Gjykata e Posaçme e Apelit (GJKKO) shpalli vendimin për ish-kryetarin e Bashkisë së Himarës, Jorgo Goro, duke vendosur dënimin e tij me 3 vite e 1 muaj burg për akuzat e shpërdorimit të detyrës. Gjatë procesit të gjykimit, Goro përfitoi nga gjykimi i shkurtuar dhe si pasojë dënimi i tij u reduktua në 2 vite e 20 ditë burg.
Goro, i cili nuk ishte i pranishëm në sallën e gjyqit, u shpall fajtor për shpërdorimin e detyrës gjatë periudhës që ka ushtruar funksionin e kryetarit të Bashkisë. Gjithashtu, me vendim të gjykatës, është konfiskuar toka që ishte destinuar për ndërtimin e një objekti nga ish-deputeti socialist Artan Gaçi, i cili kishte përfituar statusin e investitorit strategjik nga qeveria.
Për zyrtarin e Bashkisë së Himarës, Jerasimo Basho, GJKKO caktoi 3 vite burg, ndërsa me gjykim të shkurtuar, ai do të vuajë vetëm 2 vite.
Togat e zeza dënuan edhe juristin e Bashkisë, Vezir Gjikoka i cili ishte prezent në sallën e gjyqit, me 2 vjet burgim. Pas aplikimit të gjykimit të shkurtuar, Gjikoka do të qëndrojë në qeli, rreth 1 vit e 4 muaj.
Janë sekuestruar dhe konfikskuar pasuritë e përbëra nga truall toke rreth 10 mijë metra katrorë, të ndodhura në Gjilekë të Himarës. Ndërsa Gjykata vendosi që apartamenti i sekuestruar në Tiranë, t’i kthehet shtetasit Gentian Sula.
SPAK, duke u mbështetur edhe në auditimet e Kontrollit të Lartë të Shtetit, ka zbuluar shkelje të shumta, përfshirë falsifikimin e dokumenteve për kalimin e pronave në emër të privatëve.
Prej marsit 2024, Jorgo Goro ndodhet në burg pasi akuzohet nga SPAK se në bashkëpunim me vartës dhe zyrtarë të Kadastrës, ka kaluar sipërfaqe toke në pronësi të shtetit në bregdet në favor të privatëve përmes dokumenteve të falsifikuara. Kjo pasuri është aktualisht në pronësi të një kompanie të Artan Gaçit, bashkëshortit të deputetes socialiste Olta Xhaçka, i cili ka fituar edhe statusin e investitorit strategjik.
Gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri”- RRKOKSH.
Studente në fakultetin e historisë dhe filologjisë, Universiteti i Tiranës.