Dënimi i dytë brenda muajit për ish-kryebashkiakun e Himarës

Jorgo Goro dënohet me rreth 3 vite e 5 muaj për favorizime në tjetërsimin e tokave në jug të Shqipërisë për 2 raste të shpërdorimit të detyrës.

37
Ish-kryebashkiaku Himarës, Jorgo Goro
Credits: shteg.org - Ish-kryebashkiaku Himarës, Jorgo Goro

Pas pretencës së paraqitur nga SPAK përpara 2 javëve, Gjykata e Posaçme vendos të pranojë kërkesën e Prokurorisë së Posaçme duke dënuar ish-kryebashkiakun e Himarës me 2 vite burg.

“Shpërdorim detyre” është akuza ndaj ish-kryetarit të Bashkisë Himarë, vepër e kryer në mënyrë të përsëritur, për tjetërsimin e një prone në plazhin e Livadhit, por për shkak të gjykimit të shkurtuar Goro do të vuajë burgimin për 1 vit e 4 muaj.

Masë plotësuese ndaj tij është dhënë heqja e të drejtës për të mbajtur funksione publike për 5 vite.

I pandehur në këtë gjykim ishte dhe Vasillaq Strakosha, ish-drejtor i Menaxhimit të Pronave në Bashkinë e Himarës për të cilin gjykata dha 1 vit e 6 muaj burg. Për shkak të gjykimit të shkurtuar do të vuante vetëm 1 vit heqje lirie.

Përfundimisht Gjykata e Posaçme vendosi që dënimi ndaj tij të pezullohet duke u konvertuar në 2 vite shërbim prove. Po ashtu, Vasillaq Strakoshës i hiqet e drejta për të mbajtur funksione publike për 5 vite.

Hetimet për këtë rast nisën pas kallëzimit të Fredi Belerit, i cili akuzon se në vitin 2016, Goro ka tjetërsuar një sipërfaqe prej 4,263 metra katrorë tokë, duke e kaluar në mënyrë të paligjshme në pronësi të Arqile Bollanos.

Kjo nuk është çështja e vetme penale ndaj Jorgo Goros. Që prej marsit 2024, ai ndodhet në burg, pasi akuzohet se në bashkëpunim me vartës të tij dhe zyrtarë të Kadastrës, ka falsifikuar dokumente për të kaluar sipërfaqe të konsiderueshme të tokës shtetërore në pronësi të privatëve.

Sipas SPAK, këto prona përfunduan në zotërim të një shoqërie të lidhur me Artan Gaçin, bashkëshorti i deputetes socialiste Olta Xhaçka, i cili ka përfituar më pas statusin e investitorit strategjik.

Ndërkohë, Apeli i Posaçëm la në fuqi në 21 korrik 2025 vendimin e shkallës së parë për ish-kryebashkiakun e Himarës Jorgo Goro, duke e dënuar me 3 vite e 1 muaj burg, për çështjen e tjetërsimit të 10 mijë metra katrorë tokë në Gjilekë të Himarës. Për shkak të gjykimit të shkurtuar, Goro do të vuajë 2 vite e 20 ditë burg.

Goro u dënua për veprën penale “shpërdorim detyre” në dy raste dhe mosdeklarim pasurie.

Hetimet treguan se Goro përcolli pranë organeve kompetente dokumente të falsifikuara duke bërë të mundur regjistrimin e një toke bujqësore si pronë shteti, në favor të Stavro Mëhillit, person në kërkim. Pas kësaj procedure, toka u shit te një shoqëri private me përfaqësues ish-deputetin Artan Gaçin, bashkëshorten e Olta Xhaçkës.

Në total përllogaritet rreth 10 mijë m2 tokë e tjetërsuar në 2 sipërfaqe të ndryshme, për të cilën GJKKO ka vendosur që të konfiskohet për llogari të shtetit.

Sabina Nika
Gazetare |  + posts

Gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri”- RRKOKSH.
Studente në fakultetin e historisë dhe filologjisë, Universiteti i Tiranës.