Gjak, hakmarrje dhe drogë, rrëfimi i Erjon Alibej

Nga një histori personale hakmarrjeje, në rrëfimin më të errët të një krimi të organizuar që shtrihet në Shqipëri, Itali, Angli e Holandë. Dëshmia e Erjon Alibejt para drejtësisë nuk është thjesht një provë për autoritetet por një hartë lufte mes klanesh, ku çdo emër përfaqëson një peshë, një borxh gjaku ose një kontratë vdekjeje.

342
Grupet në Elbasan
Credits: shteg.org - Grupet në Elbasan

Në Apelin e Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) u zhvillua këtë të enjte seanca e radhës për dosjen e njohur si “Plumbi i artë”.

Para togave të zeza ka dëshmuar bashkëpunëtori i drejtësisë, Erion Alibej, ka zbuluar rrjetin e ngushtë të lidhjeve dhe tradhtive brenda krimit të organizuar në Elbasan, ku përfshihen persona të njohur dhe emra të rëndësishëm si Suel Çela, Hajdar dhe Franc Çopia, Arjan Spahiu, Sokol Sanxhaktari, dhe të tjerë.

Alibej rrëfeu për ngjarjet ku vëllai i tij dhe xhaxhai u vranë në një atentat në Bradashesh, duke u përfshirë edhe një mik turk. Ai tha se konfliktet mes grupeve kriminale janë të thella dhe shpesh përfundojnë me hakmarrje dhe vrasje.

Gjithashtu, bashkëpunëtori i drejtësisë tregoi se këto grupe kanë lidhje të fuqishme në Europë, duke transportuar drogë nga Gjermania në Angli dhe Holandë. Sipas tij, kontrolli i tregut të drogës në Elbasan është objekt konflikti të egër mes familjeve kriminale.

Në kërkim të vrasësve

Gjithçka nisi me një vëlla të vrarë dhe një premtim për hakmarrje ndaj autorëve dhe porositësve të vrasjes.

“E dija kush e kishte bërë. E dija që vëllai im u vra për inat dhe porosi. Nuk e lashë me aq. Po kërkoja dikë që t’ma gjente Talo Çelën. I jepja 100 mijë euro për ta vrarë, 200 mijë për ta sjellë të gjallë.”

Me këtë fjali, Erjon Alibej, nis dëshminë e tij para gjykatës mbi ngjarjen e njohur si masakra e Bradashesh ku u ekzekutua vëllai i tij Endriti, Arben Dylgjeri dhe shtetasi turk Yavuz Selim Durgun. Në atentat dyshohet se morën pjesë tre burra të cilët qëlluan më breshëri plumbash  pa lanë asnjë gjallë.

Alibej tregon se ai ishte i pari që mbërriti në vendngjarje. Ishte rrugës për të shpërndarë dhuratat fundvitit kur mori lajmin.

“Kur pashë makinën e Bledar Qoses përballë, kuptova që diçka s’po shkonte. Besmiri më tha se i kanë rënë Endritit. Shkova pashë Endritin, s’kishte puls, pashë dhe xhaxhin as ai s’kishte shenja.

Pastaj erdhi ambulanca, policia. Shkuam në spital, dhe mora lajmin që kishte ndërruar jetë.” – tregoi Alibej.

Në ditët pas atentatit, sipas tij, shumë nga informacionet që merrte lidhnin kryesisht me Suel Çelën, ndërsa vëllezërit Çapja u shfaqën të parët në shtëpi, edhe pse ishin në konflikt me Çelën. 

“Mbaj mend që shumë shpejt më kanë ardhur Hajdar Çapja, Florenc Çapja, Bledar Muça. Muçën e takova për herë të parë, dhe mu afrua e më tha që i kishte thënë Endritit të bënte kujdes. Nga kush e pyes? Nga Suel Çela tha nga kush tjetër” – tregoi i penduari i drejtësisë.

Ai tregoi se pas atentatit, në informacione dhe biseda të ndryshme, u përmend se atentatin e kishte kryer Talo Çela dhe disa bashkëpunëtorë të tjerë, ndërkohë që kishte mosmarrëveshje të mëparshme mes grupeve për trafik droge dhe borxhe.

“Rreth atyre ditëve më është përmend emri i Çapjave dhe ma ka përmend Sokol Sanxhaktari dhe më thonë që atentatin e kryer Talo Çela dhe Dari, (Hajdar Çapja). Në ditën e parë, që akoma nuk i kisha përcjellë në varreza, Franc dhe Hajdar Çapja i kisha aty poshtë shtëpisë dhe të gjithë bisedat e tyre e lidhnin me Suel Çelën dhe për më tepër ato kanë qajt në varrimin e vëllait”. – rrëfeu Alibeaj më tej.

Sipas Alibejt, makina që ishte përdorur në atentat ishte çmontuar në servisin e Shkozës. Ndërkohë, emrat e vëllezërve Çapja dalin si urdhërues dhe financues të atentateve.

Ai rrëfeu se ishte liruar nga paraburgimi në fillim të vitit 2020 dhe menjëherë kishte kontaktuar Arjan Spahiun, një figurë kyçe në këtë rrjet, përmes të cilit ishte organizuar takimi me Dumanin. Takimi ndodhi në një bodrum dy kate poshtë banesës së Alibejt.

“I thashë Arjan Spahiut, më sill dikë që të ma zgjidhë këtë punë. Më solli Dumanin. Erdhi vetë, por nuk e njihte askush. Ishim dy kate poshtë banesës sime, vetëm unë dhe ai. E lashë të fliste.”

Sipas Alibejt, gjatë këtij takimi, Dumani nisi të zbulojë emra, grupe dhe ngjarje që e bënin të qartë se atentati nuk kishte qenë hakmarrje e çastit. Kishte qenë porosi.

“I thashë se unë e dija që vëllai yt, Dashnori, ka qenë në atentat. Nuredini nuk ma pranoi, i thashë të betohej në K’uran, dhe se do ia falja gjakun e vëllait vetëm më thuaj të vërtetën”.

Emri i parë që përmend Dumani në rrëfim, sipas Alibejt, është ai i Dorjan Shkozës, një mekanik me lidhje të thella nëntokësore.

“Vëllezërit Çapja e dhanë urdhrin. E ndanë me Suel Çelën. I kam njohur të gjithë” – vijoi rrëfimin i të penduarit të drejtësisë.

Alibej pranon se, ndonëse viktimë, bëhet pjesë e lojës së krimit duke nisur bashkëpuunimin me Dumanin për organizimin e vrasjeve në shenjë hakmarrje.

“Nuredini më tha që do ta fillojmë nga vrasjet. Çunat i kam gati, për çdo vrasje marr gjysmat e lekëve. I dhashë 50 mijë euro. I dhashë edhe një telefon ‘Sky’ me kartë për ta përdorur. E porosita: Mos u lidh me njerëz që s’i njeh mirë, se këta janë të gjithë tradhtarë.” – shpjegon Erion Alibej përpara Gjykatës.

Por dëshmia e Alibejt nuk ndalet këtu. Ai ndan një tablo të gjerë të trafikut të drogës dhe përplasjeve që kanë lindur mes aleatëve të dikurshëm si Suel Çela, Hajdar dhe Franc Çapja.

Nga Elbasani në Londër, përmes Francës dhe Holandës

Franc dhe Hajdar Çopja
Credits: shteg.org – Franc dhe Hajdar Çopja

Jeta e Alibejt është ajo e një njeriu në një botë të zhytur në trafikun e drogës, borxhe, tradhti dhe vdekje.

I rritur pa baba, në një familje të respektuar në Elbasan, ai rrëfen se nuk kishte hyrë në krim deri sa e arrestuan në Itali në vitin 2009, pas një vizite për ilaçe për nënën. Akuzat për përfshirje në grup kriminal i sollën një dënim me tre vite e katër muaj.

“Pasi dola nga burgu shkova në Holandë tek Endriti. Pashë problemet e Endritit që kur nisej malli për në Angli, i kapej rrugës dhe ishte futur në borxhe. I kërkova të iki në Angli, nuk më la dhe u ktheva në Shqipëri”.

Në një moment të dytë pavarësisht se i vëllai nuk ishte dakord, Alibej vendosi të largohej në Angli për t’i ardhur në ndihmë Endritit. Në Angli, ai nisi aktivitetin me ndihmën e vëllait të Hajdar Çapjas, Francit, i cili drejtonte trafikun e kokainës nga Gjermania në Britani.

“Kur unë shkova në Angli, fillimisht u strehova tek xhaxhai im, Arben Dylgjeri, por më pas më lidhën me Francin që të gjeja një banesë dhe të futesha më thellë në rrjetin e trafikut. Hajdari kishte krijuar një sistem të mirë-organizuar për të kaluar drogën nga Gjermania drejt Holandës dhe më pas në vendet tjera, duke përdorur makina dhe persona të ndryshëm që nuk dinin shumë për biznesin”.

Ai zbulon se vëllai i tij, Endrit Alibej, kishte ndihmuar Hajdar Çapjan të strehohej në Holandë në vitin 2012 dhe se kishte konflikte mes Suel Çelës dhe Hajdar Çapjas për sasi droge në Itali, ku Suel Çela i kishte vjedhur Hajdarit 2 kg kokainë.

“Në Itali, Sueli i kishte vjedhur 2 kg kokainë Hajdar Çapjas. U arratis me ndihmën time. E nxora nga Franca. Sot më mohon. Por ai më ka borxh jetë.”

Sipas, dëshmisë, grupi kriminal i vëllezërve Çapja është i përfshirë në trafikun e drogës në Evropë dhe në një seri ngjarjesh kriminale të dhunshme në Shqipëri dhe jashtë saj. Hajdar Çapja organizonte transportin e drogës me “kuaj droge” nga Gjermania në Angli, ndërsa vëllai i tij Franci ishte i vendosur në Tottenham dhe drejtonte biznesin nga atje.

“Hajdar Çapja kishte gjetur një rrugë të sigurt me kuaj, transportin e kokainës, nga Gjermania bëhej nisja, deri në Belgjikë e Holandë.

Franci ishte në Totenham. Ai mbikëqyrte ngarkesat nga telefoni. Në Gjermani përdornin kuaj droge. Në Holandë kishin bazën e paketimit. E gjitha kontrollohej nga vëllezërit Çapja.” – tregoi Alibeaj.

Në rrëfimin e tij, Alibeaj rikujton periudhën kur Suel Çela njihej si “Minoreni”, një pseudonim që qarkullonte në rrethet e krimit në Elbasan. Ishte koha kur Sueli po ngrinte në mënyrë agresive rrjetin e tij të trafikut të drogës. Pikërisht gjatë kësaj periudhe ndodhi edhe përplasja me Arjan Spahinë, një tjetër figurë me ndikim, mik dhe bashkëpunëtor i ngushtë i Alibeajt.

Sherri mes Suelit dhe Arjanit kishte ndodhur për shkak të një sasie droge që nuk ishte ndarë siç duhet. Debati përfundoi në përleshje fizike, duke shënuar një ndarje të qartë mes dy grupeve dhe një vijë të kuqe që asokohe askush nuk guxonte ta kalonte. Për këtë arsye, Alibeaj kishte ndërprerë çdo kontakt me Suelin. Por biznesi i drogës kërkonte aleatë, qofshin këto dhe kundërshtarë.

“Endriti më thotë që në shtëpi do vijnë Sokol Sanxhaktari dhe Suel Çelën. E pyeta pse, sepse nuk doja të takoja, për shkak se Arjani me Suelin kishte pasur një mosmarrëveshje”.

Por Endriti e siguroi se “muhabeti kishte mbaruar”, dhe se Sueli po vinte vetëm për të parë cilësinë e një sasie droge.

Takimi ndodhi. Çela dhe Sanxhaktari hynë në shtëpi, panë mallin dhe u larguan. Aliebaj tregon se u përfshi thellë në trafikun e lëndëve narkotike.

“Një pjesë e punës ishte edhe ‘larja e borxheve’ që kishte Endriti nga droga që kishte marrë, pra të menaxhonim paratë dhe të siguronim furnizimin dhe shpërndarjen pa probleme” – tregoi ai ndërsa në Shqipëri e ndiqnin rivalët.

“Xhoni Rusta më ndiqte. Një ditë më doli afër xhamit të makinës. E qëllova. Pastaj ika. U shpalla në kërkim në mars 2018.”

Ai tregoi se edhe pse në arrati, vazhdonte të mbante kontakte me familjen, organizonte festa, shpërndante gjela deti për Vit të Ri dhe përgjonte valët e policisë me një radio që i siguroi një mik i Genc Tafilit.

Seanca gjyqësore ku u dëgjuan rrëfimet e detajuara të Erion Alibeajt, përfshirë episodin e tensionuar me Suel Çelën dhe përplasjet e të kaluarës, zgjati thuajse gjashtë orë. Për shkak të kohëzgjatjes së tej-zgjatur dhe për të respektuar orarin zyrtar të gjykatës, avokatët e palëve kërkuan ndërprerjen e seancës, duke kërkuar që vijimi i shqyrtimit të bëhet në një moment tjetër.

Gjykata e pranoi kërkesën dhe vendosi që seanca e radhës të mbahet më 3 qershor, ora 10:00, ku pritet të dëgjohen të tjera dëshmi që mund të zbulojnë më shumë për përmasat dhe strukturën e këtij rrjeti kriminal.

Sabina Nika
Gazetare |  + posts

Gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri”- RRKOKSH.
Studente në fakultetin e historisë dhe filologjisë, Universiteti i Tiranës.