Festim Bexhdili, punonjës në kompleksin “Golden” në Shijak dhe një nga personat e akuzuar për përfshirje në çështjen e rrëmbimit të Jan Prengës, ka dhënë një dëshmi të detajuar para Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Bexhdili, i tregoi gjykatës se punonte në “Golden Resort”, që prej 2010 në pozicione të ndryshme si kamarier, furnitor apo dhe kujdesej për kopshtin, pasi ky resort ishte në pronësi të hallës së tij, Hatixhe Hajrit, nëna e Altin Hajrit edhe ky i dyshuar si i përfshirë në rrëmbimin dhe zhdukjen e Jani Prengës, ngjarje kjo e ndodhur më 16 janarit të 2020.
Bexhdili tregoi se më 16 janar 2020 ndodhej në vendin e punës, duke kryer pastrimin e pishinës kur një makinë hyri nxitimthi në resort.
“Isha te resorti. E mbajmë hapur gjatë gjithë kohës sepse bëheshin rezervime për dasma. Po laja pishinën. Ka ardhur një makinë tip Range Rover në Kompleksin Golden. Iu shkova menjëherë mbrapa. Ishin 4 persona të cilët më kërkuan shishe me ujë, jua dhashë por nuk njihja asnjërin,” – deklaroi ai.
Sipas tij, trupi i pajetë ndodhej në sediljet e pasme të automjetit.
“Më thanë ka vdekur njëri, dhe personi ishte në makinën Range Rover, mesa duket ishte pas në sendilet e pasagjerit. E kam parë të shtrirë, u tremba. Nuk ia pashë fytyrën, më thanë ta kalojmë nga njëra makinë te tjetra, pranova nga frika sepse kishin armë në brez, e bëmë zhvendosjen në fugonin Fiat Duplo në distancën 1-2 metra.”- tregoi Bexhdili.
Dëshmitari tha se personat që shoqëronin trupin ishin të armatosur dhe veprimet e tij ishin bërë “nga frika”.
“Kishin armë në brez. Pranova sepse u tremba,” – u shpreh ai.
Sipas dëshmisë, menjëherë pas kësaj ngjarjeje, në vend u paraqit edhe Altin Hajri, pronari i resortit.
“Erdhi Altin Hajri dhe iu bërtiti çfarë doni këtu, erdhi përpara zhvendosjes së trupit dhe bërtiti e i shau, iu kërkoi të iknin shpejt nga vendi” -përshkroi Bexhdili.

Kur prokurori e pyeti se çfarë i kishin kërkuar më tej, Bexhdili u përgjigj: “Nga frika kam bërë çfarë më kanë thënë. Më kërkuan kazëm dhe lopatë. I kisha 20–30 metra larg garazhit, ua dhashë. I lashë në një cep, i futën në Duplo.”
Në dëshminë e tij, ai pretendoi se pas përfundimit të veprimeve, ishte larguar për në shtëpinë e tij në Kavajë.
“Ika direkt në shtëpi, në Kavajë. Fjeta gjumë. Të nesërmen shkova në punë si zakonisht,” – tregoi ai duke shtuar se edhe fugoni ishte rikthyer po ashtu.
“Në bagazh kishte njolla gjaku. I pastrova vetë me leckë. Thirra edhe Olsi Turjan për ndihmë për të pastruar si zakonisht, por ai nuk ishte në dijeni çfarë kishte ndodhur një ditë më parë,” – deklaroi Bexhdili.
Sa i përket armëve që kishin me vete personat që erdhën në resort, ai shtoi:
“I lanë në një tavolinë të bardhë eventesh me një arkë frutash. Më thanë ‘merri se do vijmë t’i marrim nesër’.”
Në fund të seancës, u përfshi në pyetje edhe prokurorja Elida Kaçkini, e cila i kërkoi sqarim për faktin se kamerat e sigurisë e kanë fiksuar duke u larguar me automjet.
Bexhdili e mohoi: “Jam larguar me makinën time private. Nuk kam ikur me personat, vetëm kam nxjerrë fugonin dhe u ktheva.”
Ndërsa u pyet nga avokatët e të pandehurve të tjerë, ai tha se nuk njihte asnjërin prej tyre. Kur avokati i Gentjan Funiqit kërkoi të paraqiste një foto për identifikim, gjykata refuzoi kërkesën.
Pas përfundimit të dëshmisë, Prokuroria kërkoi zyrtarisht që një pjesë e deklarimeve të kundërshtohen nga gjykata, me arsyetimin se bien në kundërshtim me dëshminë e mëparshme të dhënë nga Bexhdili në Polici. “Festim Bexhdili ka deklaruar fakte që bien në kundërshtim me deklarimet e mëparshme në tre pika: nuk ka përmendur emrin ‘Doçi’, ndryshe nga më parë; ka hequr dorë nga identifikimi i dialektit si shkodran; dhe nuk ka përmendur më pretendimet për borxhet e vëllezërve të viktimës,” – theksoi Prokuroria.
Gjykata vendosi të pranojë pjesërisht kundërshtimet e Prokurorisë vetëm për ato pika ku kishte mospërputhje me dëshmitë e mëparshme.
Në sallë ishte i pranishëm edhe Dritan Rexhepi, një tjetër i pandehur në çështje, i cili do të pyetet në seancën e datës 23 prill. Ndërkohë, sipas dosjes hetimore, vetëm Festim Bexhdili dhe Olsi Turja janë përballur fizikisht me gjykatën në Shqipëri për këtë çështje. Bexhdili u arrestua më 27 janar 2020 në shtëpinë e tezes së tij ku fshihej, detaj që u konfirmua nga ish-e dashura e tij, Enxhi Kasa.
Hetimet zbulojnë se Jan Prenga u rrëmbye në Kamëz, si hakmarrje për një vjedhje të dyshuar të lëndës narkotike nga vëllai i tij në Angli. Ai dyshohet se humbi jetën gjatë rrugës për në resortin e Hajrit në Shijak. Edhe pse Policia ka siguruar prova filmike për zhvendosjen e trupit të tij, trupi nuk është gjetur ende.
Sot, nga të gjithë të përfshirët, vetëm kopshtari Festim Bexhdili ndodhet ende pas hekurave.
Gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri”- RRKOKSH.
Studente në fakultetin e historisë dhe filologjisë, Universiteti i Tiranës.