Fëmijët e rrugës po shfrytëzohen në heshtje

Ndërsa institucionet raportojnë vetëm dy raste të shfrytëzimit të të miturve në pesë muaj, organizatat në terren flasin për qindra fëmijë të ekspozuar çdo ditë ndaj lypjes, punës së detyruar dhe rrezikut të abuzimit.

117
Fëmijët që lypin në rrugë
Credits: shteg.org - Fëmijët që lypin në rrugë

Prej vitesh, fëmijët që lypin apo punojnë në rrugët e qyteteve shqiptare janë bërë një pjesë e trishtë e përditshmërisë urbane.

Linja Kombëtare e Telefonit “Alo 116 111” raporton 344 raste të shfrytëzimit të fëmijëve me qëllim përfitimin vetëm për një vit, por rastet e evidentuara dhe të proceduara nga Policia e Shtetit janë shumë larg shifrave të organizatave për të drejtat e fëmijëve në vend.

Sipas të dhënave zyrtare të Policisë së Shtetit në vitin 2024 janë proceduar 54 raste të shfrytëzimit të fëmijëve në gjendje rruge në të gjithë vendin ndërsa gjatë periudhës janar–maj 2025 janë proceduar vetëm dy raste, një në Tiranë dhe një në Durrës.

Por shifrat e raportuara nga Linja Kombëtare e Fëmijëve “Alo 116 111” janë shumëfish më të larta. Vetëm në katër muajt e parë të këtij viti, organizata thotë se ka trajtuar 87 raste të shfrytëzimit të fëmijëve, që përfshijnë 190 të mitur, ndërsa në vitin 2024 janë raportuar 256 raste që përfshinin 473 fëmijë.

Edhe pse institucionet shtetërore raportojnë shifra minimale për procedime penale mbi shfrytëzimin e tyre, organizatat për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve alarmojnë për një fenomen të përhapur dhe të përsëritur. Një kontrast i thellë mes statistikave zyrtare dhe realitetit në terren flet për një problem serioz të mosndërhyrjes dhe mos-koordinimit institucional.

Tirana, epiqendra e shfrytëzimit

Në zonën e njohur si “7 xhuxhat” dy të mitur qëndrojnë çdo ditë poshtë pemëve përgjatë lumit Lana, herë për t’u mbrojtur nga rrezet e forta të diellit e herë nga shiu. Sapo në semafor ndizet ngjyra e gjelbër për këmbësorët, i afrohen xhamave të makinave. Njëri për t’i pastruar ato dhe tjetri për të shitur ndonjë prej trëndafilave të kuq që mban në duar.

Ka ditë që mund të shesë ndonjë trëndafil, por i mituri ndodhet aty çdo ditë në kërkim të blerësve që udhëtojnë në këtë kryqëzim të kryeqytetit. Dy të miturit nuk janë të vetmit që sigurojnë të ardhura në rrugët e Tiranës.

Ndonë një syresh punojnë, të tjerë u drejtohen lokaleve për të kërkuar lëmoshë nga qytetarët që konsumojnë kafe.

Në një zonë që përshkohet rregullisht nga patrulla policie, praninë e fëmijëve në rrugë askush nuk e ndalon.

Sipas legjislacionit Shqiptar, “çdo punonjës i policisë, që konstaton një fëmijë në rrezik të lartë dhe të menjëhershëm, merr fëmijën në mbrojtje dhe njofton menjëherë punonjësin e mbrojtjes së fëmijës në territorin ku është fëmija”.

Ligji ngarkon me detyrim dhe pushtetin vendor, Njësinë Për Mbrojtjen e Fëmijëve që të shkëmbejnë informacione me policinë vendore që të ndërhyjnë ndaj shfrytëzimit të fëmijëve, qoftë edhe në situatë rruge. Por praktikisht, ky zinxhir nuk funksionon siç duhet.

Sipas Altin Hazizaj, drejtues i CRCA/ECPAT, “në Shqipëri nuk ka një sistem të integruar të mbrojtjes së fëmijëve. Institucionet në nivel lokal nuk kanë kapacitetet e duhura, shërbimet janë të fragmentuara dhe nuk ka ndjekje sistematike të rasteve”. Ai thekson se një nga problemet kryesore është mungesa e të dhënave të përditësuara.

“Studimi i fundit për këtë fenomen daton në periudhën 2015–2017 dhe përfshinte rreth 2500–3000 fëmijë në situatë rruge, nga lypësia e deri tek shfrytëzimi seksual. Sot, nuk ka një pasqyrë të qartë për përmasën reale të problemit.” – thotë  Hazizaj.

Sipas të dhënave nga Linja Kombëtare e Telefonit për Fëmijë “Alo 116 111”, vetëm gjatë 4 muajve të parë të këtij viti, 2025, janë raportuar pranë kësaj organizate 87 raste të shfrytëzimit të të miturve për arsye përfitimi.

“Nga këto 87 raste të raportuara janë prekur 190 fëmijë” – saktëson organizata, por nga të dhënat zyrtare që Policia e Shtetit vendosi në dispozicion për të njëjtën periudhë janë raportuar në prokurori vetëm 2 raste, një në Tiranë dhe tjetri në Durrës.

Në vitin 2024, janë raportuar 256 raste që përfshinin 473 fëmijë, por përsëri, sipas Policisë, janë proceduar vetëm 54 raste, kryesisht në Durrës dhe Tiranë.

Belioza Çoku, drejtuesja e organizatës pohon se pjesa dërrmuese e rasteve të identifikuara janë të përsëritura dhe të mirënjohura, por ndaj tyre nuk merren masa konkrete.

Sipas Çokut, 97% e rasteve të identifikuara janë raportuar në skuadrën e Qendrës Komunitare të Terrenit në Tiranë. Ndërsa rastet e identifikuara në qytetet e tjera, raportimi është kryer në polici, ose njësitë për mbrojtjen e fëmijëve në secilën bashki.

Ndërkohë, në Gjykatën e Durrësit, nuk rezulton asnjë çështje në shqyrtim për veprën penale të shfrytëzimit të fëmijëve.

Pavarësisht raportimeve, problematikat e shfrytëzimit të fëmijëve mbeten të njejta.

“Sfidat janë rastet e përsëritura dhe të mirënjohura nga Skuadrat e Terrenit. Kemi raste të përsëritura prej vitesh që nuk merren masa” – thotë Çoku, ndërkohë që sipas të dhënave që “shteg.org” disponon rezulton se për rastet e proceduara janë shumë larg shifrave të organizatave jofimprurëse, por edhe të vetë Agjencisë Shtetërore për të Drejtat e dhe Mbrojtjen e Fëmijëve.

Rrugët, vend pune për qindra të mitur

Punime vizatimi nga fëmijët
Credits: Qendra për mbrojtjen e fëmijëve – Punime vizatimi nga fëmijët

Shfrytëzimi i fëmijëve në rrugë nuk është një fenomen i ri në Shqipëri. Vetëm në vitin 2023, sipas raportit të Agjencisë Shtetërore për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijëve, janë trajtuar në njësitë pranë bashkive të vendit 182 raste të fëmijëve në situatë rruge.

Ndërkohë, Tana Aliaj, përfaqësuese e Institutit të Kulturës Rome në Shqipëri (IRCA) thotë se edhe në vitin e kaluar, 2024, rastet e evidentuara për shfrytëzimin e fëmijëve në situatë rruge ishin të larta.

“Vetëm në Tiranë, Qendra Komunitare e Terrenit identifikoi 240 raste në vitin 2024, me 102 raste vetëm në tremujorin e parë të vitit. Ndërsa një pjesë e tyre janë përfshirë në shërbime komunitare, shumë prej tyre kthehen në rrugë për arsye ekonomike”, – thotë Aliaj.

Statistikat por dhe realiteti për Altin Hazizaj është një tregues se shfrytëzimi i të miturve është një nga çështjet ku çdo përpjekje e shtetit shqiptar ka dështuar.

“Këtu, përfshirë qeverinë në nivel qendror, të gjitha ato institucione që kanë për detyrë për të luftuar këtë fenomen kaq të shëmtuar dhe kaq përçudnues të të drejtave të fëmijëve, ku pa-diskutim pa harruar që ka përgjegjësi direkte bashkia ku ndodh ky fenomen dhe familja”, – thotë Hazizaj.

Sipas, drejtorit të Qendrës për të Drejtat e Fëmijëve, një ndër arsyet kryesore përse numri i fëmijëve të shfrytëzuar është i lartë lidhet me shërbimet e dobëta sociale në nivel bashkie, ndërsa thekson se prej vitesh në Shqipëri nuk është kryer një studim rreth këtij fenomeni.

“Studimi i fundit është vitit 2015-2017 dhe bëhet fjalë përreth 2500-3000 fëmijë të shfrytëzuar që jetojnë në situatë rruge, ku përfshihen të gjitha format e shfrytëzimit, nga lypësia, të shitja deri tek shfrytëzimi seksual i fëmijëve” – thotë Hazizaj, ndërkohë që në raportimin vjetor të “Alo 116 111” gjatë vitit 2016 janë regjistruar 3400 telefonata nga Tirana ku fëmijët apo qytetarët shprehnin shqetësimet për të miturit.

Mungesa e një studimi të mirëfilltë prej më shumë se 7 vitesh, shërbimet sociale të pamjaftueshme dhe rritja e turizmit po e rrisin më tej rrezikun për shfrytëzimin e fëmijëve, përfshirë edhe atë seksual.

Tirana, sipas Hazizaj, mbetet qyteti ku fëmijët shfrytëzohen më shumë dhe në të gjitha format.

“Ardhja e turistëve të huaj, të gjithë këtë grup fëmijësh e ekspozon ndaj shfrytëzimit seksual dhe duke e marrë në konsideratë numrin e fëmijëve që jetojnë në varfëri, që janë thuajse 40% e fëmijëve që janë në Shqipëri, do të thotë që 40% e fëmijëve janë të gjithë kontingjent, të gjithë mundësisht të ekspozuar ndaj formave të shfrytëzimit, përfshirë atë seksual”, – përfundon Hazizaj.

Dallandyshe Xhaferri
+ posts

Dallandyshe Xhaferri është gazetare në "Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri" - RRKOKSH. Ajo ka studiuar Gazetari në Universitetin “Aleksandër Xhuvani” dhe ka marrë pjesë në shkëmbime studentore në Poloni dhe SHBA. Në Poloni, ka ndjekur një semestër në "Journalism and Management" në Universitetin "Papa Gjon Pali II", ndërsa në SHBA ka marrë leksione mbi gazetarinë në Kolegjin e Bostonit. Gjatë katër viteve të fundit, ajo ka punuar si gazetare në organizata të ndryshme me fokus gazetarinë cilësore dhe ka qenë e angazhuar në projekte të IFES, East West Management Institute dhe Rana Labs.