Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka dënuar me 2 vite e 8 muaj burg ish-drejtuesin e Prokurorisë së Vlorës, Aurel Zarka, i akuzuar për disa vepra penale që lidhen me korrupsionin dhe ushtrimin e ndikimit të paligjshëm ndaj funksionarëve publikë.
Vendimi u shpall më 20 maj 2025, nga trupi gjykues i përbërë nga gjyqtarët Erjon Çela, Rudina Palloj dhe Bib Ndreca. Zarka përfitoi ulje të dënimit me 1/3 falë gjykimit të shkurtuar.
Sipas vendimit, Gjykata e shpalli Zarkën fajtor për korrupsion pasiv e aktiv në drejtësi dhe ushtrim të ndikimit të paligjshëm ndaj funksionarëve publikë, vepra për të cilat mori një dënim total prej 4 vitesh burg, përpara aplikimit të gjykimit të shkurtuar i cili u reduktua përfundimisht në 2 vite e 8 muaj burg.
Ish prokurori ndodhet në paraburgim që prej 29 korrikut 2024, çka nënkupton se nga dënimi total i mbeten edhe rreth 1 vit e 10 muaj për të vuajtur.
Gjykata vendosi gjithashtu një masë plotësuese, duke i ndaluar Zarkës të ushtrojë funksione publike për një periudhë 5-vjeçare, si dhe ta ngarkojë me shpenzimet procedurale e gjyqësore në vlerën 25,464 lekë.
Sipas SPAK është provuar fakti se Aurel Zarka në bashkëpunim me të pandehurit, Astrit Vladi, Radovan Çela, Eriona Daupaj kanë bashkëpunuar me njëri-tjetrin, kanë ndërhyrë në 8 dosje duke premtuar, duke ofruar dhe duke pranuar përfitime të parregullta për të ushtruar ndikim te funksionarët e drejtësisë, për të kryer veprime të lidhura me funksionin dhe detyrën e tyre, sipas episodeve dhe akuzave respektive, për secilin prej tyre.
Përkatësisht kanë ndërhyrë për të ndikuar tek gjyqtarë e prokurorë që hetonin dhe gjykonin Alfred Vladin, kushëririn e tij Elvis Vladi dhe biznesmenin Alban Mollaymeri, në lidhje me 3.4 milionë eurot që u bllokuan në Portin e Durrësit, në qershor 2018, me qëllim që të favorizoheshin të pandehurit.
Në kohën e kryerjes së veprimeve të kundraligjshme, i pandehuri Aurel Zarka ka qënë në funksionin e prokurorit në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, e pandehura Eriona Daupaj ka qënë në funksionin e oficeres së policisë gjyqësore në ish Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda dhe më pas oficere e policisë gjyqësore në Prokurorinë e Posaçme, ndërsa i pandehuri Radovan Çela ka qënë në cilësinë e mbrojtësit të shtetasve Alfred Vladi.
Pas arrestimit të prokurorit Aurel Zarka, radhës së të ndaluarve i është shtuar edhe avokati Radovan Çela, i cili u vetëdorëzua në Policinë e Tiranës më 5 mars 2025, pas disa muajsh në kërkim nga autoritetet shqiptare.
Sipas Gjykatës së Posaçme, Çela dyshohet se ka ofruar përfitime të paligjshme me qëllim ndikimin në vendimmarrjen e funksionarëve të drejtësisë. Ai përballet me akuza për dy raste korrupsioni aktiv ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve – njëri prej tyre në bashkëpunim – si dhe për pesë raste të ushtrimit të ndikimit të paligjshëm, katër prej të cilave në bashkëpunim me persona të tjerë.
Emri i avokatit rezulton i lidhur ngushtë me dosjen penale të Aurel Zarkës, në të cilën janë përfshirë gjithashtu edhe ish-oficerja e policisë gjyqësore Erjona Daupaj dhe Astrit Vladi, që vijojnë të jenë në kërkim nga Policia e Shtetit.
Gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri”- RRKOKSH.
Studente në fakultetin e historisë dhe filologjisë, Universiteti i Tiranës.