Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka përfunduar hetimet ndaj kryetarit të Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj, dhe bashkëshortes së tij, Ajola Xoxa, duke ngritur akuza të rënda për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie.
Në njoftimin zyrtar të SPAK, të dërgimit të dosjes për gjykim renditen 13 akuza për kryebashkiakun Erion Veliaj dhe 12 për bashkëshorten tij, Ajola Xoxa si dhe akuzat për 16 persona të tjerë të pandehur si bashkëpunëtorë të familjes së kryebashkiakut të Tiranës.
Mes personave të pandehur është edhe ish-kryetarja e Komisonit të Ligjeve dhe deputetja socialiste Klotilda Bushka, ndaj së cilës prokuroria ka ngritur akuzat që kanë të bëjnë me veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës.
Sipas materialeve të administruara nga organi i akuzës, është provuar se në të paktën nëntë raste të veçanta, të pandehurit kanë përfituar shuma monetare, të paktën 1.1 milionë euro, dhe pasuri të paluajtshme nga subjekte tregtare dhe organizata jofitimprurëse.
Në këmbim, këto subjekte kanë përfituar leje ndërtimi dhe fonde publike të miratuara nga Bashkia Tiranë me firmën e kryebashkiakut.
Prokuroria thotë se Veliaj, në cilësinë e kryetarit të Bashkisë, ka nënshkruar aktet që shpërndanin fondet publike, të cilat përfundonin më pas tek OJF të lidhura me Ajola Xoxën, shoqëri tregtare dhe individë të afërt me çiftin. Përveç shumave në para, dy të pandehurit kanë përfituar edhe pasuri të paluajtshme me vlerë të konsiderueshme, duke konsumuar elementët e veprës penale të parashikuar nga neni 260 i Kodit Penal.
“Nga hetimi penal janë grumbulluar të dhëna konkrete, të cilat provojnë përtej çdo dyshimi të arsyeshëm, se i pandehuri Erion Veliaj, në cilësinë e Kryetarit të Bashkisë Tiranë, me nënshkrimin e tij ka miratuar në çdo rast shpërndarjen e këtyre fondeve, të cilat më pas kanë përfunduar tek OJF-të e përmendura më sipër, shoqëritë me përgjegjësi të kufizuar, persona fizikë të kontrolluar nga bashkëshortja e tij, e pandehura Ajola Xoxa, si edhe individë të afërt me të” – thuhet në njoftimin e SPAK.
Në të njëjtën kohë, shoqëritë dhe OJF-të e përfshira kanë konsumuar elementët e nenit 245 të Kodit Penal, duke ofruar përfitime të paligjshme për shkak të detyrës publike të Veliajt.
Hetimet kanë zbuluar se paratë e përfituara janë integruar në sistemin bankar duke fshehur origjinën e tyre të paligjshme, çka përmbush plotësisht kriteret e nenit 287 të Kodit Penal për pastrimin e produkteve të veprës penale.
Në këtë skemë janë përfshirë OJF-të “Harabel”, “Eventus”, “Muza” dhe “BYL-A”, si edhe individë të lidhur ngushtë me Ajola Xoxën: Valmir Xoxa, Adela Kondakçiu, Elman Abule dhe shoqëria “Rametal” shpk. Prokuroria i akuzon këta subjekte për fshehjen e origjinës së shumave të mëdha monetare dhe për integrimin e tyre në sistemin financiar.
Shpenzime luksi

Hetimet e prokurorisë janë përqendruar edhe tek shpenzimet personale të Ajola Xoxës, e cila gjatë një periudhe të shkurtër kohore ka realizuar blerje online në vlerën 86,7 milionë lekë vetëm për veshje personale.
Provat e siguruara tregojnë se bashkëshortja e kryebashkiakut ka qarkulluar shuma të konsiderueshme “cash”, jashtë sistemit bankar, të cilat janë përdorur edhe për aktivitetet private tregtare të saj, duke shmangur detyrimet tatimore.
“Provat e grumbulluara dëshmojnë qartë për disponimin dhe qarkullimin e të hollave në cash, jashtë sistemit bankar, në shuma të konsiderueshme dhe në prerje të mëdha, nga e pandehura, Ajola Xoxa, bashkëshortja e të zgjedhurit vendor, Erion Veliaj. Këto shuma, të cilat vijnë si rezultat i përfitimeve të parregullta të siguruara për shkak të funksionit të kryetarit të bashkisë Tiranë” – saktëson prokuroria.
Sipas akuzës, Xoxa në bashkëpunim me përfaqësues të shoqërisë “Lani” shpk, ka konsumuar elementët e veprës penale të nenit 180 të Kodit Penal për fshehjen e pasurisë dhe shmangien e detyrimeve financiare.
Prokuroria thekson gjithashtu se Veliaj dhe Xoxa nuk kanë deklaruar me transparencë asetet pasurore që posedojnë, duke konsumuar veprën penale të nenit 257/a/2 të Kodit Penal.
Në një rast konkret, Veliaj akuzohet se ka miratuar një Plan të Detajuar Vendor dhe leje ndërtimi për një objekt shumëkatësh banimi, mbi një truall ku bashkëshortja e tij ka interesa të drejtpërdrejta pasurore.
Hetimi konstaton se ky akt është marrë në kushte të qarta të konfliktit të interesit, duke shkelur procedurat ligjore dhe duke konsumuar elementët e nenit 248 të Kodit Penal për shpërdorim detyre.
“I pandehuri Erion Veliaj, në ushtrim të funksioneve të tij, ka kryer veprime konkrete në kundërshtim me ligjin, në mospërmbushje të rregullt të detyrës, në funksion të përfitimit të të mirave materiale në mënyrë të padrejtë, por edhe me pasoja konkrete në dëm të interesave të shtetasve dhe shtetit, përsa i përket miratimit të një PDV dhe më pas lejes së ndërtimit për një objekt shumëkatësh banimi, mbi një sipërfaqe trualli ku bashkëshortja e tij ka interesa pasurorë” – sqaron prokuroria.
Nga të gjitha provat e mbledhura, SPAK konkludon se dy të pandehurit kanë ngritur një skemë të mirë-organizuar për përfitime të parregullta dhe pastrim parash, në bashkëpunim me një rrjet OJF-sh dhe shoqërish private të kontrolluara nga Ajola Xoxa.
Erion Veliaj, Kryetari i Bashkisë së Tiranës është nën masën e “arrestit në burg”, ku qëndron prej 10 Shkurtit 2025.
Prokuroria e Posaçme nisi hetimet ndaj Veliajt në korrik 2023, pas një denoncimi anonim që rrëfente lidhjet mes kryebashkiakut me biznesmenin Gentjan Sula, pronar i kompanisë së ndërtimit “Agi Kons”, e cila ka fituar disa tenderë publikë.
Nga veprimet paraprake, SPAK konstatoi miqësinë e vjetër mes Veliajt dhe biznesmenit si dhe përfitimet që familja e tij kishte marrë nga Sula.
Vëllai i kryebashkiakut, Arbër Veliaj, posedonte një vilë në Qerret të ndërtuar nga kompania “Agi Kons”, ndërsa bashkëshortja e Veliajt, Ajola Xoxa, ka deklaruar një apartament në rezidencën “Kodra e Diellit”, gjithashtu e ndërtuar nga e njëjta kompani.
Pas hetimeve paraprake dhe grumbullimit të provave, më 8 shkurt 2024, Prokuroria e Posaçme regjistroi procedimin penal për veprën e “Korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”, ndërsa më 27 dhjetor 2024 hetimi u zgjerua duke përfshirë edhe akuzat për “Korrupsion aktiv”, “Pastrimin e produkteve të veprës penale” dhe “Fshehjen ose deklarimin e rremë të pasurisë”.
Më 16 janar 2025, në regjistrin e veprave penale u shtua edhe akuza për “Deklarata të rreme para oficerit të policisë gjyqësore”, ndërsa më 24 janar 2025 u shtua vepra penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.
Si pjesë e hetimit, SPAK ka dokumentuar një seri të gjatë transaksionesh që tregojnë rrjedhjen e parasë nga Bashkia e Tiranës, përmes kompanive kontraktore dhe sponsorizimeve, tek OJF-të dhe kompanitë e kontrolluara nga Ajola Xoxa.
Nga qelia e burgut Erion Veliaj, apo dhe nëpërmjet avokatëve të tij, ka mohuar kategorikisht akuzat, duke i cilësuar ato si një komplot politik të orkestruar nga kundërshtarët e tij.
Veliaj ka akuzuar prokurorin e çështjes, Ols Dado, për konflikt interesi dhe ka pretenduar se procesi është i motivuar politikisht.
Madje, Veliaj publikoi një transkript të rremë të përballjes gjyqësore, duke i vënë në gojë prokurorit Dado fjalë që ai nuk i kishte thënë, sipas GJKKO-së.
Ndërsa avokatët e Veliajt, nëpërmjet deklaratave publike pretendojnë se procesi hetimor ndaj kryebashkiakut është iniciuar mbi një kallëzim anonim dhe të dhëna të pasakta, pa prova apo indicie të mjaftueshme që të krijojnë dyshimin e arsyeshëm ligjor.
Gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri”- RRKOKSH.
Studente në fakultetin e historisë dhe filologjisë, Universiteti i Tiranës.