Dy seanca të pamjaftueshme për të vendosur fatin e Erion Veliajt

Dy seanca të zhvilluara në Apelin e Posaçëm nuk arritën të nxjerrin një vendim përfundimtar për kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj, i akuzuar për korrupsion dhe pastrim parash.

500
Veliaj dhe avokatët e tij
Credits: shteg.org

Seancat gjyqësore që u zhvilluan në Apelin e Posaçëm për kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj, në dy ditët e fundit, përfunduan pa një vendim përfundimtar për kërkesën e tij për një masë më të butë sigurie.

Seanca e 12 marsit 2025, e cila ka zgjatur rreth tre orë, u karakterizua nga një fjalim i gjatë i avokatit të Veliajt, Artur Selmani dhe reagime nga vetë kryebashkiaku. 

Një ditë më parë, prokurorët Vladimir Mara dhe Altin Dumani paraqitën prova të reja, që përfshinin regjistrime të bisedave telefonike dhe përgjime të tjera të kryebashkiakut Veliaj. 

Këto prova dyshohen të jenë mbledhur nga organet e drejtësisë dhe të përdorura për të vërtetuar akuzat për korrupsion dhe pastrim parash që rëndojnë ndaj tij. Mbrojtja kërkoi kohë për t’u njohur me këto prova dhe për t’i kundërshtuar, duke theksuar se këto informacione ishin të paligjshme dhe nuk duhej të pranoheshin si provë.

Veliaj ka kundërshtuar këto prova, duke i cilësuar si të paligjshme dhe të manipuluara, duke theksuar se përgjimet e bisedave të tij private dhe familjare janë përdorur për ta dëmtuar atë politikisht. Ai ka kërkuar që procesi të zhvillohet me dyer të hapura, duke i dhënë mundësi të shprehet hapur për të mbrojtur emrin dhe postin e tij si kryebashkiak i Tiranës.

Në këtë seancë, Veliaj ka kërkuar gjithashtu që të lirohet nga burgu dhe të vendoset në një masë më të butë sigurie. Kjo kërkesë është mbështetur edhe nga avokatët e tij, të cilët kërkuan që ai të lirohej, duke argumentuar se provat që janë dorëzuar deri tani nuk janë të mjaftueshme për të justifikuar masën e “arrestit me burg”.

Pavarësisht argumenteve të mbrojtjes mbi qëndrimin për provat e reja, gjykata nuk arriti të shpallë një vendim, duke e shtyrë shqyrtimin për ditën e nesërme ora 10:00.

Një ditë më parë, më 11 mars, u zhvillua seanca e parë në Apel për ankimin e masës së sigurisë “arrest me burg” ndaj Veliajt dhe biznesmenit Elman Abule si dhe për heqjen e masës detyrim paraqitje për 3 biznesmenëve.

Në gjykatë u paraqitën gjithashtu biznesmeni Elman Abule, i cili ndodhet nën masën e “arrestit me burg”.

Edhe 3 biznesmenët e përfshirë në këtë çështje të akuzuar për korrupsion, përmes avokatëve të tyre, ata kërkuan shfuqizimin e masës “detyrim paraqitjeje”, me argumentin se provat nuk janë të mjaftueshme.

Seanca e radhës për çështjen e Veliajt pritet të zhvillohet më 13 mars 2025, ku do të merret një vendim për kërkesën e tij për një masë më të butë sigurie.

Erjon Veliaj, i cili mbahet në qeli që prej 10 shkurtit, është nën akuzë për “Korrupsion pasiv” dhe “Pastrimin e parave”, vepra që dyshohet se i ka kryer në bashkëpunim me bashkëshorten e tij, Ajola Xoxa. Kjo e fundit ndodhet nën masën “detyrim paraqitjeje” dhe po hetohet gjithashtu për mosdeklarim pasurie.

Sabina Nika
Gazetare |  + posts

Gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri”- RRKOKSH.
Studente në fakultetin e historisë dhe filologjisë, Universiteti i Tiranës.