Edhe Gjykata e Apelit lë në burg Erion Veliajn

Gjykata rrëzoi kërkesat e çiftit Xoxe-Veliaj, duke lënë në fuqi masën e "arrestit në burg" për kryebashkiakun dhe sekuestron e pasurive të bashkëshortes së tij.

482
Erion Veliaj Spak
Credits: LSA

Gjykata e Posaçme e Apelit (GJKKO) ka lënë në fuqi vendimin e Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë, duke legjitimuar masën “arrest në burg” për Kryebashkiakun e Tiranës Erjon Veliaj. Ditën e sotme 13 mars 2025, gjyqtari Engert Pëllumbi shpalli vendimin duke e lënë Veliajn në qeli, ku mbahet prej më shumë se një muaji nën akuzë “për korrupsion pasiv e pastrim të parave”.

Kryebashkiaku Veliaj ankimoi masën e “arrestit në burg” duke kërkuar masë më të butë sigurie edhe kundrejt garancisë pasurore, por kërkesa u rrëzua nga trupa gjykuese.

Avokati i Veliajt, menjëherë pas shpalljes së vendimit, reagoi duke e quajtur atë një vendim të padrejtë.

“Klienti im është i pafajshëm dhe do të vazhdojmë të luftojmë për të siguruar lirimin e tij. Kërkesa për një masë më të lehtë sigurie ka qenë e drejtë dhe ne do ta apelojmë këtë vendim.” – deklaroi Maksim Haxhia.

Avokati theksoi gjithashtu se Erion Veliaj ka ofruar garanci të mjaftueshme për t’u paraqitur në gjykatë dhe se ai ka qenë gjithmonë i gatshëm të bashkëpunonte me autoritetet. Ai u shpreh se masat e sigurisë duhet të jenë proporcionale me rrezikun e mundshëm, dhe se nuk ka prova që të mbështesin akuzat e ngritura ndaj Veliajt.

“Ne besojmë se është e padrejtë të mbahet Erion Veliaj në burg në këto kushte, kur kemi garantuar se ai do të qëndrojë në Shqipëri dhe nuk do të pengojë hetimet.” – vijoi Haxhia.

Avokati i kryebashkiakut ka bërë thirrje për një shqyrtim të kujdesshëm të masës dhe është shprehur se ka të dhëna dhe prova që mbështesin pafajësinë e klientit të tij.

E vetmja kërkesë e ankimuar që u pranua nga gjykata për zbutjen e masës ishte në ngarkim të biznesmenit Elman Abule. Masa e “arrestit në burg” për Elman Abule është zbutur në “arrest shtëpie”, ndërsa ai është akuzuar për pastrim parash.

Nga ana tjetër, gjyqtari i Posaçëm ka zbutur masën e sigurisë nga arrest me burg në arrest shtëpie për biznesmenin Elman Abule, i akuzuar për pastrim parash në çështjen e Veliajt. Abule, kërkoi masë tjetër me argumentin se mungesa e tij po i shkatërron biznesin ndërsa ka edhe arsye familjare.

Masa detyrim paraqitjeje është lënë në fuqi për 3 biznesmenët Gentian Sula, Meriman Palushi dhe Shkëlqim Fusha, të cilët akuzohen për korrupsion aktiv.

Erion Veliaj  është vënë nën hetim dhe më pas arrestuar pasi dyshohet se ka përfituar përmes familjarëve të tij të ngushtë ose edhe personalisht, shpërblime apo përfitime të tjera nga disa biznesmenë në nëntë raste.

Sipas Prokurorisë janë gjetur prova të cilat krijojnë dyshimin e arsyeshëm mbi ekzistencën dhe funksionimin e një skeme korruptive, nga zbërthimi i së cilës në përmbledhje rezulton se fondet publike të Bashkisë së Tiranës kanë kaluar drejtpërsëdrejti tek bashkëshortja e Veliajt ose rrethi i saj familjar.

Hetimet treguan se Veliajt ka përfituar përmes kësaj skeme një vilë në Qerret si dhe të ardhura me vlerë 110 milionë lekë, në këmbim të lejeve të ndërtimit dhe fondeve publike dhënë biznesmenëve që gjithashtu nën hetim.

Prokuroria thotë se ka prova që Erion Veliaj është në dijeni të këtyre transaksioneve ndërsa skema duket së është realizuar nëpërmjet 3 organizatave jofitimprurëse dhe 3 kompani janë të kontrolluara nga Xoxe dhe biznesmeni Elman Abule.

Veliaj i ka mohuar akuzat dhe ka deklaruar se është bërë objekt i një hetimi të padrejtë.

Sabina Nika
Gazetare |  + posts

Gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri”- RRKOKSH.
Studente në fakultetin e historisë dhe filologjisë, Universiteti i Tiranës.