Dënohet me 4 vite burg ish-deputeti i Partisë Socialiste

Alqi Bllako u gjet fajtor për akuzën e korrupsionit pasiv në dy raste lidhur me kontratën për ndërtimin e inceneratorit të Tiranës. GJKKO ka dënuar me 4 vite burg ish-deputetin e PS-së, por për shkak të gjykimit të shkurtuar ai do të vuajë një dënim prej 2.8 vite burgim.

447
Alqi Bllako
Credit: LSA

Gjykata e Posaçme ka shpallur dënimin me 4 vite burg për ish-deputetin e Partisë Socialiste, Alqi Bllako, i akuzuar për përfshirje në aferën e inceneratorit të Tiranës.

Bllako, i cili ka mbajtur edhe postin e Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Mjedisit, ka përfituar nga gjykimi i shkurtuar dhe do të vuajë një dënim prej 2.8 vite burgim. Ndërkohë, Prokuroria e Posaçme (SPAK) kishte kërkuar një dënim më të ashpër, konkretisht 5 vite burg dhe 5 vite heqje të të drejtës për të ushtruar funksione publike.

Ish-deputeti socialist akuzohet për korrupsion pasiv në dy raste lidhur me kontratën për ndërtimin e inceneratorit të Tiranës. Sipas Prokurorisë, Bllako ka përfituar në mënyrë të parregullt, duke marrë vlera monetare prej 119.715 euro dhe 7.520.000 lekë, për të siguruar një përfitim të paligjshëm për Vladimir Bezhanin, i cili ishte angazhuar për ofrimin e shërbimeve juridike në projektin e inceneratorit.

Hetimet e Prokurorisë kanë zbuluar se Alqi Bllako, në rolin e tij si Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Mjedisit, ka përfituar në mënyrë të tërthortë nga Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri, pronarë të shoqërisë koncesionare “Integrated Energy B.V SPV” sh.p.k., për një shumë prej 119.755 euro, që është përdorur për blerjen e një makinerie për biznesin e familjes Bllako.

Për më tepër, Bllako akuzohet për ndikim në punësimin e fiktiv të Vladimir Bezhanit tek shoqëria “Integrated Technology Services” sh.p.k., duke i siguruar atij një përfitim të paligjshëm prej 7.520.000 lekë, për t’i mundësuar atij akses në informacion të ndjeshëm lidhur me tenderin për inceneratorin e Tiranës.

Bllako nuk ishte i pranishëm në sallën e gjyqit, por ishte i përfaqësuar nga avokati i tij. Prokurori Dritan Preçi theksoi se qëndrimet e tij mbeten të njëjta me ato të seancës së kaluar, ku ai kishte kërkuar dënimin e Bllakos me 5 vite burg për veprën penale të korrupsionit pasiv.

Skandali i inceneratorëve filloi në vitin 2014, kur qeverisja “Rama” shpalli një emergjencë mjedisore, duke justifikuar kështu dhënien me koncesion të inceneratorit të Elbasanit. Më vonë, të njëjtat kompani përfituan edhe koncesionet për ndërtimin e inceneratorëve në Fier dhe Tiranë, ndërkohë që ish-ministri Lefter Koka dhe ish-deputeti Alqi Bllako janë gjetur fajtorë për përfshirjen në këto afera.

Sabina Nika
Gazetare |  + posts

Gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri”- RRKOKSH.
Studente në fakultetin e historisë dhe filologjisë, Universiteti i Tiranës.