Fadromat e IKMT-së dhe portofoli i një “muaji mjalti” që kushton

96
IKMT në aksion duke liruar hapësirat publike
Credits: IKMT - IKMT në aksion duke liruar hapësirat publike

Martesa e Edi Ramës për herë të katërt me pushtetin, pas fitores plebishitare me 84 mandate në zgjedhjet e 11 Majit, që i dha mundësinë të nusërojë edhe njëherë nga e para me shqiptarët, pritej të ishte një vals lumturie, ku si kryeministri ashtu edhe populli që ai udhëheq prej më shumë se 12 vitesh, do të duhet të ishin pavarësisht konsumit që të jep një marrëdhënie në kalimin e dekadës së parë, në mos të kënaqur, të paktën të pajtuar me faktin që martesa është një e keqe e domosdoshme, që funksion mirë edhe kështu siç është.

Por ndërsa shqiptarët të mësuar me zënkat në çift, e flejtën mendjen se një martesë me një partner të dytë përpara një zyrtari në një gjendje civile nuk do ketë dhe Edi Rama do jetë në vazhdim i njëjti burrë në të mira dhe të këqija, duket se vetë kryeministri kishte një bindje tjetër lidhur me mënyrën se si duhet të funksionojë kjo lidhje martesore, jo edhe aq e pa-komplikuar me shqiptarët.

Dhe ku ka mirë se ta fillosh këtë jetë të re martesore, nga çlirimi i altarit të zaptuar të një kishe. Atë që në fakt Rama bëri së pari, me aksionin për çlirimin e hapësirave të pushtuara me ndërtime pa leje rreth e përqark Kishës së Thethit. E ca më tej duke i rënë me fadromën e IKMT-së, apo edhe duke përdorur spektaklin e shpërthimeve me tritol edhe në godina të caktuara, për të treguar se sa i fortë është ushtima i gjëmimit të shtetit ligjor. Një shtet që deri në këtë moment jo vetëm kishte mbyllur sytë dhe veshët përpara një batërdie të tillë mbi një bukuri natyrore si Thethi, por edhe kishte premtuar në rastin e vetë Edi Ramës, për falje gjobash për ndërtime pa lejet.

Premtim që jo vetëm nuk u mbajt, por as vetë kryeministri lëshoi dorën e tij mbi Thethin, nuk e komentoi asnjëherë pas sokëllimës që ra mbi fshatin piktoresk. Ushtimë e cila në fakt duket se zhurmën për veshët e atyre që duhet të dëgjonin mirë, duket se e kishte shumë kilometra larg Thethit.

Pikërisht në Tiranë, ku tashmë një aksion tjetër me dorën ngritur lart si shpata e Demokleut ra si kosore mbi tendat e lokaleve. Të cilat si rrallë-dëgjuar diku ishin bërë sebep, sipas gjithmonë kryeministrit, për pushtimin e hapësirave publike.

Ndërkohë që ajo e cila mbeti e pakuptueshme në këtë histori dhe që nuk e mbuloi dot diellin me shoshën e qeverisë, është se si ndërkohë që tendat u bitisën shpejt e shpejt nëpër karroceri automjetesh, që me këtë rast gjetën punë sezonale të garantuar, ato që mbetën si dëshmi e një aksioni të bërë shpejt e shpejt dhe duke shkelur ligjin, në këtë rast kohën që u duhet dhënë subjekteve, për të bërë çmontimin apo edhe respektimin e kontratave, ishin karriget e po këtyre ambienteve që ofronin shërbime në kryeqytet. Të cilat janë po aty edhe sot, në të njëjtat hapësira publike të ashtuquajtura nga qeveria të çliruara nga marrëzia kolektive e pushtimit të territoreve.

Por ky mesa duket është vetëm aspekti i dukshëm i të gjithë kësaj që në gjasa thuhet të jetë një aksion legjitim i ndërmarrë nga qeveria, e cila në anën e saj proklamon dhe ndërton njëkohësisht narrativën e estetikës së munguar që do të plotësohet tanimë e tutje nga një grup arkitektësh vendas dhe të huaj. Ata do të marrin përsipër të rindërtojnë konceptin mbi pamoren se si duhet të jenë tashmë sipas shijeve dhe gustove të qeverisë, fasadat e bareve apo çdo strukture që ofron shërbim në zonat të ndryshme të Tiranës.

Një narrativë që ecën tek njerëzit që ndjekin me kërshëri aksionin. Por jo te ata që në fakt kanë investuar për të ofruar të tilla shërbime. Të cilët kanë parë të humbin brenda pak ditëve pse jo të gjithë investimin e tyre. Ndoshta pse jo edhe kursimet e të gjithë jetës. Pasi ka pasur edhe nga ata që kanë investuar së fundmi qindra mijëra euro, duke marrë edhe kredi, pa e ditur se po i hedhin paratë në erë. Ashtu siç në fakt ndodhi.

Ndërkohë që prishja e beftë e këtyre strukturave, ka sjellë njëkohësisht edhe humbjen e vendit të punës, për shumë të rinj dhe të reja që punonin aty. Të cilët e kishin të vetmen mundësi fitimi.

Por, po kështu do sjellë në vazhdim edhe shkurtimin e mijëra vendeve të punës, që ushqehen nëpërmjet strukturave të shërbimit. Edhe pse duhet thënë që rezistenca nuk duket se ka munguar.

Ku ka akoma struktura shërbimi që kanë zgjedhur të mos i binden urdhrit të qeverisë. Që në fakt është një aksion i kundra-ligjshëm, sa kohë që çdo gjë është bërë në formën e kërcënimit. Dhe nuk ka njoftime paraprake që i japin kohën e duhur këtyre strukturave për të mbyllur marrëdhënien e tyre si taksapagues me pushtetin vendor.

Një skenë krimi e pastruar shpejt e shpejt duke fshirë çdo gjurmë. Ku një-syresh, ose aspak i janë drejtuar Gjykatës Administrative për të kundërshtuar urdhrin verbal për prishje, çka do të thotë se në këtë aksion Rama nuk harxhoi asnjë litër karburant për të hequr qoftë edhe një vetratë të paligjshme, por po kështu as edhe një avokat për t’u përballur me pronarët e këtyre subjekteve në gjykatë.

Një skenar tashmë i njohur, për të bindur gjithkënd, se pavarësisht se tango kërcehet dyshe, Rama ka zgjedhur edhe këtë herë ta kërcejë i vetëm dhe sipas stilit të tij.

Dritan Laci
+ posts

Dritan Laci është një gazetar me mbi 20 vite përvojë në tregun mediatik shqiptar.
Ai është i njohur për analizat e tij mbi fenomene të ndryshme të shoqërisë shqiptare. Aktualisht, ai mban pozicionin e kryeredaktorit në televizionin informativ "News 24" dhe drejton emisionin "Në Shënjestër" si edhe emisionin investigativ "Tak Fak".
Gjithashtu, ai është i ftuar rregullisht në panele të ndryshme televizive për të ndarë mendimin e tij mbi ngjarjet më të rëndësishme të aktualitetit.