Për herë të parë dy aktivistë shqiptarë vlerësohen me “Nobelin e Mjedisit”

Dy aktivistët e “Eco Albania” janë vleresuar me çmimin “Goldman” pas betejës mbi 10-vjeçare për shpalljen e lumit të Vjosës “Park Kombëtar”.

490
Çmimi Nobel për Mjedisin
Credits: shteg.org

Besjana Guri dhe Olsi Nika janë dy aktivistët e parë shqiptarë, të cilët janë vlerësuar me çmimin “Goldman”, njohur ndryshe edhe si “Nobeli i Mjedisit”, për shkak të betejës së tyre mbi 10-vjeçare me Qeverinë shqiptare për shpalljen e lumit të Vjosës “Park Kombëtar”.

Beteja e dy aktivistëve, njëkohësisht përfaqësues së organizatës joqeveritare “Eco Albania”, nisi zyrtarisht në vitin 2014, kur qeveria shqiptare planifikoi ndërtimin e Hidrocentralit në rrjedhën e lumit të Vjosës që kalon përgjatë fshatit Poçem, Fier.

Vjosa sot cilësohet si lumi i fundit i egër i Evropës, pra, i vetmi lumë ku uji rrjedh në mënyrë natyrore, por vite më parë, në anën shqiptare të lumit, ishin parashikuar të ndërtoheshin 31 hidrocentrale.

Besjana Guri dhe Olsi Nika
Credits: Goldman Environmental Prize – Besjana Guri dhe Olsi Nika

“8 diga janë planifikuar përgjatë vetë Vjosës ndërsa 23 HEC-e të vegjël në degët e saj, 4 nga të cilat kanë përfunduar ndërtimin, ndërsa 4 të tjera në ndërtim”, – dokumentohej në raportin e Eco Albania-s në vitin 2016, ndërkohë që sot, pas 9 vitesh, Besjana Guri thotë për “shteg.org” se vlerësimi me çmimin “Goldman” është një shtysë shumë e madhe për të vazhduar më tej punën për mbrojtjen e Parkut Kombëtar të Vjosës.

“Sfidat për ne janë të pasurit të një Parku Kombëtar të jetë funksional, të mbrohet me të vërtetë në terren dhe zgjerimi i saj si zonë e mbrojtur. Duke pasur dhe një vëmendje kaq të lartë ndërkombëtare mendojmë që dhe çmimi, të ndihmojë për t’i dhënë sa më shumë peshë aktivistëve dhe zërit tonë”, – thotë Guri.

Ndërkohë, edhe për Olsi Nikën sfidat e ardhshme të “Eco Albania” lidhen sërish me lumin Vjosa.

“Pas shpalljes Park Kombëtar, mendoj se objektivi i radhës është vendosja në jetë dhe përmirësimi i planit të menaxhimit të Vjosës” – thotë ai për “shteg.org” duke shtuar se ndërkombëtarizimi i tematikës së Parkut kombetar do të thotë një përgjegjesi më e madhe për të gjithë aktorët e përfshirë në menaxhimin efektiv të tij.

Çmimi “Goldman” u krijua në vitin 1989 nga filantropët Richard dhe Rhoda Goldman me qëllim vlerësimin e punës së aktivistëve të mjedisit në mbarë botën. Çdo vit çmimi u jepet 6 aktivistëve nga 6 kontinente të ndryshme, pasi puna e tyrë është vëzhguar nga një juri ndërkombëtare. Ajo njihet me punën e aktivistëve pas nominimeve konfidenciale të kryer nga një rrjet global organizatash mjedisore.

Vjosa, “lum i egër” me degë të rrezikuara

Protesta për mbrotjen e lumit
Credits: Facebook i Olsi Nikes – Protesta për mbrotjen e lumit

Ndonëse lumi i Vjosës u shpall Park Kombëtar i Kategorisë së Dytë të Mbrojtjes më 13 mars të 2023-shit, sërish ndodhet përballë rrezikut të shkatërrimit mjedisor të degëve të tij.

Sipas deklaratës së ish-ministres së Turizmit, Mirela Kumbaro, zona e mbrojtur e Parkut Kombëtar të lumit Vjosë përfshin dhe tri degët e tij: Drino, Bënçën dhe Shushicën. Megjithatë, për më shumë se 2 vitesh banorët e luginës së Shushicës vazhdojnë të përballen me autoritetet lokale për të mos lejuar ndërtimin e ujësjellësit të Himarës në burimin e Lëpushës, vend nga i cili buron lumi Shushicë.

Leja për ndërtimin e e këtij ujësjellësi është dhënë nga bashkia Himarë më vitin 2022 dhe projekti parashikohej të përfundonte në gusht të vitit të kaluar, 2024. Megjithatë, hapja e një çështjeje gjyqësore nga Eco Albania dhe 54 banorë të luginës së Shushicisë, ku të paditur janë Bashkia Himarë, Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura dhe Agjencia Kombëtare e Mjedisit, ka bërë që projekti mos të përfundojë.

Sipas banorëve të luginës së Shushicës, ata nuk kanë qenë të përfshirë në konsultimet publike të realizuara nga Bashkia e Himarës për ndërtimin e ujësjellësit, ndërkohë që ky institucion pretendon të kundërtën.

Sipas dokumentave që “shteg.org” disponon, Bashkia Himarë ka realizuar vetëm 3 takime informuese: 3 nëntor 2020, dhe në datat 4-5 dhjetor 2023, dy në godinën e Bashkisë Himarë dhe një pranë një bari në afërsi të godinës së Bashkisë Selenicë.

Megjithatë, sipas list-prezencës së datës 3 nëntor 2020 që kjo bashki ka vendosur në dipozicion, rezulton se nga 24 të pranishmit, vetëm dy prej tyre janë deklaruar si “qytetarë”, ndërkohë që 11 prej të pranishmëve kanë deklaruar se janë pjesë e administratës së Bashkisë Himarë.

Dy pjesëmarrësit e deklaruar si “qytetarë” janë banues në fshatin Pilur të Himarës, fshat i cili sipas projektit parashikohet të përfitojë nga projekti duke u furnizuar me ujë të pijshëm.

Përgjatë lumit Shushicë ndodhen 36 fshatra, burimi kryesor i të cilëve për zhvillimin e bujqësisë është uji i kësaj dege të Vjosës. Për të mos lejuar vazhdimin e punimeve të ndërtimit të ujësjellësit, që u riaktivizuan më janar 2025, banorët ngritën në shenjë proteste një çadër pranë lumit, ndërkohë që janë në pritje të vendimit të Drejtësisë.

Dallandyshe Xhaferri
+ posts

Dallandyshe Xhaferri është gazetare në "Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri" - RRKOKSH. Ajo ka studiuar Gazetari në Universitetin “Aleksandër Xhuvani” dhe ka marrë pjesë në shkëmbime studentore në Poloni dhe SHBA. Në Poloni, ka ndjekur një semestër në "Journalism and Management" në Universitetin "Papa Gjon Pali II", ndërsa në SHBA ka marrë leksione mbi gazetarinë në Kolegjin e Bostonit. Gjatë katër viteve të fundit, ajo ka punuar si gazetare në organizata të ndryshme me fokus gazetarinë cilësore dhe ka qenë e angazhuar në projekte të IFES, East West Management Institute dhe Rana Labs.