Prokuroria Speciale (SPAK) ka bërë të ditur arsyet e lëshimit të urdhër arrestit për ish-presidentin Ilir Meta dhe masën “detyrim paraqitje”, ndaj Monika Kryemadhit ish-bashkëshortes së tij, tashmë në proces divorci.
Në një njoftim zyrtar për shtyp, Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar shprehet se: “Janë dokumentuar disa episode ku subjektet e këtij procedimi penal Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi në bashkëpunim mes tyre, por edhe me funksionarë të tjerë publikë, janë përfshirë në kryerjen e disa veprave penale”.
Duke iu referuar hetimit të dosjes penale “CEZ-DIA” e cila lidhi marrëveshjen për “mbledhjen e detyrimeve” ndaj debitorëve të energjisë elektrike, prokuroria dyshon për përfshirjen e plotë të Metës në këtë aferë. SPAK në reagimin zyrtar thotë se është provuar nga ana e tyre se Ilir Meta, në cilësinë e Ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës, ka përdorur ndikimin e tij për të ndërhyrë në procesin e lidhjes së kontratës ndërmjet shoqërisë “Debt International Advisory” dhe kompanisë CEZ Shpërndarje. “Shoqëria ‘Debt International Advisory’, përmes kësaj marrëveshjeje ka përfituar në mënyrë të parregullt shumën prej 649,803,520 lekësh, e cila është konfirmuar nga një vendim gjyqësor i formës së prerë”, thotë SPAK. Gjithashtu SPAK ka krijuar bindjen, sipas saj e mbështetur në prova, që Ilir Meta ka pranuar shuma “të konsiderueshme parash” nëpërmjet skemës së mbledhjes së debive të energjisë elektrike nga abonentë familjarë, kompani private dhe institucione shtetërore.
“Hetimet e deritanishme kanë zbuluar se Meta ka kërkuar dhe pranuar shuma të konsiderueshme parash nga z. K. I. (shënim, Kastriot Ismailaj), gjatë periudhës kur ai mbante funksionin e Ministrit, detyrë e cila përfshinte mbikëqyrjen e procesit të privatizimit të CEZ-it dhe lidhjen e kontratave për mbledhjen e borxheve, duke konsumuar kështu elementët e veprës penale të “Korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”, parashikuar nga neni 260 i Kodit Penal”-thotë SPAK. Krahas çështjes “CEZ-DIA”, SPAK ka bashkuar edhe dy procedime të tjera penale ndaj Metës dhe Kryemadhit.
“Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka regjistruar mbi bazën e kallëzimit të shtetasit R. K. (shënim redaksional Romeo Karaj) e kryer në ish Prokurorinë e Krimeve të Rënda, procedimin penal Nr. 55 të vitit 2019. Objekti i hetimit të këtij procedimi janë veprimet korruptive të zyrtarëve të shtetit në lidhjen dhe zbatimin e kontratës së shërbimit CEZ-DIA.
Ndërkohë që po vijonin hetimet për këtë procedim, mbi bazën e kallëzimeve të shtetasve H. V. (shënim, Halit Valteri) dhe I. B. (shënim, Idajet Beqiri), Prokuroria e Posaçme ka rregjistruar procedimin penal nr.122 të vitit 2022 për veprat penale “Korrupsion pasiv i zyrtarëve të lartë shtetëror dhe të zgjedhurve vendorë”, “Pastrim i produkteve të veprës penale dhe veprimtarisë kriminale”, “Refuzim për deklarim, mosdeklarim, fshehje ose deklarim i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë, ose i çdo personi që ka detyrimin ligjor për deklarim”, parashikuar nga nenet 260 dhe 25, 287/2 dhe 257/a/2 i K.Penal. Në vijim të hetimeve, procedimet e sipërcituara janë bashkuar në një procedim të vetëm në vitin 2024” – thuhet në njoftimin e SPAK.
Hetimet kur Meta ishte Kryetar Kuvendi

Prokuroria shkon më tej duke hetuar rolin e Metës dhe Kryemadhit në “ndikimin e paligjshëm” tek institucione dhe kompani private.
“Nga hetimet ka rezultuar se shtetasi Ilir Meta në sajë të funksionit të tij si Kryetar i Kuvendit dhe bashkëshortja e tij, Monika Kryemadhi si deputete e Kuvendit, në vitin 2014 kanë përdorur influencën e tyre duke ndikuar tek drejtuesit e institucioneve të ndryshme shtetërore si dhe tek drejtuesit e kompanive të telefonive celulare, me qëllim futjen në tregun e fibrave optike si dhe lidhjen e marrëveshjes së interkonjeksionit midis kompanisë “U… C… INC” dhe një kompanie private telefonike celulare” – thuhet në njoftimin e SPAK, duke iu referuar ekstraktit të dosjes hetimore që i është përcjellë Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO).
Prokuroria argumenton më tej se si rezultat i kësaj influence të paligjshme subjektet në hetim Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi kanë përfituar pjesën e tyre në përqindje nga fitimi i kompanisë, dhe janë pajisur me karta krediti nga administratori i shoqërisë. Shpenzimet e kryera nëpërmjet këtyre kartave, nuk janë deklaruar në deklaratat periodike të pasurive nga të hetuarit.
SPAK ka shtrirë hetimet edhe në drejtues të institucioneve të tjera. Veçanërisht AKEP (Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postar). “Personi nën hetim P. Xh., duke shfrytëzuar autoritetin e tij si Kryetari i AKEP, i zgjedhur nga Kuvendi i Shqipërisë me propozimin e subjektit politik “Lëvizja Socialiste Për Integrim” (LSI), në zbatimi të porosive të marra nga subjektet Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi, jo vetëm ka ndikuar tek drejtuesit e kompanisë telefonike celulare për finalizmin e marrëveshjes por nga ana tjetër, ka lejuar kompaninë private të ushtrojë aktivitetin e saj në shkelje të ligjit të AKEP. Për këto arsye, personat nën hetim I.M. dhe M.K. ka dyshime se kanë konsumuar veprën penale të “Korrupsionit pasiv të zyrtarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve”, në bashkëpunim, të ndihmuar edhe nga personi tjetër nën hetim P. Xh., i cili akuzohet për të njëjtën vepër penale” – thuhet në njoftim.
Bisnesmeni S.M “korruptoi” me vilë Kryemadhin

SPAK ka arritur në përfundimin se biznesmenë të fuqishëm kanë ndikuar tek çiftin Meta-Kryemadhi që duke përdorur funksionarët publikë të LSI-së të bënin ligje specifike në favor të tij.
Të paktën në një rast prokuroria shprehet se është vërtetuar se biznesmeni me inicialet S.M u ka ofruar një vilë. “Gjatë hetimit ka rezultuar gjithashtu se çifti I.M. dhe M.K., kanë hyrë në marëdhënie korruptive me biznesmenin S.M., duke përfituar përkohësisht një vilë si shpërblim për influencën e paligjshme që ata ushtronin ndaj funksionarëve publikë të emëruar nga LSI, në interes të aktiviteteve ekonomike të bizmesmenit në fjalë.
Personi nën hetim M.K., me porosi të biznesmenit në fjalë, ka marrë përsipër edhe ndryshimin e një ligji në Kuvendin e Shqipërisë (ligj i cili u ndryshua sipas kërkesës së biznesmenit S.M.)” – thuhet në njoftimin e SPAK. Megjithatë ndonëse këtë rast e përmend si spisod të rëndësishëm të akuzës së ngritur ndaj Metës dhe Kryemadhit, Struktura e Posaçme, të paktën deri më tani, ende nuk ka një njoftim nëse biznesmeni S.M mund të merret i pandehur.
Lobimi në SHBA dhe shpenzimet estetike
Një tjetër dosje që SPAK e ka tashmë të përfunduar lidhet me denocimin për lobimin e kreut të LSI-së në atë kohë Ilir Meta në SHBA.
“Përgjatë periudhës 2016-2017, I. M. (shënim Ilir Meta), me cilësinë e Kryetarit të Partisë Lëvizja Socialiste për Integrim, ka lidhur dhe ekzekutuar kontrata për shërbimi konsulence dhe lobimi me kompanitë Global Security and Inovative Solution LLC dhe Grupi McKeon Inc në Shtetet e Bashkuara të Amerikës” – thekson SPAK.
Nga hetimi rezulton se një pjesë e financimit të kontratave është bërë me transferta bankare nga llogaritë e subjektit politik, Lëvizja Socialiste për Integrim, ndërkohë që shuma prej 463.546,26 USD nuk është transferuar nga llogaritë bankare të këtij subjekti politik. “Po kështu rezulton se kjo shumë monetare, e cila nuk është transferuar nga llogaritë bankare të forcës politike nuk është pasqyruar në bilancet e subjektit politik Lëvizja Socialiste për Integrim, të depozituara pranë Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve”-argumenton SPAK.
Një tjetër pikë ku SPAK ka gjetur transferta të dyshimta dhe mbulim me “kredi fiktive” është rasti i blerjes së një apartamenti dublex në zonën e ish-Bllokut.
“Nga hetimi ka rezultuar se shuma prej 310,000 Euro që kanë shërbyer për blerjen e katit të parë të dublex, janë derdhur Cash në sistemin bankar nga F. K., dhe shuma 335,000 Euro e marrë kredi nga F. K., është shlyer gjithashtu me para të depozituara në bankë të nivelit të dytë në Republikën e Shqipërisë, në Mars-Nëntor 2010. Këto para dyshohet se kanë origjinën nga aktiviteti i paligjshëm i shtetasve I.M. dhe M.K. si dhe kredia bankare është përdorur si mbulesë dhe mënyrë për të futur në sistemin bankar shuma të konsiderueshme monetare” – thotë SPAK.
Po ashtu duke iu referuar një tjetër dosje tashmë të bashkuar në një të vetme, Prokuroria Speciale ka hetuar edhe në lidhje me shpenzimet shëndetësore të Metës dhe Kryemadhit, një pjesë e së cilës ka shkuar për “ndërhyrje estetike”.
“Nga hetimi ka rezultuar se shtetasit I.M. dhe M.K. nuk kanë deklaruar shpenzimet mjekësore të kryera gjatë periudhës 2013-2019, në vlerën totale prej 106.125 Euro. Nga këto shpenzime, 86.891 Euro janë paguar në cash – thotë SPAK. Hetimet kanë zbuluar se në deklaratën e Interesave Private Vjetore për vitin 2019, të dorëzuar në ILDKPKI më 29 Maj 2020.
“Këta subjekte nuk kanë deklaruar shpenzimet shëndetësore në vlerën prej 9.000 Euro të kryera në një klinikë private jashtë vendit si dhe dhe shumën 100.000 Euro në llogarinë bankare dy emërore, të cilat i përkasin E.M. dhe F. K. Subjektet I.M. dhe M. K. dyshohet se kanë konsumuar veprën penale “Refuzimit për deklarim, mosdeklarimi, fshehja dhe deklarimi i rrëmë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë” parashikuar nga neni 275/a të Kodit Penal” – përfundon prokuroria.
Policia: Meta kundërshtoi vendimin dhe ka fyer agjentët
Pas publikimit të pamjeve të arrestimit të dhunshëm të ish-Presidentit Ilir Meta, nga agjentët e BKH-së dhe Policisë së Shtetit, kjo e fundit reagoi në një njoftim zyrtar mbi ngjarjen.
Sipas policisë, nga ana e tyre është ndjekur procedura standarte për zbatimin e urdhër-arresteve, por nga ana e Metës ka pasur kundërshtime.
“Rreth orës 13:15 minuta Policia e Shtetit ka marrë informacion dhe më pas ka konstatuar se në vendin e quajtur ‘Kthesa e Kamzës’, në zonën e Laprakës, shtetasi I.M po udhëtonte me një automjet në drejtim të Tiranës. Në këtë moment është bërë ndalimi i automjetit dhe drejtuesi i grupit operacional i ka komunikuar shtetasit Ilir Meta, vendimin e gjykatës për masën e sigurisë “Arrest në burg” dhe i ka kërkuar të zbresë nga automjeti. Shtetasi Ilir Meta ka reaguar në mënyrë refuzuese dhe kundërshtuese dhe ka lëshuar fjalë fyese në drejtim të përfaqësuesve të Policisë dhe Drejtësisë”, thuhet në njoftimin zyrtar.
Arrestimi i Metës, opozita nis protestat më 29 tetor

I kushtëzuar nga arrestimi i kreut të PL-së Ilir Meta, kryetari i PD-së Sali Berisha në një dalje publike mbrëmjen e sotme njoftoi nisjen e protestave më 29 tetor.
Ai u bëri thirrje qytetarëve që të zbresin në terren, ndërsa biznesmenëve që të mbyllin qepenat e bizneseve të tyre në shenjë revolte. “Më datë 29 tetor udhëheqësit e PD në qarqe marrin përsipër të organizojnë qytetarët në rang qarku për paralizën e plotë te këtij regjimi. Të jemi të gatshëm secili nga ne të paguajë çmim për guximin tonë”, tha Berisha. Kreu i PD-së e cilësoi arrestimin e Ilir Metës si një “akt terrorist të kryer nga narkoregjimi i Ramës”. Ai theksoi se Meta u tërhoq zvarrë nga bandat me uniformën e Ramës. “Narkoregjimi i Ramës kreu një akt terrorist të vërtetë. Rrëmbeu në mes të rrugës, tërhoqi zvarrë dhe goditi me urdhër të Ramës ish-presidentin, Ilir Meta – tha Berisha.
Sipas tij, “kryeministri Edi Rama ka përdorur makinacionet me bandat vrastare; ai përdori mercenarët e SPAK-ut, me qëllimin e vetëm që të zhdukë Partinë e Lirisë”. Ndërsa Sekretari i Përgjithshëm i PD-së Flamur Noka e ka quajtur një tjetër “akt lufte ndaj opozitës” arrestimin e Ilir Metës me urdhër të SPAK. Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Flamur Noka, tha se Edi Rama dhe SPAK i kanë shpallur opozitës luftë duke arrestuar kreun e PL-së, një nga aleatët kryesorë të PD-së.
Ai tha se Meta u arrestua si të ishte terrorist, ndërkohë që shqiptarët janë dëshmitarë që të gjithë ish-deputetët apo ish-ministrat e Rilindjes, iu çohet njoftim nga SPAK që të paraqiten. Këto komente, Noka i bëri në fillim të mbledhjes së Kryesisë së PD-së. Ai tha se Ilir Meta u arrestua sikur të ishte një terrorist dhe jo një ish-President i Republikës. Noka tha se në mbledhjen e Kryesisë do të përcaktohet vijimi i aksionit opozitar, ndërsa theksoi se opozita është në mosbindje civile.
RRKOKSH (Rrjeti për Raportimin e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri), organizata juaj kryesore mediatike investigative e angazhuar për të hedhur dritë mbi krimin e organizuar dhe korrupsionin në të gjithë Shqipërinë. Nëpërmjet platformës sonë online në shteg.org, ne ofrojmë një gazetari të plotë dhe me ndikim që synon jo vetëm të informojë, por edhe të nxisë ndryshimet shoqërore.