“Edhe kësaj radhe…” Pesha e përjetshme e një vendimi

Gjykata e Apelit lë në fuqi vendimin e Shkallës së parë për kopshtarin Festim Bexhdili i cili u dënua me burgim të përjetshëm i akuzuar në përfshirjen dhe zhdukjen e Jan Prengës.

45
Festim Bexhdili
Credits: shteg.org - Festim Bexhdili

Në sallën e Gjykatës së Apelit të Posaçëm, përtej xhamit të kafazit të hekurt, Festim Bexhdili ngriti kokën i hutuar. Trupi gjykues kishte folur, por ai nuk e kishte kuptuar. Ishte një tjetër fjali e rëndë për një njeri që prej më shumë se katër vitesh jeton në hijen e një krimi brutal, rrëmbimi dhe zhdukja e Jan Prengës, ngjarje që tronditi opinionin publik në janar të vitit 2020.

Avokati i tij, Ilir Murati, iu afrua pranë, i foli qetë në vesh dhe i shpjegoi “i njëjti vendim si më parë, burgim i përjetshëm.

“Edhe kësaj radhe…” – murmuriti Bexhdili, duke ulur kokën dhe duke psherëtirë thellë.

Vendimi u dha brenda pesë minutash nga trupa gjykuese e kryesuar nga gjyqtari Engert Pëllumbi. Nuk pati as lëkundje, as debat. Gjykata la në fuqi dënimin e dhënë më 29 shtator 2022 nga Shkalla e Parë e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

I vetmi i dënuar për një zhdukje pa trup

Kompleksi Golden
Credits: Policia e Shtetit – Kompleksi Golden

Festim Bexhdili është i vetmi person i dënuar me burgim të përjetshëm për çështjen e Jan Prengës, një dosje që lidhet me pazare të humbura droge në Londër, por që u luajt me mizanskenë e frikshme të rrëmbimit, zhdukjes dhe dyshimeve për vrasje brenda një resorti në Shijak.

Jan Prenga u rrëmbye më 17 janar 2020 në Kamëz, mesditën, pranë banesës së tij. Hetimet zbuluan se ngjarja ishte një formë hakmarrjeje për një ngarkesë të humbur kokaine në Britani, ku dyshohet të ishte i përfshirë vëllai i tij. Prenga, sipas dosjes, vdiq gjatë rrugës për në resortin e Altin Hajrit në Shijak. Trupi i tij nuk është gjetur as sot.

“E pashë trupin në sedilje, më thanë se ‘ka vdekur njëri’ – tha në një dëshmi të dhënë tre muaj më parë, Bexhdili ku rrëfeu për herë të parë me detaje pjesëmarrjen e tij në atë që ai e quajti një situatë të frikshme, ku ai nuk kishte kontroll.

Ai tha se më 16 janar 2020 ndodhej në vendin e punës, duke pastruar pishinën e resortit, kur një makinë hyri me shpejtësi. Në sediljen e pasme të një Range Roveri ndodhej, sipas tij, një trup i pajetë.

“Më thanë ka vdekur njëri… u tremba. Nuk ia pashë fytyrën. Më kërkuan ta kalonim trupin në një fugon. Pranova nga frika – kishin armë në brez,” – deklaroi Bexhdili.

Sipas dëshmisë, Bexhdili pranoi që në vend u paraqit edhe Altin Hajri, pronari i resortit.

“Erdhi Altin Hajri dhe iu bërtiti çfarë doni këtu, erdhi përpara zhvendosjes së trupit dhe bërtiti e i shau, iu kërkoi të iknin shpejt nga vendi” -përshkroi Bexhdili.

“Pastaj më kërkuan kazëm dhe lopatë. Ua dhashë…” – tha Bexhdili, duke pretenduar se veprimet e tij nuk ishin bërë me dëshirë, por nën presion.

Në dëshminë e tij, ai pretendoi se pas përfundimit të veprimeve, ishte larguar për në shtëpinë e tij në Kavajë.

“Ika direkt në shtëpi, në Kavajë. Fjeta gjumë. Të nesërmen shkova në punë si zakonisht,” – tregoi ai duke shtuar se edhe fugoni ishte rikthyer po ashtu.

“Në bagazh kishte njolla gjaku. I pastrova vetë me leckë. Thirra edhe Olsi Turjan për ndihmë për të pastruar si zakonisht, por ai nuk ishte në dijeni çfarë kishte ndodhur një ditë më parë,” – deklaroi Bexhdili.

Avokati i Bexhdilit dhe prokurori Behar Dibra kërkuan një dënim më të lehtë për kopshtarin e resorit, 20 vite burgim, duke argumentuar se ai nuk kishte qenë pjesë e grupit kriminal.

Dibra tha në sallë se mungonin provat për ta lidhur të pandehurin me organizatorët e rrëmbimit dhe se Bexhdili ishte thjesht një punonjës i zakonshëm, që gjendej në vendin e gabuar, në kohën e gabuar.

Por ky interpretim nuk u mbështet nga Apeli. Trupa gjykuese nuk e pranoi versionin e një akti të imponuar nga frika. Për drejtësinë shqiptare, veprimet e Bexhdilit përbëjnë bashkëpunim të qëllimshëm në zhdukjen e trupit të një pengu të rrëmbyer, që nuk është gjetur as sot.

Festim Bexhdili është i pandehuri i vetëm i dënuar nga organet e drejtësisë për çështjen e rrëmbimit dhe zhdukjen e pengut Jan Prenga, çështje gjyqësore e cila ishte kthyer për rishqyrtim nga Gjykata e Lartë pas prishjes së vendimit të mëparshëm të Apelit.

Të tjerët janë ende në kërkim ose jashtë juridiksionit. Ndërkohë, pas katër vitesh hetime, seancash dhe dëshmish të përcipta, trupi i Jan Prengës mungon. Nuk ka as varr, as kufomë, as prova materiale për të përmbyllur dhimbjen e një familjeje.

Bexhdili, edhe në seancën e fundit, këmbënguli për pafajësi. Por për gjykatën, provat janë të mjaftueshme për t’i lënë mbi supe peshën e një vendimi që nuk do të ndryshojë kurrë.

Burgim i përjetshëm.

Sabina Nika
Gazetare |  + posts

Gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri”- RRKOKSH.
Studente në fakultetin e historisë dhe filologjisë, Universiteti i Tiranës.