Dritan Rexhepi përballë drejtësisë mohon rolin në zhdukjen e Jan Prengës

I akuzuar për rrëmbimin dhe vrasjen e Jan Prengës, i pandehuri mohon çdo akuzë duke pretenduar se ishte në burg në Ekuador gjatë kohës së ngjarjes.

383
Dritan Rexhepi
Credit: shteg.org

Në një seancë në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), Dritan Rexhepi u përball për herë të parë me akuzat për përfshirje në rrëmbimin, vrasjen dhe zhdukjen e trupit të Jan Prengës, ngjarje e ndodhur në janar të vitit 2020 në Kamëz. I njohur si një ndër personat më të kërkuar në rajon për krime të rënda, Rexhepi mohoi çdo akuzë të ngritur ndaj tij, duke pretenduar se në kohën e ngjarjes ndodhej në burg në Ekuador, ku po vuante një dënim prej 13 vitesh për trafik droge.

Në fundin e vitit 2019 kam qenë jashtë Shqipërisë. Kam qenë në burg në Ekuador, i dënuar me 13 vite për trafik droge. Si mund të kem qenë unë porositësi i një ngjarjeje që ka ndodhur kur unë ndodhesha në një burg në një kontinent tjetër?” – deklaroi Rexhepi në fillim të dëshmisë së tij.

Ai mohoi njohjen me Altin Hajrin dhe Gentian Funiqin, persona të cilët Prokuroria e Posaçme i cilëson si bashkëpunëtorët e tij në rrëmbimin dhe ekzekutimin e Jan Prengës.

Gentian Funiqin e kam dëgjuar vetëm në media. Emri nuk më thotë asgjë. Nuk kam pasur kurrë kontakt me të. As me Altin Hajrin, nuk e njoh fare. Martin Bletën nuk e kam dëgjuar kurrë, as Korado Gështenjën.”

Rexhepi pretendoi se për herë të parë për ngjarjen ka mësuar nga të afërmit e tij.

“Më thanë për Jani Prengën, familjarët e mi, burri motrës time Dorjan Velaj. Ai takoi një gazetar tek Prokuroria, dhe unë fola me gazetarin përmes kunatit tim. Përmes avokatit tim me vinin gazetat e fotokopjuara. Ndërkohë qe kunati im shkoi te Prokuroria e Tiranës për këtë çështje, takoi një gazetar dhe i tha dy gjëra. O zoti gazetar i thash nuk jam unë personi që po flitet. Fola me Artan Hoxhën. I dhash disa foto dhe ai i publikoi” – deklaroi ai.

Nga ana tjetër, SPAK, përfaqësuar nga prokurorja Elida Kaçkini, paraqiti prova të reja që pretendojnë të hedhin dritë mbi rolin e Rexhepit në këtë çështje. Sipas saj, komunikime të siguruara përmes aplikacionit të koduar SkyECC, të ardhura nga autoritetet franceze, tregojnë për një bashkëbisedim mes Dritan Rexhepit, Altin Hajrit dhe Gentian Funiqit, ku flitet qartë për rrëmbimin dhe vrasjen e Jan Prengës. Këto komunikime, sipas SPAK, datojnë në vitin 2020 dhe përbëjnë një provë direkte të përfshirjes së Rexhepit në këtë krim.

Pavarësisht mohimeve të të pandehurit, SPAK theksoi se motivi kryesor për rrëmbimin dhe vrasjen e Jan Prengës lidhet me një ngjarje të mëparshme – vjedhjen e një sasie prej 283 kilogramësh kokainë në Angli, që dyshohet t’i përkiste rrjetit kriminal të drejtuar nga vetë Rexhepi dhe Gentian Funiqi. Këta të fundit dyshohet se urdhëruan rrëmbimin si një akt hakmarrjeje ndaj vëllait të Prengës, të dyshuar për përvetësimin e drogës.

Rexhepi i cilësoi si të fabrikuara komunikimet të përgjuara në aplikacionin SkyECC – një platformë e përdorur gjerësisht nga rrjetet kriminale.

“Nuk kam pasur asnjë komunikim në SkyECC për Jan Prengën. Në atë periudhë kam qenë i izoluar. As e kam ditur fare se çfarë kishte ndodhur në Angli me atë sasi kokaine. Nuk kam pasur dijeni, nuk kam pasur lidhje.”

Ai përmendi edhe gazetarin Artan Hoxha si një ndër personat përmes të cilit përpiqej të dërgonte mesazhe në opinion: “Fola me gazetarin Artan Hoxha përmes kunatit tim, Dorjan Velaj. I dhashë disa foto që ai më pas i publikoi. Kjo është gjithçka që kam bërë lidhur me këtë ngjarje.”

Pas këtyre deklaratave, trupa gjykuese urdhëroi largimin e gazetarit Hoxha nga salla dhe refuzoi kërkesën e prokurorisë për mbajtjen e gjyqit me dyer të mbyllura. Seanca vazhdoi në mënyrë publike dhe u vendos që seanca e radhës të mbahet më 7 maj 2025, ku u urdhërua  shoqërimi i detyrueshëm i Aldo Manjishtës, një nga personat e akuzuar për rrëmbimin e Prengës.

Hetimet zbulojnë se Jan Prenga u rrëmbye në Kamëz, si hakmarrje për një vjedhje të dyshuar të lëndës narkotike nga vëllai i tij në Angli. Ai dyshohet se humbi jetën gjatë rrugës për në resortin e Hajrit në Shijak. Edhe pse Policia ka siguruar prova filmike për zhvendosjen e trupit të tij, trupi nuk është gjetur ende.

Sabina Nika
Gazetare |  + posts

Gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri”- RRKOKSH.
Studente në fakultetin e historisë dhe filologjisë, Universiteti i Tiranës.