Përsa u përket pronave Gjykata e Posaçme vendosi konfiskimin e tre apartamenteve dhe e tetë tijtuj pronësie të llojit arë. Listës së konfisimit i shtohen dhe tre llogari bankare të Mendim Donit, ku llogaria e parë përmbante shumën prej 195,763.24 euro, ndërsa dy të tjerat shumë në total 946,173 lekë, të regjistruara në Union Bank.

Në dëshminë e tij të mëparshme, Jusel Mici ka deklaruar se nuk ka përfituar asgjë nga aktiviteti dhe se të gjitha paratë i dorëzonte shtetasve italianë në Tiranë. Njëri prej tyre, i identifikuar si “Salvatores” apo “Ekonomisti”, konsiderohet si një nga organizatorët kryesorë, tashmë i dënuar në mungesë me 5 vite burg.

Çështja Mici-Domi është vetëm një nga rastet që nxjerr në pah problematikën e “call center”-ave kriminalë në Shqipëri. Sipas të dhënave zyrtare, që nga viti 2021 janë zhvilluar mbi 10 operacione policore kundër mashtrimeve të tilla, ku janë proceduar më shumë se 170 persona, përfshirë administratorë, operatorë dhe teknikë informatikë.

iPhone 152x152 1
[email protected] | Website |  + posts

RRKOKSH (Rrjeti për Raportimin e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri), organizata juaj kryesore mediatike investigative e angazhuar për të hedhur dritë mbi krimin e organizuar dhe korrupsionin në të gjithë Shqipërinë. Nëpërmjet platformës sonë online në shteg.org, ne ofrojmë një gazetari të plotë dhe me ndikim që synon jo vetëm të informojë, por edhe të nxisë ndryshimet shoqërore.