Denis Brajoviq ekstradohet nga Dubai dhe lihet në burg nga GJKKO

I arrestuar në Dubai pas muajsh arratie, 37-vjeçari akuzohet për vrasje me porosi, pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal dhe komunikime të koduara në SKY ECC. Vrasja e Gjin Ndojit dyshohet se ishte pjesë e një “kleringu” kriminal mes bandave.

57
Ekstradimi i Denis Brajoviq
Credits: Policia e Shtetit - Ekstradimi i Denis Brajoviq

Në orët e para të 23 korrikut 2024, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vendosi masën e sigurisë “arrest me burg” për Denis Brajoviq, një emër i njohur për drejtësinë shqiptare, i shpallur në kërkim ndërkombëtar për vrasje me paramendim, pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal dhe armëmbajtje pa leje.

Pas muajsh në arrati, 37-vjeçari u ekstradua nga Emiratet e Bashkuara Arabe drejt Shqipërisë. Autoritetet shqiptare e konsiderojnë atë një individ me rrezikshmëri të lartë shoqërore, i dyshuar si një nga ekzekutorët e përfshirë në krime me karakter mafioz në territorin shqiptar.

Sipas një njoftimi zyrtar të Policisë së Shtetit, ekstradimi u bë i mundur falë bashkëpunimit mes Interpol Tiranës dhe Interpol Abu Dhabi. Brajoviq ishte arrestuar më 27 shkurt në Dubai dhe ndaj tij ishte caktuar masa e sigurisë “arrest në burg” nga GJKKO për një sërë veprash penale të rënda.

“Ky shtetas ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar për veprat penale: ‘Vrasja me paramendim’, ‘Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municioneve’, ‘Grup i strukturuar kriminal’, ‘Sigurimi i kushteve për të kryer vrasje’, etj., të kryera në formë bashkëpunimi nga grupi i strukturuar kriminal,” thuhet në deklaratën e Policisë së Shtetit.

Hetimet ndaj Brajoviq janë zhvilluar në kuadër të operacionit “Metamorfoza”, që zbardhi përmes aplikacionit të enkriptuar SKY ECC komunikimet e brendshme të disa prej grupeve më të fuqishme kriminale në Ballkan.

Urdhëruesi, ekzekutori dhe rrjeti mbështetës

Denis Brajoviq dyshohet si ekzekutori i vrasjes së Gjin Ndojit (i njohur edhe si Gjin Boriçi apo Ndue Gjini). Sipas Prokurorisë, porositësi i krimit ishte Behar Bajri, ndërsa gjithë operacioni u koordinua me ndihmën e një rrjeti të organizuar që përfshinte edhe emra si Edmond Preka dhe Ervis Martinaj.

Nga përgjimet e zbardhura në aplikacionin “Sky ECC”, rezulton se Brajoviq kreu vrasjen me urdhër të Bajrit dhe për llogari të Pëllumb Gjokës. Sipas hetimeve, krimi dyshohet të jetë realizuar si pjesë e një “kleringu” mes grupeve kriminale, ku Ervis Martinaj do të kryente një atentat në Tiranë për interes të Gjokës, në shkëmbim të vrasjes së Ndojit.

Komunikimet përpara dhe pas vrasjes tregojnë një planifikim të detajuar: sigurimi i armëve, vendndodhjes së objektivit, transportit dhe strehimit të autorëve.

Pas atentatit, Brajoviq shkruan: “Kryvi, jemi në Bushat, të na presi aty ai, se jemi afër”, ndërsa në një tjetër mesazh, drejtuar Ervis Martinajt, ai konfirmon: “Kryvi”, duke nënkuptuar se atentati ishte kryer me sukses.

Në dosjen hetimore përfshihen edhe biseda të koduara ku përdoren emra si “Zeqoja”, ndërsa Martinaj operonte me identitetin NP8LS4 dhe Bajri me TIV9E3. Në komunikime të tjera, Behari i kërkon Edmond Prekës që të sigurojë strehimin dhe lëvizjet pas vrasjes. Më vonë, Brajoviq i shkruan: “Hypëm, u takum”.

Pas vrasjes, Brajoviq u zhduk nga qarkullimi. Gjatë vitit 2023, emri i tij u rikthye në listën e të shumëkërkuarve të Interpolit. Më 27 shkurt 2024, ai u lokalizua dhe arrestua në Emiratet e Bashkuara Arabe, si pjesë e operacionit ndërkombëtar të koduar “The Wanted”.

Më herët, ai ishte subjekt i Operacionit Forca e Ligjit (OFL), nën hetim për veprat penale “Shtrëngim me anë të kanosjes për dhënien e pasurisë, e kryer në bashkëpunim, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale apo grupi i strukturuar kriminal”, njofton Policia e Shtetit.

Me ekstradimin e tij në Shqipëri dhe masën e sigurisë së vendosur nga GJKKO, pritet që hetimet për të çojnë në zbardhjen e mëtejshme të rrjeteve kriminale që operojnë brenda dhe jashtë vendit.

Sabina Nika
Gazetare |  + posts

Gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri”- RRKOKSH.
Studente në fakultetin e historisë dhe filologjisë, Universiteti i Tiranës.