Mesditën e së hënës, ish-kryebashkiaku i Kavajës, Elvis Roshi, është paraqitur në ambientet e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK). Burime nga organi i akuzës bëjnë me dije se Roshit i është komunikuar zyrtarisht akuza për “shpërdorim detyre”, në lidhje me një kallëzim penal të bërë nga Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH).
Hetimi përfshin periudhën 2013–2014, kur Roshi drejtonte bashkinë. Nga raporti i KLSH-së rezulton një dëm ekonomik prej 33,792,933 lekësh, i konstatuar në fushat e prokurimeve publike dhe urbanistikës. Në përfundim të auditimit, KLSH ka depozituar kallëzim penal në Prokurorinë e Tiranës, ndërsa rasti është tashmë në duart e SPAK.
Abuzime në tendera dhe leje ndërtimi
Tetë vite pas kallëzimit penal të bërë nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, ish-kryebashkiaku i Kavajës, Elvis Roshi, është paraqitur në dyert e Prokurorisë së Posaçme. I akuzuar për “shpërdorim detyre”, Roshi përballet me hije të rënda korrupsioni që përfshijnë tenderë, shkelje në planifikimin urban dhe keqmenaxhim sistematik në një nga bashkitë kryesore të vendit.
Dosja voluminoze, që daton që nga viti 2015, dhe gjithçka filloi si një auditim rutinë i KLSH-së për periudhën janar 2013 – dhjetor 2014.
Sipas KLSH, dyshohet se Roshi, së bashku me 10 zyrtarë të tjerë të bashkisë, ka shkaktuar një dëm financiar prej 33 milionë lekësh përmes tenderave që lidhen me rikonstruksionin e qendrës së qytetit dhe ndërtimin e disa rrugëve. KLSH ka renditur 12 tendera ku janë konstatuar shkelje, përfshirë përdorimin e standardeve të dyfishta në vlerësimin e ofertave dhe skualifikimin padrejtësisht të operatorëve me ofertën më të ulët.
Hetimet kanë zbuluar se në disa raste specifike, si tenderët për ndriçimin e shëtitores “Indrit Cara” dhe rikonstruksionin e rrugës “Dhimitër Pjeshkazini”, operatorë ekonomikë me oferta më të ulëta janë skualifikuar pa asnjë arsye ligjore, ndërsa fitues janë shpallur kompani me oferta më të larta dhe të papërgatitura dokumentarisht. Disa herë, për të mos anuluar tenderin, janë shpallur fitues të gjithë operatorët, pavarësisht se nuk përmbushnin kriteret minimale.
Në një tjetër rast, dokumentet e tenderit u modifikuan vetëm tre ditë para hapjes së ofertave, një veprim i paprecedentë dhe i paligjshëm që favorizonte hapur kompani të caktuara.
Shkeljet nuk përfundojnë me tenderët. Në sektorin e urbanistikës, kontrollorët zbuluan 12 raste të miratimeve ndërtimore që nuk respektuan distancat ligjore nga kufiri i pronës. Po ashtu, në mbi 20 raste të tjera, lejet e ndërtimit janë dhënë pa dokumentacionin e nevojshëm teknik apo ligjor.
Këshilli Teknik i Bashkisë, organi përgjegjës për certifikimin e lejeve, as që ishte ngritur. Aplikimet për leje nuk ishin regjistruar në sistemin kombëtar, siç e kërkon ligji, duke e lënë çdo vendim pa transparencë.
Përveç Roshit, KLSH ka kallëzuar penalisht edhe 10 drejtues të tjerë të Bashkisë së Kavajës, përfshirë ish-drejtorë të urbanistikës, planifikimit të territorit, taksave vendore dhe inxhinierë. Akuza ndaj tyre variojnë nga “shpërdorim detyre” deri te “shkelja e barazisë në tendera”, të gjitha të sanksionuara nga neni 248 dhe 258 i Kodit Penal.
Sipas raportit përfundimtar të KLSH-së, Bashkia Kavajë nën drejtimin e Elvis Roshit ka shkaktuar një dëm ekonomik prej 33 milionë lekësh përmes procedurave të manipuluara të tenderimit. Por shifra, sado e rëndë, mbulon vetëm majën e ajsbergut. Faturat, kuponët e naftës dhe listat e votuesve të sekuestruara pas zgjedhjeve të 11 majit hedhin hije të tjera mbi praktikat e dyshimta të një rrjeti të organizuar patronazhimi.
Elvis Roshi, megjithëse i larguar nga funksionet zyrtare, mbeti aktiv politikisht. Në zgjedhjet e fundit, ai u shfaq pranë kushëririt të tij Elton Roshi, i cili kandidonte për PD-ASHM. Pas zgjedhjeve, SPAK urdhëroi sekuestrimin e celularit të tij dhe ushtrimin e kontrolleve në një ambient në pronësi të tij, ku u zbuluan dokumente që ngrenë dyshime serioze për ndërhyrje në procesin zgjedhor.

Siç bëjnë me dije burime pranë prokurorisë së posaçme kërkimet e akuzës ndaj Roshit janë orientuar drejt dyshimeve për fshehje të pasurisë dhe mos justifikim të saj.
Hetimet pasurore ndaj ish kryebashkiakut lidhen jo vetëm me shpenzimet por edhe investimet e kryera ndër vite. Llogaritë me SPAK Roshit ju hapën nga një vendim i gjykatës së posaçme e cila refuzoi pushimin hetimeve të prokurorisë së Durrësit mbi kallëzimin e KLSH që gjeti shkelje në tenderat nga ish kryebashkiaku i Kavajës.
Elvis Rroshi dha dorëheqjen nga posti i kryetarit të Bashkisë së Kavajës pasi doli në pah se kishte një dënim penal të mëparshëm në Itali, të cilin pretendon se nuk e kishte ditur. Ligji i ri për dekriminalizimin kërkon që politikanët dhe zyrtarët e lartë të deklarojnë të shkuarën e tyre penale. Rroshi pranoi se kishte pasur probleme me ligjin në Gjermani para vitit 2002, por nuk mbante mend detaje. Një hetim i BIRN kishte zbuluar më parë se ai ishte dënuar në Zvicër për trafik droge dhe ishte deportuar. Kryeministri Edi Rama e mbrojti Rroshin dhe e quajti rastin një pasojë e emigrimit të vështirë në vitet ’90.
Pas dorëheqjes së Rroshit më 31 Maj 2016, Rama i cili e zgjodhi si kandidat për Partinë Socialiste në vitin 2011 dhe 2015, e mbrojti me pasion zgjedhjen e tij dhe vlerësoi arritjet e Rroshit si kryetar bashkie.
“Kur zgjodhëm Elvis Rroshin si kandidat për kryetar bashkie, morëm historikun e tij penal dhe e gjetëm bosh,” tha kryeministri Edi Rama.
RRKOKSH (Rrjeti për Raportimin e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri), organizata juaj kryesore mediatike investigative e angazhuar për të hedhur dritë mbi krimin e organizuar dhe korrupsionin në të gjithë Shqipërinë. Nëpërmjet platformës sonë online në shteg.org, ne ofrojmë një gazetari të plotë dhe me ndikim që synon jo vetëm të informojë, por edhe të nxisë ndryshimet shoqërore.