Dyshohet se mori pjesë në rrëmbimin e Jan Prengës, Altin Hajri do të gjykohet në mungesë

1013
Kompleksi Golden
Credits: Policia e Shtetit - Kompleksi Golden

Gjykata e Posaçme ka vendosur të kalojë në gjykim dosjen kundër Altin Hajrit, i dyshuar si i përfshirë në rrëmbimin dhe zhdukjen e Jani Prengës. 

Gjyqtari paraprak ka vendosur që hetimi gjyqësor të vijoj në mungesë dhe duket se pezullimi i procesit për gati një vit, me qëllim njoftimin e Hajrit për akuzat, nuk ka dhënë rezultat. 

Hajri nuk është arrestuar ende nga policia ndërsa në lidhje me këtë ngjarje, më herët gjykata ka dënuar Festim Bexhdilin me burgim të përjetshëm, ndërkohë ka nisur gjykimi për Dritan Rexhepin dhe të pandehurit e tjerë, proces i cili është drejt fazës së fundit.

Jan Prenga u rrëmbye në Kamëz në vitin 2020, pasi dyshohet se vëllai i tij kishte vjedhur një sasi të konsiderueshme lënde narkotike në Angli.

Për shkak të dhunës së ushtruar në automjetin tip “Range Rover” ai humbi jetën rrugës drejt një resorti në Shijak, pronë e Hajrit, ku është edhe vendi i fundit që ai është parë. Ndërkohë, trupi i tij ende nuk është gjetur.

Policia provoi me anë të pamjeve filmike praninë e trupit të tij dhe vendosi pas hekurave Leonard Hajri, Bajram Hajri, Festim Bexhdili, Olsi Turja si dhe Ardian Docaj, ndërsa sot në burg ka mbetur vetëm kopshtari Festim Bexhdili.

Emri i Altin Hajrit u bë i njohur për gjatë operacionit Enigma të 2015-s, ku u arrestuan 16 persona, u sekuestruan 450 kilogramë drogë e përpunuar dhe me qindra kilogramë marjuanë dhe kokainë. Ai u shapll në kërkim së bashku me vëllain e tij, Emiljanin, të cilësuar si “koka të grupit”. 

Po ashtu është akuzuar edhe nga Guardia di Financa e Venecias si njëri prej krerëve të organizatës kriminale që transportonte heroinë nga Afganistani drejt Italisë. Autoritetet italiane vendosën emrin e tij në listën e personave të kërkuar, por pas disa muajsh hetimet ndaj tij u  pushuan. 

Hajri rezulton i arratisur nga drejtësia që prej qershorit në 2017, kur u dënua në mungesë me 7 vite burg nga Gjykata e Shkallës së Parë në Durrës, për vrasje të mbetur në tentativë dhe armëmbajtje pa leje.

Dallandyshe Xhaferri
+ posts

Dallandyshe Xhaferri është gazetare në "Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri" - RRKOKSH. Ajo ka studiuar Gazetari në Universitetin “Aleksandër Xhuvani” dhe ka marrë pjesë në shkëmbime studentore në Poloni dhe SHBA. Në Poloni, ka ndjekur një semestër në "Journalism and Management" në Universitetin "Papa Gjon Pali II", ndërsa në SHBA ka marrë leksione mbi gazetarinë në Kolegjin e Bostonit. Gjatë katër viteve të fundit, ajo ka punuar si gazetare në organizata të ndryshme me fokus gazetarinë cilësore dhe ka qenë e angazhuar në projekte të IFES, East West Management Institute dhe Rana Labs.