Gjykata e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar shpalli më 23 korrik 2025 vendimin për një nga çështjet kryesore që lidhen me shkeljet në tenderët publikë të zhvilluar vite më parë në Autoritetin Rrugor Shqiptar (ARRSH).
Në bankën e të pandehurve u gjendën dhjetë ish-zyrtarë dhe punonjës publikë, përfshirë emra të njohur si Sonila Qato, ish-drejtoreshë e Agjencisë së Prokurimeve Publike, dhe Miranda Shkurti, ish-drejtoreshë e Agjencisë së Trajtimit të Pronës.
Në kërkesën e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, të parashtruar pranë Gjykatës, thuhej se të pandehurit ishin hetuar për veprat penale “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tender apo ankande publike” dhe “Falsifikim dokumentesh”.
ARRSH ngriti grup pune në vitin 2019 për të verifikuar punimet e kryera nga kompania “Gjoka” në tunelet e rrugës së Arbërit, që i ishin dhënë me koncesion nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë. Kontrolli erdhi pasi kjo shoqëri garoi për tenderin 19 milionë euro në rrugën Kardhiq – Delvinë, duke pretenduar se ishte skualifikuar me të padrejtë.
Sipas SPAK, ARRSH ka iniciuar një hetim administrativ për zbatimin e kontratës koncesionare të rrugës së Arbrit, duke prodhuar të dhëna të rreme për të argumentuar skualifikim e kompanisë “Gjoka” nga tenderi. Prokuroria i akuzon anëtarët e grupit të punës për “Falsifikim të dokumenteve”, me argumentin se kanë përgatitur në të njëjtën ditë dy raporte që ndryshojnë nga përmbajtja.
Hetimet zbuluan se gjatë periudhës përkatëse, në procedurat e tenderëve të organizuara nga ARRSH, “kishin favorizuar në mënyrë të paligjshme disa operatorë ekonomikë, duke cenuar konkurrencën dhe duke i shkaktuar dëm interesit publik”.
“Të pandehurit, në cilësinë e tyre si funksionarë publikë, kanë cenuar rëndë parimin e barazisë në procedurat e prokurimit publik, duke favorizuar në mënyrë të paligjshme operatorë të caktuar ekonomikë në tenderat e organizuar nga Autoriteti Rrugor Shqiptar.”- thuhet në dosjen hetimore.
Procesi hetimor përfshiu analizën e dokumenteve të tenderëve, dëshmitë e dëshmitarëve dhe ekspertizën teknike mbi dokumentacionin përkatës.
Gjykata u bazua në provat materiale dhe dëshmitë e administruara gjatë gjykimit, ku u evidentua se të pandehurit kishin “krijuar kushtet për mungesë transparence në procesin e prokurimit”, duke “shpërfillur kriteret objektive të përzgjedhjes së ofertave”.
Në disa raste, dokumentacioni i paraqitur në procedurat e tenderimit përmbante “elementë të falsifikuar”, me qëllim “manipulimin e rezultateve dhe përfitimin e padrejtë”.
Hetimet përfshinë shqyrtimin e dokumenteve zyrtare, dëshmitë e dëshmitarëve dhe ekspertizave teknike mbi dokumentacionin e tenderëve.
Gjykata në vendimin e saj thekson se “nga analiza e plotë e provave, ka rezultuar se veprimet e disa prej të pandehurve kanë cenuar rëndë parimin e barazisë në konkurrencë”.
Sipas vendimit të Gjykatës, Sonila Qato, Erdit Salillari dhe Simon Prendi, u shpallën fajtorë pasi gjatë procesit u vërtetua kryerja e veprës penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”. Ndaj drejtuesve të lartë të autoritetit rrugor, trupi gjykues i përbërë nga gjyqtarët Irena Gjoka, Erjon Çela dhe Rudina Palloj vendosi dënimit e tyre me 6 muaj burgim, por dënimi u pezullua, duke u zëvendësuar me detyrën për të kryer 60 orë punë në interes publik brenda 6 muajve, si dhe heqjen e së drejtës për të ushtruar funksione publike për një vit.
Gjykata thekson në vendim se “veprimet e kryera nga të pandehurit e dënuar kanë cenuar thelbësisht barazinë e pjesëmarrësve në procedurat e prokurimit, duke krijuar një avantazh të padrejtë në favor të subjekteve të caktuara, duke shkelur parimin e konkurrencës së lirë dhe të barazisë sipas ligjit”.
Gjykata thekson në vendim se, “në bazë të nenit 388, pika 1, gërma ‘b’ të Kodit të Procedurës Penale, disa nga faktet e ngritura në aktakuzë nuk përbëjnë vepër penale”. Ky arsyetim u përdor për lirimin e disa prej të pandehurve.
Nisur nga ky arsyetim, Simon Prendi u shpall i pafajshëm për akuzën e “Falsifikimit të dokumenteve”, ndërsa për këtë vepër gjykata deklaroi se “fakti nuk përbën vepër penale”.
Të pandehurit e tjerë si Miranda Shkurti, Nikollaq Mihali, Admir Pahumi, Arbër Troka, Almir Hoxhaj dhe Arjana Hasani u liruan nga të gjitha akuzat për shkelje të barazisë në tendera dhe falsifikim dokumentesh, pasi “nuk u gjetën prova të mjaftueshme për të konfirmuar përfshirjen e tyre në veprimet penale”.
Gjykata gjithashtu vendosi që shpenzimet procedurale dhe ato gjyqësore të ngarkohen “solidarisht ndaj të pandehurve të shpallur fajtorë”, duke iu kërkuar atyre të mbulojnë kostot financiare të hetimeve dhe procesit gjyqësor.
Hetimi ndaj Qatos dhe dhe vartësve të saj është iniciuar pas kallëzimeve të bëra nga Kontrolli i Lartë i Shtetit dhe një prej kompanive pjesëmarrëse në tender.
Ngjarja ka rrënjë në vitin 2019, kur Qato, në krye të ARRSH-së, u përfshi në një përplasje publike me kompaninë “Gjoka Konstruksion”, një prej ofertuesve në tenderin e tunelit të Kardhiq-Delvinës. ARRSH, nën drejtimin e saj, akuzoi kompaninë për falsifikim dokumentesh në dokumentacionin e dorëzuar për tenderin. Kompania reagoi ashpër, duke pretenduar se ishte skualifikuar padrejtësisht dhe akuzoi Qaton për favorizimin e një tjetër subjekti konkurrues.
Përplasja solli pezullimin e tenderit për afro një vit. Në korrik 2020, kompania “Gjoka Konstruksion” u shpall fituese e kontratës, ndërsa ndërtimi i rrugës përfundoi në qershor 2022.
Qato dha dorëheqjen nga posti i saj në ARRSH në shtator 2019, pak muaj pas nisjes së konfliktit me kompaninë private.
RRKOKSH (Rrjeti për Raportimin e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri), organizata juaj kryesore mediatike investigative e angazhuar për të hedhur dritë mbi krimin e organizuar dhe korrupsionin në të gjithë Shqipërinë. Nëpërmjet platformës sonë online në shteg.org, ne ofrojmë një gazetari të plotë dhe me ndikim që synon jo vetëm të informojë, por edhe të nxisë ndryshimet shoqërore.