Erion Veliaj zyrtarisht i pandehur

Kryebashkiaku i Tiranës, bashkëshortja e tij Ajola Xoxa dhe disa biznesmenë përballen me akuza të rënda për pastrim parash, korrupsion dhe përfitime të paligjshme nga tenderë publikë e leje ndërtimi.

89
Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj duke dalë nga ambientet e SPAK
Credit: LSA - Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj duke dalë nga ambientet e SPAK

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, është zyrtarisht nën akuzë nga SPAK me katër akuza të rënda, mes të cilave korrupsion pasiv në 9 raste, pastrim parash, fshehje pasurie dhe futje e sendeve të paligjshme në burg. Në vend që të paraqitej fizikisht në Prokurorinë e Posaçme, siç ishte parashikuar, agjentët e BKH udhëtuan drejt paraburgimit të Durrësit për t’i komunikuar akuzat.

Në këtë dosje të gjerë, e cila përfshin zyrtarë, biznesmenë dhe të afërm të Veliajt, është marrë e pandehur edhe bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa, për të cilën SPAK ngre akuza për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie.

Ndërkohë, disa biznesmenë të njohur në fushën e ndërtimit dhe infrastrukturës janë përfshirë si të dyshuar në skemën korruptive që dyshohet se ka gjeneruar miliona euro përmes lejeve ndërtimore të dhëna në mënyrë të paligjshme.

Hetimet e SPAK, të cilat janë zgjatur deri më 29 shtator, po përqendrohen në një skemë të ndërlikuar që përfshin kompani të lidhura me Xoxën dhe favore financiare të dhëna nga biznesmenë në këmbim të aksesit në tendera dhe leje ndërtimi.

Zhvillimi i Ngjarjes

Mëngjesin e së mërkurës pritej që Erion Veliaj të paraqitej personalisht në ambientet e Prokurorisë së Posaçme për të marrë dijeni mbi akuzat ndaj tij. Por, ndryshe nga çfarë ishte planifikuar, ishte Byroja Kombëtare e Hetimit që udhëtoi drejt paraburgimit të Durrësit, ku Veliaj ndodhet i izoluar që prej arrestimit të tij.

Në institucionin e vuajtjes së dënimit, oficerët e BKH i komunikuan zyrtarisht Veliajt akuzat që rëndojnë ndaj tij, që nisin nga korrupsion pasiv në 9 raste të ndryshme, pastrim parash, fshehje të pasurisë dhe futje e sendeve të paligjshme në burg.

Akuza e fundit lidhet me një episod të datës 11 mars 2025, kur sipas hetimeve, një punonjës i Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, Fatjon Baci, i ka dhënë një telefon celular Veliajt gjatë transportit drejt gjykatës së Apelit të Posaçëm.

Nga ana tjetër, bashkëshortja e kryebashkiakut, Ajola Xoxa, u paraqit në Prokurorinë e Posaçme e shoqëruar nga avokati i saj. Ajo u njoh me akuzat për korrupsion, fshehje të pasurisë dhe pastrim parash.

Sipas burimeve të SPAK, ajo ka përfituar prona dhe favore përmes lidhjeve të saj me biznese ndërtimi. Një prej rasteve konkrete përfshin biznesmenin Mirton Lika, i cili i ka vënë në dispozicion një zyrë në godinën “Sky Tower” në Tiranë me një kontratë “hua përdorje”, të cilën hetuesit e konsiderojnë si “mashtruese dhe me qëllim pastrimi parash”.

“Në këto zyra, që u kontrolluan më parë nga agjentët e BKH, Xoxa ushtronte aktivitet përmes galerisë së saj ‘Harabel’”, thanë burime pranë hetimit. Lidhjet financiare dhe qiradhëniet në kushte jo të zakonshme janë bërë një hallkë kyçe në hetimin që SPAK po kryen mbi pasurinë e bashkëshortes së Veliajt.

Në të njëjtën çështje janë përfshirë edhe disa emra të njohur të biznesit në Tiranë.

Gentian Sula, i cili u paraqit sot në SPAK, akuzohet për “korrupsion aktiv”, ndërsa një ditë më parë, biznesmeni Elman Abule dhe bashkëshortja e tij u njohën me akuzat për “pastrim parash”. Biznesmenët Meriman Palushi, Fatmir Bektashi, Sokol Kryeziu dhe Shkëlqim Fusha janë vendosur nën masën e sigurisë “detyrim paraqitje”, teksa ndaj tyre nuk është bërë ende komunikimi zyrtar i akuzave.

Ndërkohë, për shkak të volumit të lartë të provave dhe lidhjeve të ndërlikuara, SPAK ka vendosur zgjatjen e afatit të hetimeve deri më 29 shtator. 

Ndërsa akuzat e SPAK mbështeten mbi lidhjet mes bashkisë, biznesmenëve dhe kompanive të lidhura me Ajola Xoxën, kryebashkiaku vijon të mohojë çdo përfshirje.

“Ky është një proces kafkian,” ka deklaruar Veliaj në seanca të mëparshme, por përpjekjet e tij për të rifituar lirinë kanë dështuar në çdo shkallë gjyqësore deri më tani.

Sabina Nika
Gazetare |  + posts

Gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri”- RRKOKSH.
Studente në fakultetin e historisë dhe filologjisë, Universiteti i Tiranës.