Dënohen zyrtarët që manipuluan tenderin në Bashkinë e Tiranës

Drejtoresha e Klubit të Tiranës dhe tre të pandehurit e tjerë, nga masa "detyrim paraqitje", dënimet iu konvertuan në shërbim prove.

449
Deborah Keçi, drejtuese e Klubit Sportiv Tirana
Credits: shteg.org - Deborah Keçi, drejtuese e Klubit Sportiv Tirana

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë shpalli të mërkurën, më 28 maj, fajtorë katër nga tetë zyrtarët e Bashkisë Tiranë të akuzuar për përfshirjen në korrupsion në favor të kompanisë “5D Konstruksion”, e cila sipas SPAK kontrollohej de facto nga ish-drejtorët Redi Molla dhe Mariglen Qato.

Deborah Keçi, drejtuese e Klubit Sportiv Tirana, u dënua me një vit burg nën akuzën “shkelje të barazisë në tendera”, por për shkak të gjykimit të shkurtuar dënimi iu ul në 8 muaj dhe iu pezullua, duke u vendosur në shërbim prove për 16 muaj. Si masë shtesë iu dha ndalimi të ushtrojë funksione publike për 5 vite.

Anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, Teuta Guri, Jetjon Mera dhe Rejnaldo Gjerazi, u dënuan secili me 9 muaj burg, të reduktuar në 6 muaj për shkak të gjykimit të shkurtuar. Edhe për ta dënimi u pezullua, me detyrimin për të kryer 60 orë punë publike.

Sipas SPAK, këta zyrtarë favorizuan në mënyrë të paligjshme kompaninë “5D Konstruksion” në një tender për rikonstruksionin e palestrës së mundjes në dhjetor 2020. Keçi, sipas akuzës, kishte rënë dakord paraprakisht me një përfaqësues të kompanisë “V.A.S Konstruksion” për shpalljen e saj fituese, ndërsa anëtarët e KVO-së kishin manipuluar procesin e vlerësimit të ofertave në kundërshtim me ligjin.

Kompania “5D Konstruksion”, që në QKB figuron në pronësi të Nestor Muhametllarit, ka ndërruar disa herë emër që prej themelimit në vitin 2016, duke kaluar nga “Igor Elektrik” në “V.A.S Konstruksion” dhe më pas në emrin aktual.

Çështja “5D” ka ekspozuar një rrjet të përbërë nga ish-drejtorë të institucioneve publike, pjesëtarë të komisioneve të tenderëve dhe përfitues të dyshimtë kontratash shtetërore.

Redian Molla dhe Mariglen Qato, dyshohet se janë pronarë “de facto” të kompanisë “5D”, e cila ka përfituar 11 tenderë publikë me vlerë të konsiderueshme, përmes emrave fiktivë si “Igor Electric” dhe “Vas Construction”, gjatë viteve 2016–2022.

Për ta, SPAK ka ngritur akuza për “korrupsion pasiv”, “fshehje pasurie” dhe “pastrim parash”, ndërsa për Taulant Tushën ish-drejtor tjetër publik, akuza është për “shkelje të barazisë në tendera”.

Një javë më parë, në sallën e Gjykatës së Posaçme, seanca për çështjen “5D” u karakterizua nga përpjekje të përsëritura të avokatëve të të pandehurve për të vonuar procesin, duke kërkuar shtyrje dhe ndarje të gjykimit për disa klientë me arsyetimin e paqartësive mbi përjashtimin e dy gjyqtareve dhe mungesës së lidhjes së drejtpërdrejtë me akuzat kryesore. Megjithatë, trupa gjykuese rrëzoi të gjitha kërkesat, duke i cilësuar të pambështetura në ligj dhe të dëmshme për koherencën e procesit. Edhe përpjekja për të rikthyer në shqyrtim një vendim të mëparshëm për gjykim të shkurtuar u refuzua. Në përfundim të seancës, prokuroria këmbënguli në administrimin e provave dhe kërkoi pezullimin e afateve të paraburgimit për tre nga të pandehurit kryesorë, duke paralajmëruar një proces të gjatë e të detajuar.

Sabina Nika
Gazetare |  + posts

Gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri”- RRKOKSH.
Studente në fakultetin e historisë dhe filologjisë, Universiteti i Tiranës.