Dy të shumëkërkuar shqiptarë ekstradohen nga Emiratet e Bashkuara Arabe

Dashnor Dumani, i akuzuar për vrasje të trefishtë dhe pjesëmarrje në grup kriminal dhe Armes Stafa, i dyshuar për pastrim parash, bien në prangat e Interpolit në kuadër të operacionit “The Wanted”.

378
Dashnor dhe Nuredin Dumani
Credits: Policia e Shtetit - Dashnor dhe Nuredin Dumani

Dy shtetas shqiptarë të shpallur në kërkim ndërkombëtar, Dashnor Dumani dhe Armes (Artemis) Stafa, ekstradohen nga Emiratet e Bashkuara Arabe drejt Shqipërisë, falë një bashkëpunimi të ngushtë mes Interpol Tiranës dhe Interpol Abu Dhabit, në kuadër të operacionit ndërkombëtar “The Wanted”.

Të dy personat janë të dyshuar për përfshirje në veprimtari të rënda kriminale dhe ndaj tyre janë caktuar masa sigurie me arrest në burg nga Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO).

Dashnor Dumani, vëllai i Nuredin Dumanit, i konsideruar një nga personazhet kyç të botës së krimit – është nën hetim për disa vepra të rënda penale, përfshirë vrasje me paramendim, vjedhje me armë dhe armëmbajtje pa leje, të kryera në kuadër të një organizate kriminale.

Sipas dosjes hetimore, në vitin 2018, ai dyshohet se ka qenë ekzekutori i masakrës në fshatin Bradashesh, ku mbetën të vrarë tre persona: Endrit Alibej, Arben Dylgjeri dhe shtetasi turk Erdal Durunay. Emri i tij është përmendur edhe në procesin “Plumbi i Artë”, ku Erion Alibej ka dëshmuar se kishte identifikuar Dumanin si njërin nga atentatorët.

Gjithashtu, në vitin 2019, Dumani dyshohet se, në bashkëpunim me Admir Nikaj (Murataj), ka marrë pjesë në djegien e një automjeti të përdorur gjatë një grabitjeje në aeroportin e Rinasit. Ai ka edhe një dënim të mëparshëm nga Gjykata e Durrësit për armëmbajtje pa leje, për të cilin i kanë mbetur pa vuajtur edhe 1 vit e 4 muaj burg.

Ndërkohë, shtetasi Armes (Artemis) Stafa akuzohet për pastrim parash, veprimtari e kryer sipas Prokurorisë në funksion të një organizate kriminale. Sipas hetimeve, ai ka ndihmuar vëllezërit Franc dhe Hajdar Çopja në legalizimin e të ardhurave të paligjshme përmes transaksioneve të ndryshme, kryesisht shitblerjes së automjeteve.

GJKKO ka caktuar ndaj tij masën “arrest në burg” në mungesë, në vitin 2023.

Kapja dhe ekstradimi i Dumanit dhe Stafës u realizua nga autoritetet e sigurisë në Dubai, pas një shkëmbimi informacioni me strukturat e specializuara të Policisë së Shtetit dhe partnerëve ndërkombëtarë.

Sabina Nika
Gazetare |  + posts

Gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri”- RRKOKSH.
Studente në fakultetin e historisë dhe filologjisë, Universiteti i Tiranës.