Dyshimi për ndotje, gjobitet kompania e përpunimit të mbetjeve shtazore

Agjencia Kombëtare e Mjedisit gjobiti me 1.000.000 lekë kompaninë “I.N.C.A” pas ankesës së banorëve të zonës së Lezhës. Në një peticion me 1700 firma banorët pretendojnë se fabrika ka shkaktuar ndotje të mëdha mjedisore.

Protesta e banorëve në Lezhë
Credit: BoldNews

Pas shumë kundërshtimesh dhe ankesash nga qytetarët e Lezhës dhe aktivistë të shoqërisë civile, për fabrikën e përpunimit të mbetjeve shtazore, Agjencia Kombëtare e Mjedisit ka reaguar me masa administrative në lidhje me dyshimin për ndotje.

Më 7 nëntor është marrë vendimi përfundimtar nga grupi i inspektimit të Drejtorisë Qendrore të Agjencisë Kombëtare të Mjedisit, për të gjobitur me masë administrative gjobë me vlerë 1,000,000 lekë.

Për më tepër, dyshimi për ndotje ka shtuar presionin mbi autoritetet për të marrë masa më të rrepta ndaj kompanisë së përpunimit të mbetjeve shtazore.

“Subjekti shkarkon ujëra teknologjike mbi normat e lejuara të lejes mjedisore” konstaton AKM-ja, duke shtuar njëkohësisht që të merret masa për pezullim të shkarkimeve të ujërave që dalin nga procesi teknologjik i përpunimit të mbetjeve shtazore dhe dyshimi për ndotje është i qartë.

Reagimi i Agjencisë Kombëtare të Mjedisit erdhi pas disa protestave të banorëve të zonës dhe një peticioni nga ana e tyre që mban firmën e 1700 qytetarëve.

Subjekti “I.N.C.A” sh.p.k, ushtron aktivitetin që nga viti 2020 në zonën industriale të Lezhës në përpunimin e mbetjeve shtazore, sidomos për pastrimin e zorrëve të derrit dhe deleve, konservimin e peshkut dhe produkteve të detit dhe prodhimin e vajit me origjinë shtazore.

Kjo kompani u mbështet në atë kohë nga qeveria Shqiptare dhe Bashkimi Europian (BE-ja) për pajisje dhe makineri në kuadër të programit “IPARD II”, duke marrë një investim prej rreth 135 mijë euro.

Protestuesit kanë ngritur shqetësime lidhur me ndotjen që ka shkaktuar fabrika, kryesisht në formën e aromave të rënda në momentin që vihej në punë impianti, si dhe shkarkimin e ujrave të ndotur në kanalin që lidhej me njërën nga degët e lumit Drin. Banorët shprehen se ishte e vështirë që të provohet ndotja, pasi kompania lajmërohej gjithmonë para kontrolleve dhe dilte pa asnjë lloj problematike nga raportimet.

“Kam ardhur këtu sot se më është zënë fryma! Këta mund të sjellin letra sa të duan, por letrat ne e dimë se si bëhen. Nuk më interesojnë letrat, ejani merrni erë atje, në rast se është e pranueshme unë tërhiqem” – theksoi gjatë protestës një banor i zonës.

Kompania drejtohet nga Alban Zusi, një sipërmarrës i njohur në zhvillimin e industrisë së produkteve shtazore në Shqipëri, i cili ka mbajtur dhe postin e ish-zv.ministër i Bujqësisë në mandatin e parë të qeverisë së Edi Ramës. Të kontaktuar nga “shteg.org” kompania nuk dha koment me argumentin se çështja është në proces administrativ dhe gjyqësor.

Problematikën e ka ngritur në kuvend edhe nënkryetari i parlamentit, Agron Gjekmarkaj. “Banorët e lagjes “Skënderbeg” dhe të “Grykë Zezës” por jo vetem ata, krejt zona përreth prej vitesh bashkëjeton me një situatë ekologjike alarmuese. Një fabrikë e përpunimit të mbetjeve shtazore ka dëmtuar rëndë cilësinë e jetës së tyre edhe atë shëndetësore! Sa herë impianti ndizet nje erë e tmerrshme pushton zonën! Kjo ndodh natën dhe ditën në çdo stinë!”- ka deklaruar Gjekmarkaj.

+ posts

Ajla Starja është gazetare në redaksinë shteg.org

Ka përfunduar studimet për inxhinjeri mjedisi dhe është angazhuar në projekte për qëndrueshmërinë ekonomiko-mjedisore, politikat ambientaliste pjesë e Agendës 2030. Përgjatë karrierës ka qënë Youth Delegate e UNITE 2030 Cohort 6 New York, Ambassador e Happy Earth, Volunteer e Red Cross dhe pjesëmarrëse në tematikë kërkimore të Summer Camp Research of Rostock Germany.

Bjorn Alija është gazetar pranë redaksisë shteg.org