Dënohet me 6 muaj burgim ish-gjyqtari Guxim Zenelaj por përfiton nga pezullimi i dënimit

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka shpallur fajtor ish-anëtarin e Gjykatës së Lartë Guxim Zenelajn, i akuzuar për fshehjen e pasurisë dhe mosdeklarimin e të ardhurave.

446
Guxim Zenelaj
Credits: shteg.org

Gjykata e Posaçme dënoi me 6 muaj burgim ish-gjyqtarin e Gjykatës së Lartë, i akuzuar për veprën penale “refuzim për deklarim, fshehje ose deklarim i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”.

Me vendim të datës 6 tetor 2023, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë pranoi kërkesën e SPAK për konfiskimin e pasurive të Zenelajt dhe më pas vijoi procesin për ndjekjen e çështjes e tij në raport me fshehjen e pasurisë.

Mirëpo bazuar në vendimin e GJKKO u urdhërua pezullimi i ekzekutimit të vendimit me burgim për të pandehurin.

Ish-gjyqtari është detyruar të mbajë kontakte me zyrën vendore të Shërbimit të Provës Tiranë.

Pezullimi i vendimit me burg është zëvendësuar me vënien në provë të të pandehurit për një vit, me qëllimin e moskryerjes së asnjë vepre penale gjatë kësaj kohe.

Përveç kësaj, gjykata ka urdhëruar që Zenelaj të paguajë shpenzimet e hetimeve dhe procedurave gjyqësore, të cilat kapin vlerën e 220,000 lekëve. Shpenzimet për hetimet paraprake dhe gjykimin janë ngarkuar mbi të pandehurin, si pjesë e dënimit.

Guxim Zenelaj u dërgua për gjykim në vitin 2022 dhe u gjykua për veprën e deklarimit të rremë të pasurive.

Në tetor të vitit 2023, Gjykata e Posaçme pranoi kërkesën e SPAK për konfiskimin e pasurive të Zenelajt, konkretisht të një ngastre toke me sipërfaqe 1000 m2 në Porto Palermo, Himarë dhe gjashtë pasuri të paluajtshme në Ishull-Shëngjin të Lezhës.

GJKKO, vendosi në sitën e hetimeve 7 pasuri të Zenelajt, me vendndodhje në Lezhë, të cilat tashmë pas vendimit të GJKKO i kanë kaluar shtetit. Konkretisht, bëhet fjalë për 3 apartamente, 2 garazhe e 1 dyqan në Ishull Lezhë dhe 1 tokë me sipërfaqe 1000 m² në Vlorë.

Zenelaj u largua nga sistemi gjyqësor në korrik të vitit 2017, së bashku me anëtarët e tjerë Arjana Fullani, Andi Çeliku Aleksandër Muskaj dhe Evelina Qirjako, të cilët njoftuan përfundimin e mandatit të tyre.

Në vijim ata refuzuan t’i nënshtrohen procesit të rivlerësimit me pretendimin se nuk e kishin më statusin e magjistratit. Po ashtu refuzuan pozicionet në Apel.

Bazuar mbi këtë refuzim, KPK vendosi se secili prej tyre kishte bërë dorëheqje dhe bazuar në ligjin për rivlerësimin kalimtar, caktoi masën që u ndalon rikthimin në sistemin e drejtësisë për 15 vjet.

Sabina Nika
Gazetare |  + posts

Gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri”- RRKOKSH.
Studente në fakultetin e historisë dhe filologjisë, Universiteti i Tiranës.