Draft-raportet e BE-së konstatojnë presion politik dhe mungesë eficience në drejtësi

Raport jozyrtar i Komisionit Evropian ekspozon shqetësimet mbi ndërhyrjet politike, vonesat në sistemin gjyqësor dhe mungesën e hetimeve financiare ndaj krimit të organizuar.

422
Anëtarësimi në BE
Credits: shteg.org

Në një raport jozyrtar të hartuar në Bruksel më 15 Maj të këtij viti, ngrihen shqetësimet e BE-së mbi dobësitë në sundimin e ligjit, ndërhyrjet në institucionet e drejtësisë, ngecjet në luftën kundër korrupsionit dhe rënien e standardeve të lirisë së medias në Shqipëri.

Shqetësimet ngrihen nga Komisioni Evropian në një moment kur Shqipëria pritet të përshpejtojë rrugën e integrimit, duke pasur të hapur grup-kapitujt themelorë të negociatave.

Në dhjetor të vitit të kaluar, Shqipëria mbajti tryezën e dytë ndërqeveritare me Bashkimin Evropian, një hap formal i rëndësishëm që shënoi nisjen e konkretizimit të bisedimeve. Në këtë kuadër, u hapën zyrtarisht pesë kapituj të rëndësishëm, të njohur si “kapitujt themelorë”, që do të jenë vendimtarë për ecurinë e mëtejshme të procesit të anëtarësimit.

Ekspertët vendas deklarojnë se ka ardhur koha që problematikat në sistemin e Drejtësisë të marrin zgjidhje nëpërmjet rrugëve institucionale. 

Drejtësia nën trysni

Raporti jozyrtar i hartuar nga Komisioni Evropian dhe dërguar qeverisë shqiptare, katër ditë pas zgjedhjeve parlamentare të 2025-ës, ngre shqetësime serioze mbi situatën në sistemin e drejtësisë në Shqipëri. Në dokument evidentohen ndërhyrjet politike ndaj institucioneve të drejtësisë, me theks të veçantë mbi presionin ndaj SPAK pas arrestimit të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj.

“Hetimi dhe arrestimi i një zyrtari të zgjedhur, i konfirmuar nga Gjykata e Posaçme në shkurt 2025, nxiti reagime të paprecedenta publike nga degët ekzekutive dhe legjislative, përfshirë përpjekje për të ushtruar presion mbi SPAK dhe institucionet gjyqësore. Kjo ngre shqetësime serioze”, thuhet në raportin e BE-së.

Raporti veçon si rast shqetësues protestën e 12 shkurtit përpara godinës së SPAK, ku sipas dokumentit, mbështetës të Veliajt organizuan një tubim, gjatë të cilit u rrezikua siguria e gjyqtarëve dhe administratës.

SPAK raportoi dërgimin e dy ankesave pranë Ministrisë së Brendshme dhe Policisë së Shtetit për dështimin në garantimin e sigurisë. Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) konfirmoi për “shteg.org” se kishte kërkuar në mënyrë të përsëritur mbrojtjen e perimetrit nga Garda e Republikës, por këto kërkesa u injoruan.

“Kjo situatë ka sjellë që, edhe pas përfundimit të seancës dhe shpalljes së vendimit, protestuesit kanë izoluar të gjithë gjyqtarët dhe stafin administrativ, duke u cenuar ndjeshëm sigurinë për jetën dhe shëndetin e tyre”, deklaroi GJKKO.

Eksperti i politikës dhe drejtues i Institutit të Studimeve Politike, Afrim Krasniqi, thekson për “shteg.org” se sulmet ndaj SPAK nga të dyja forcat kryesore politike nisën në momentin kur u përballen me drejtësinë figura të fuqishme politike.

“Dihen retorikat e opozitës për shkak të dosjes së kryetarit të PD-së, por surprizë ishte retorika e PS-së dhe fushata denigruese ndaj SPAK-ut… përfshirë edhe z. Rama, i cili në deklarime publike denigroi procesin hetimor të SPAK dhe bëri thirrje për mosbashkëpunim të administratës me organet e hetimit”, u shpreh Krasniqi.

Sipas Krasniqit, “Komisioni Xhafaj” ka një agjendë politike dhe synon që me anë të vullnetit politik të imponojë ndryshimin e ligjeve në organet që përfshijnë sistemin e Drejtësisë.

“Një mekanizëm që maxhoranca në çdo moment të caktuar mund ta përdorë në formë direkte dhe indirekte duke përfshirë kornizën ligjore, mbështetjen financiare dhe detyrimet ligjore që ka parlamenti ndaj këtyre institucioneve” – thotë Krasniqi.

Çfarë është “Komisioni Xhafaj”?
Lexo më shumë …

Komisioni i posaçëm parlamentar “Për thellimin e reformave për mirëqeverisjen, sundimin e ligjit dhe anti-korrupsionin për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Europian” njohur ndryshe dhe si “Komisioni Xhafaj” u miratua në maj të vitit të kaluar 2024 vetëm me votat e Shumicës parlamentare, Partisë Socialiste për të drejtuar dhe koordinuar një proces të thelluar reformimi që në thelb ka luftën kundër korrupsionit.

Krijimi i këtij komisioni u kundërshtua nga opozita, ndërkohë që Gjykata e Lartë, ajo Kushtetuese, Prokuroria e Posaçme, Prokuroria e Përgjithshme, Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Inspektoriati i Lartë i Drejtësisë nuk pranuan të ishin pjesë e drejtpërdrejt e këtij komisioni me anë të ekspertëve. Sipas një letre të dërguar nga Gjykata Kushtetuese në adresë të Kuvendit më 2 tetor 2024, arsyeja e refuzimit të pjesëmarrjes nga ky institucion kishte të 

bënte me “një konflikt në ushtrimin e funksionit të saj në kontrollin e pajtueshmërisë së ligjeve me Kushtetutën”.

Institucionet e drejtësisë, theskon Krasniqi, kanë dërguar kërkesa për ndryshime strukturore në parlament, por këto kërkesa janë lënë pa u shqyrtuar prej më shumë se një viti, çka sipas tij përbën një formë të pastër presioni institucional.

“Kjo është një formë e mjetit të presionit. Që do të thotë një institucion, që ka për detyrë të miratojë një akt e mban atë peng për një periudhë të gjatë kohe në mënyrë që të kryejë negociata, apo të ushtrojë presion, që të pamundësojë funksionimin normal të organeve të drejtësisë” – shpjegon Krasniqi.

Dosjet stok 

Raporti i Komisionit Evropian ngre shqetësime të mëdha edhe mbi eficencën e sistemit gjyqësor, duke theksuar: “Masa vendimtare për të rritur eficencën ende nuk janë ndërmarrë”. Sipas raportit, një numër i konsiderueshëm çështjesh vijojnë të mbeten stok, duke krijuar vonesa të pajustifikuara në drejtësi.

Avokati Ermal Yzeiraj paralajmëron se përpjekjet për të përshpejtuar zgjidhjen e këtyre çështjeve mund të dëmtojnë cilësinë e vendimeve gjyqësore:

“Duke dashur të ulet numri i dosjeve, gjykatat do të priren të ulin cilësinë në vendimmarrje, dhe kjo do të jetë akoma më fatale për ata që presin drejtësi.” – tha për “shteg.org” avokati. Ai shton se reagimi institucional duhet të zëvendësojë reagimet emocionale dhe politike:

“Në vend që të reagojmë më shumë në rrugë institucionale dhe zyrtare, ne preferojmë vetëm reagimin mediatik apo atë të protestës… Ka ardhur koha që avokatët, organizatat e shoqërisë civile dhe akademikët të përdorin çdo instrument ligjor për të kërkuar cilësi në ushtrimin e funksioneve kushtetuese të drejtësisë.”

Raporti evidenton gjithashtu mungesën e një strategjie të qëndrueshme në hetimin financiar të aktiviteteve kriminale. Shqipëria, sipas BE-së, ende nuk ka ndërmarrë hapa konkretë për të rritur kapacitetet e prokurorisë dhe gjyqësorit në lidhje me krimin financiar dhe teknikat e pastrimit të parave.

Afrim Krasniqi e cilëson si shqetësim faktin që qeveria nuk ka përmbushur premtimet për bashkëpunim efektiv me institucionet e drejtësisë:

“Ajo çfarë nuk është normale është, që nëse ngrihet si shqetësim, duhet adresuar në linja institucionale dhe në linja të nevojshme për parandalimin e tij, dhe jo me shpresën që aktorët politikë, të cilët janë përgjegjës, do të zgjidhin problemin”, – thotë Krasniqi.

Të njëjtin shqetësim ngre edhe avokati Ermal Yzeiraj.

“Në vend që të reagojmë më shumë në rrugë institucionale dhe zyrtare, ne preferojmë vetëm reagimin mediatik apo atë të protestës. Të gjitha këto forma reagimi janë të ligjshme dhe secili është i lirë t’i aplikojë si ta gjykojë të arsyeshme, por ajo që dua të theksoj është se ka ardhur koha që të reagohet në rrugë institucionale ndaj çdo parregullsie që evidentohet në sistemin e reformuar të drejtësisë” – thotë avokati, sipas së cilit ka ardhur momenti që avokatë, organizatat e shoqërisë civile dhe akademikët të përdorin çdo instrument ligjor për të kërkuar cilësi në ushtrimin e funksioneve kushtetuese të Drejtësisë.

Përveç Drejtësisë, në raport përfshihen dhe çështjet e lidhura me ekonominë, reformën në administratën publike dhe funksionimin e institucioneve demokratike, ku përfshihet edhe media.

Nër të tjera në raport thuhet se në Shqipëri është i nevojshëm fuqizimi i legjislacionit të medias në periudhën e fushatave elektorale për të mundësuar mbulimin e pavarur të procesit zgjedhor.

“Legjislacioni mbi median gjatë fushatave zgjedhore duhet të forcohet, përfshirë adresimin e dezinformimit, sigurimin e mbulimit të pavarur mediatik dhe monitorimit gjatë zgjedhjeve, si dhe kufizimin e përdorimit të përmbajtjes së prodhuar nga partitë në lajme”, – thuhet në raport.

Raporti i Komisionit Evropian, ndonëse jozyrtar, konsiderohet si një paralajmërim i fortë ndaj qeverisë shqiptare dhe Kuvendit për të marrë masa të prekshme në funksion të sundimit të ligjit dhe integrimit evropian. Raporti zyrtar pritet të publikohet në fillim të muajit korrik, dhe siç deklarojnë ekspertët, do të ndikojë në përcaktimin e kursit politik të mazhorancës në mandatin e ri, nëse ekziston vullneti i nevojshëm politik për reforma të thella në drejtësi.

Në fund të vitit të kaluar u mbajt tryeza e dytë ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe BE-së, ku u hapën pesë kapitujt themelorë për çeljen e negociatave. Angazhimet e qeverisë shqiptare përqendrohen në funksionin e institucioneve demokratike, reformën e administratës publike, Kapitullin 23 për Gjyqësorin dhe të Drejtat Themelore, Kapitullin 24 për Drejtësinë, Lirinë dhe Sigurinë, si dhe Kapitullin 5 për Prokurimet Publike.

Dokumentet e fundit nga Brukseli përbëjnë një sinjal të qartë për qeverinë shqiptare se rruga drejt BE-së nuk mund të ecë përpara pa përmbushur standardet themelore që lidhen me shtetin e së drejtës, llogaridhënien dhe ndarjen e pushteteve.

Dallandyshe Xhaferri
+ posts

Dallandyshe Xhaferri është gazetare në "Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri" - RRKOKSH. Ajo ka studiuar Gazetari në Universitetin “Aleksandër Xhuvani” dhe ka marrë pjesë në shkëmbime studentore në Poloni dhe SHBA. Në Poloni, ka ndjekur një semestër në "Journalism and Management" në Universitetin "Papa Gjon Pali II", ndërsa në SHBA ka marrë leksione mbi gazetarinë në Kolegjin e Bostonit. Gjatë katër viteve të fundit, ajo ka punuar si gazetare në organizata të ndryshme me fokus gazetarinë cilësore dhe ka qenë e angazhuar në projekte të IFES, East West Management Institute dhe Rana Labs.