Hetimet e Prokurorisë së Posaçme zbuluan se një prej grupeve kriminale që vepronin në qytetin e Elbasanit ia kishin dalë të rekrutonin për të përfituar lehtësira penale jo vetëm punonjës së administratës gjyqësore por edhe gjyqtarë, avokatë dhe funksionarë të lartë të policisë lokale.
Hetimi që çoi në goditjen e organizatës së Suel Çelës ka patur si bazë, ndër të tjera, komunikimet e koduara përmes Sky ECC dhe Encrochat-it, dhe është zhvilluar në bashkëpunim me autoritetet e drejtësisë së Francës, Belgjikës, Holandës, Ekuadorit si dhe me Europol-in dhe Eurojust-in.
Ish-kryetarja e gjykatës së Elbasanit, Pajtime Fetahu por dhe zëvendës shefi i krimeve të policisë lokale, Dedan Gjoni dyshohet ishin rekrutuar për të lehtësuar ndëshkimet penale në proceset gjyqësore të ngritura ndaj kësaj bande.
Hetimet e prokurorisë zbuluan dhe aktivitetin kriminal të bandës që dyshohet se është e përfshirë jo vetëm në trafikun e lëndëve narkotike por dhe në një seri vrasjesh që kanë ndodhur vitet e fundit në qytetin e Elbasanit.
Me akuzat që nisin nga vrasjet, trafikim i lëndëve narkotike, korrupsioni i zyrtarëve të lartë por edhe tek pjesëmarrje në organizatë kriminale më 26 nëntor Gjykata e Posaçme caktoi masën e sigurisë me burg ndaj 19 personave. Sipas Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar grupi i drejtuar nga Suel Çela ishte përqendruar në trafikun e kokainës nga Amerika Latine, si dhe ishte përfshirë në vrasje e tentativa për vrasje, goditjen e një organizate rivale në qytetin e Elbasanit, si dhe korruptimin e funksionarëve të policisë dhe drejtësisë.
Të akuzuar si të rekrutuar nga organizata dyshohet se ishin edhe gazetarë, roli i të cilëve sipas hetimeve ishte të publikonin artikuj dhe video që keq informonin dhe manipulonin opinionin publik.Të përfshirë në këtë hetim janë dy gazetarët e njohur të kronikës Artan Hoxha dhe Elton Qyno, ndaj të cilëve gjykata ka vendosur masat e sigurisë “me detyrim paraqitjeje”, por akuzat e prokurorisë janë kundërshtuar nga gazetarët.
Gjyqtarja që bashkëpunoi me organizatën

Fuad Verzivolli një biznesmen në qytetin e Elbasanit i shpëtoi për mrekulli një atentati të organizuar ndaj tij më 6 maj të 2017. Makinës së tij i ishte vendosur një sasi prej 1 kg tritol të llojit C4, dhe si autorë të kësaj ngjarje policia arrestoi një shtetas Astrit Sinanaj. Në vitin 2020, me vendim të gjykatëses së Elbasanit Pajtime Fetahu, autori i kësaj ngjarjeje u dënua me 25 vjet heqje lirie.
7 vite më vonë, kur hetimet e prokurorisë zbardhën aktivitetin kriminal të organizatës së drejtuar nga Suel Çela, ngjarja e atentatit tregohet i ndikimit të drejtësisë kjo bandë kriminale. Hetimet e kryera në bisedat e realizuara midis Klaus Metishit dhe Suel Çelës kanë hedhur dyshime se nëpërmjet korruptimit të ish-gjyqtares Pajtime Fetahu, Çela ka ndikuar në marrjen e vendimit për dënim maksimal të Astrit Sinanaj.
Në këmbim të “dëshirës” së plotësuar, dyshohet se ish-gjyqtarja të ketë marrë para. Ky nuk është rasti i vetëm që gjyqtarja dyshohet të jetë vendosur nën shërbimin e kësaj organizate kriminale. Dyshohet se Çela ka kontaktuar privatisht mbi 13 herë me gjyqtaren Pajtime Fetahun për të ndikuar në gjykimin e anëtarëve të grupit të tij në Gjykatën Elbasanit.
Komunikimet realizoheshin me ndërmjetësimin e vajzës së saj Megi Fetahu, e cila sipas hetimeve të bëra nga SPAK rezulton të jetë në lidhje me Klaus Matishin, anëtar i grupit.
Në dhjetor të vitit 2019, Brikin Rusta, i cilësuar nga Suel Çela si “kushoja i vogël” u arrestua nga Policia e Elbasanit pasi akuzohej për veprën penale të shkatërrimit të pronës me zjarr në bashkëpunim. Rusta akuzohej për zjarrvënien e automjetit tip “Benz” në pronësi të K.K, megjithatë ky fakt mohohej nga Çela, i cili filloi të komunikojë personalisht me Pajtime Fetahun nëpërmejt telefonin SKY ECC në shkurt të 2020-s.
Dyshohet se Fetahu dhe Suel Çela diskutuan për arrestimin e Rustës, ku Çela këmbëngulte se ai nuk kishte lidhje me zjarr-vënien. Bisedat gjithashtu përfshinin edhe plane për të dëmtuar moderatorin Saimir Kodra pas publikimit në emisionin e tij, ku tregoheshin shkeljet dhe abuzimet e Fetahut.
Gjatë shkurtit dhe marsit 2020, komunikimet e zbuluara tregojnë përpjekje për të ndikuar në procesin gjyqësor ndaj Rustës. Përmes së bijës së gjyqtares Fetahu, Sueli u informua për masat gjyqësore dhe këshillohej të vepronte me kujdes, duke u paralajmëruar për përgjime të mundshme.
Gjyqtarja Fetahu ka udhëzuar Çelën të ndikojë në deklaratën e dëshmitarit të çështjes. Ajo i ka thënë Çelës se dëshmitari duhej të ndryshonte qëndrimin e tij duke thënë se nuk e njeh Rustën.
Vendimi për këtë çështje u mor më 6 mars të vitit 2020, ku gjyqtare e çështjes ishte vetë Pajtime Fetahu, e cila caktoi masën me “detyrim paraqitje” në policinë gjyqësore për Brikin Rustën.
Bashkëpunimi midis Pajtime Fetahut dhe Suel Çelës duket se ka vijuar edhe më tej, pasi ish-gjyqtarja e ka ndihmuar në këshillimin e veprimeve dhe takimet që duhej të kryeshin nga Çela për të ndikuar në procesin gjyqësor ku ai ishte i përfshirë.
Çela dyshohet se ka ndikuar në përzgjedhjen e gjyqtares së çështjes Enkeleda Kapedani për të siguruar një vendim gjyqësor në favor të tij. Çështja lidhej me procesin gjyqësor ku të pandehur ishin ai dhe Endri Çopja, të cilëve Gjykata e Shkallës së Parë në Elbasan, me vendim të vitit 2019, u kishte caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” për akuzat e armëmbajtjes pa leje dhe heqjes së paligjshme të lirisë.
Kapedani, është kontaktuar nga grupi i Çelës edhe më shtator të 2020-s, ku i kërkohej të tërhiqej nga gara për t’u vendosur në krye të Gjykatës së Elbasanit, çka do mundësonte marrjen e këtij posti nga Pajtime Fetahu.
Çela i ofroi Kapedanit si dhuratë një makinë 40 mijë euro, të cilën ajo nuk e pranoi. Gjatë garës së bërë gjyqtarja “e preferuar” e Suel Çelës, Pajtime Fetahu mori vetëm një votë, ndërsa Enkeleda Kapedani 4 vota duke u vendosur në krye të Gjykatës Elbasan.
Gjithashtu, Çela dhe Fetahu kanë bashkëpunuar për të punësuar pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan njerëz që ai dëshironte.
Dyshohet se ai ka ndikuar në konfirmimin në detyrë të Najada Hastopallit, një punonjëse pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan. Një komision i përbërë nga Pajtime Fetahu, një gjyqtar i identifikuar me emrin “Zyniu”, dhe kancelari i gjykatës dyshohet se është angazhuar për këtë qëllim. Gjatë kësaj kohe, Çela ka pasur kontakte direkte me kancelarin për të garantuar konfirmimin e Hastopallit në detyrë.
Përvec gjyqtares, i akuzuar si bashkëpunor i organizatës është dhe ish-komisari Dedan Gjoni, i arrestuar më herët për lidhje me organizata kriminale.
Sipas Prokurorisë së Posaçme “duke shfrytëzuar pozicionin e tyre zyrtar e ndihmonin organizatën me informacione, duke ofruar gjithashtu lehtësira dhe ndikime në sistemin gjyqësor në këmbim të favoreve dhe përfitimeve materiale”.
Gjoni, në vitin 2020 mbante postin e zëvendës shefit të komisariatit të Elbasanit dhe dyshohet se ka informuar grupin kriminal të Çelës lidhur me ecurinë e hetimeve të policisë për atentatin ndaj rivalit të tij Ardian Çapjas.
Sipas Prokurorisë së Posaçme, Çela synonte “kontrollin e territorit, kryesisht në Shqipërinë e Mesme, duke përdorur mekanizma të ndryshëm si dhe dhunë të vazhdueshme ndaj grupeve rivale kriminale”.
Prokuroria e Posaçme deklaron se ka arritur të dokumentojë një vrasje të mbetur në tentativë në vitin 2020, përpjekjet për vrasjen e dy personave po në vitin 2020, dy tentativa për trafikimin 930 kg dhe 466 kg kokainë nga Ekuadori, drejt vendeve evropiane, në dhjetor të vitit 2020 dhe në janar të vitit 2021, si dhe “ushtrimin e ndikimit përmes akteve korruptive në segmente të caktuara të sistemit të drejtësisë, policisë së shtetit dhe medias”.
Imazhi i mirë

Të veshur sportiv, ndryshe nga daljet e tyre në studiot televizive, Artan Hoxha dhe Elton Qyno, u paraqitën më 25 nëntor në Prokurorinë e Posaçme (SPAK). Ata u njohën me akuzat dhe gjetjet e prokurorisë për rolin e tyre në organizatën kriminale të drejtuar nga Suel Çela për të ndikuar në opinionin publik, me qëllim dobësimin e pozitave të grupeve rivale.
Ndaj gazetarëve gjykata ka vendosur masën me “detyrim paraqitje” pas akuzave të ngritura nga prokuroria për ”Korrupsion aktiv në sektorin privat”, i kryer në bashkëpunim.
Sipas dosjes hetimore, ata dyshohen se kanë pranuar përfitime monetare për të manipuluar opinionin publik për grupin rival të Çelës.
Prokuroria pretendon se gazetari Artan Hoxha ka pranuar të ketë përfitime monetare nga grupi i Suel Çelës kundrejt publikimit të një fotografie midis Ardjan Çapes dhe Kryeministrit Rama. Hoxha është i akuzuar se ka ushtruar ndikim edhe tek dy gazetarët e tjerë rreth qëndrimeve dhe informacioneve që ata përcillnin në emisionet televizive.
Hoxha ka kundërshtuar akuzat dhe sipas tij Prokuroria nuk ka paraqitur asnjë provë konkrete ku tregohet se ai ka marrë shpërblim nga Suel Çela apo dikush tjetër, pavarësisht bisedave të përfshira në dosjen hetimore të SPAK.
“Unë nuk kam pranuar kurrë përfitime financiare në profesionin tim, nuk e kam shitur kurrë lirinë time në interes të askujt tjetër, qofshin këta drejtuesit e mi në mediat ku kam punuar, politikanë, pushtetarë, funksionarë publik apo ca më keq personazhe të botës së krimit, të cilët unë i kam ekspozuar më shumë se askush tjetër në këtë vend për gjatë 30 viteve” – tha Artan Hoxha “shteg.org”.
Hoxha theksoi se akuza si pjesëtar i një organizate është krejtësisht e pambështetur në prova dhe fakte të vërteta apo të besueshme, ndërsa organi i hetimit ka ngatërruar qëllimisht profesionin e gazetarit, teknikat gazetareske për të marrë informacion me aktivitetin kriminal të një organizate kriminale.
Prokuroria dyshon se gazetari Hoxha ka bashkëpunuar me Çelën për të inskenuar mesazhe kërcënuese ndaj tij dhe medias ku gazetari ishte i punësuar në vitin 2020. Sipas dyshimeve të ngritura në hetim, mesazhet janë inskenuar në mënyrë që gazetari të fokusojë vëmendjen e opinionit publik tek Çapjat, duke i prezantuar ata si të paprekshëm dhe me lidhje të dyshimta me politikën, ndërkohë që ditën e nesërme gazetari është paguar nga Çela për publikimin e këtyre mesazheve gjatë transmetimit të një emisioni në orët e mbrëmjes.
Por, gjatë intervistës për “shteg.org” Hoxha u shpreh se këto dyshime nuk janë të vërteta. Sipas tij, inskenimi i këtyre mesazheve është i panevojshëm pasi ai është kërcënuar realisht.
Përveç dyshimeve të ngritura ndaj gazetarit Hoxha, në dosjen e hetimore përfshihen dhe dyshime të ngritura ndaj gazetarit Elton Qyno. Ndaj tij rëndon akuza e korrupsionit në sektorin privat, pasi dyshohet se është paguar nga Suel Çela për spostimin e një lajmi të raportuar për një konflikt me protagonist babain e tij, Petrit Çela. Ndërkohë, që më tej, nga bisedat e realizuara midis anëtarëve të grupit kriminal në SKY ECC, dyshohet se Qyno është paguar me shumën prej 2000 eurosh për realizimin e shkrimit që rëndon mbi familjen Çapja.
Edhe gazetari Qyno ka mohuar akuzat dhe gjetjet e Prokurorisë së Posaçme që i implikojnë atë në ushtrimin e profesionit të gazetarit.
“Të gjitha shkrimet që pretendohen në dosje janë të vërteta, të mbështetura në dokumenta si vendime gjykatash, dëshmi dhe operacione konkrete të kryera nga Policia e Shtetit, për arrestimin e elementeve kriminale dhe hetimet e kryera”, – thotë Qyno duke shtuar se përpara se lajmi të publikohet ai kalon disa faza paraprake si propozimi në redaksi, miratimi nga kryeredaktori ose redaktori dhe më pas rishikohet.
Përveç Hoxhës dhe Qynos, në dosjen hetimore përmenden dhe emrat e gazetarëve Flamur Vezaj dhe Spartak Koka. Sipas SPAK, gazetari Hoxha ka komunikuar me Vezajn në llogari të Çelës me qëllim për të ndërprerë deklaratat e tij televizive për personat e përfshirë në aktivitetet kriminale.
Të pyetur nga “shteg.org” rreth këtyre dyshimeve, gazetari Vezaj dhe Koka mohuan të jetë kontaktuar nga Hoxha për këtë çështje.
Dallandyshe Xhaferri është gazetare në "Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri" - RRKOKSH. Ajo ka studiuar Gazetari në Universitetin “Aleksandër Xhuvani” dhe ka marrë pjesë në shkëmbime studentore në Poloni dhe SHBA. Në Poloni, ka ndjekur një semestër në "Journalism and Management" në Universitetin "Papa Gjon Pali II", ndërsa në SHBA ka marrë leksione mbi gazetarinë në Kolegjin e Bostonit. Gjatë katër viteve të fundit, ajo ka punuar si gazetare në organizata të ndryshme me fokus gazetarinë cilësore dhe ka qenë e angazhuar në projekte të IFES, East West Management Institute dhe Rana Labs.