Drejtuesi i Prokurorisë Speciale, (SPAK), Altin Dumani ngriti shqetësimin se në të gjithë hetimet e kryera me objektiv krimin e organizuar janë gjetur lidhje me zyrtarë të cilët janë korruptuar dhe akoma më rëndë, janë bërë pjesë e grupeve kriminale.
“Një shtyllë e suksesit të SPAK ka qenë bashkëpunimi ndërkombëtar. Në të gjitha hetimet tona ku në fokus ka qenë krimi i organizuar kemi gjetur lidhje të këtij të fundit edhe me zyrtarë të cilët janë korruptuar apo janë bërë pjesë e grupeve të krimit të organizuar. SPAK nuk mund të luftojë i vetëm korrupsionin dhe ka nevojë për bashkëpunim. “I kemi bërë thirrje dhe shprehim gatishmërinë për bashkëpunim”, – tha Kreu i SPAK në takimin e Komisionit të Monitorimit të Këshillit të Europës.
Duke u ndalur në sekuestrimin e pasurive që dyshohet se rrjedhin nga veprimtari të krimit të organizuar dhe korrupsionit, Dumani tha se që nga ngritja e SPAK dhe deri më tani janë sekuestruar asete në vlerën 150 milionë euro. “Krahas ushtrimit të ndjekjes penale, në fokus të SPAK është edhe identifikimi dhe konfiskimi i produkteve te veprës penale si për subjekte që janë ndjekur penalisht për veprën penale të korrupsionit dhe krimit të organizuar. Nga data e krijimit të SPAK deri ditën që flasim kemi sekuestruar një total asesh 150 mln euro”, tha Dumani.
Suksesin e punës së SPAK e lidh me bashkëpunimin ndërkombëtar dhe përmirësimin e infrastrukturës logjistike në hetimin e veprave penale të lidhura me korrupsionin dhe krimin e organizuar. “SPAK është në vijën e parë të luftës ndaj korrupsionit, duke ndjekur një qasje të bazuar në transparencë bashkëpunim ndërkombëtar dhe rezultate konkrete. Pavarësia institucioneve, kapacitetet njerëzore dhe teknike kanë dhënë rezultate premtuese që janë përkthyer në çështje konkrete” – tha Dumani, teksa theksoi se “kemi një laborator modern të përgjimeve, një laborator modern të ekspertizës kriminalistike, gjithashtu kemi investuar në mjete dhe teknologji bashkëkohore që na shërben në kryerjen e hetimeve të suksesshme”.
Gjithashtu ai kërkoi që të shihet me prioritet mundësia e ndryshimeve ligjore për tu dhënë mundësi prokurorëve të SPAK që pas përfundimit të mandatit 9-vjeçar të rikandidojnë, pasi me ligjin aktual është e përcaktuar se kur përfundon mandate 9-vjeçar e kthen prokurorin e SPAK në prokurorinë ku ka qenë më parë.
RRKOKSH (Rrjeti për Raportimin e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri), organizata juaj kryesore mediatike investigative e angazhuar për të hedhur dritë mbi krimin e organizuar dhe korrupsionin në të gjithë Shqipërinë. Nëpërmjet platformës sonë online në shteg.org, ne ofrojmë një gazetari të plotë dhe me ndikim që synon jo vetëm të informojë, por edhe të nxisë ndryshimet shoqërore.