Fluksi i parave të “dyshimta” ndikojnë në zhvlerësimin e Euros

Euro ndodhet në nivelin më të ulët historik që nga viti 2002. Ekspertët ngrenë dyshime së fluksi i parave informale ka ndikuar në rënien e kursit të këmbimit të monedhës evropiane me lekun.

1167
Para të sekuestruara nga policia në pikën kufitare të Kapshticës, me 4.04.2023
Credit: Policia Shtetit

Në fillim të qershorit 2024 euro u këmbye me monedhën vendase në nivelet më të ulëta historike të saj që nga janari i 2002-shit, kohë në të cilën euroja hyri në përdorim si monedhë.

Për Bankën e Shqipërisë, si institucioni që menaxhon politikat monetare në vend, kjo rënie drastike e “vlerës” së euros është tregues i fuqizimit të lekut dhe ekonomisë shqiptare.

Fenomeni e rënies drastike të euros është argumentuar nga Guvernatori Genc Seiko me rritjen e eksporteve, investimeve të huaja dhe dërgesat në valutë të emigrantëve, remitancat.

Për guvernatorin, rritja e eksporteve konsiston në rritje të eksporteve të shërbimit, turizmit, si dhe shitja e pronave të paluajtshme.

Si investim të huaj, Banka e Shqipërisë konsideron blerjen e pronave të paluajtshme qofshin këto edhe shqiptarë që jetojnë jashtë kufijve, përkufizime këto që nuk njihen si të tilla nga Banka Botërore.

“Investim i huaj konsiderohet një projekt që punëson mbi 100 vende pune në vendin pritës”, është përkufizimi i Bankës Botërore për një investim të huaj.

Optimizmi i guvernatorit për fuqizimin e monedhës vendase si tregues i zhvillimit ekonomik të Shqipërisë kundërshtohet nga ekspertë të ekonomisë.

Zhvlerësimi i monedhës euro – sipas ekspertëve – ngre dyshime për depërtimin e parave të pista në ekonominë vendase.

“Monedha lek nuk është më e fuqizuar, por ka një ofertë shumë më të madhe të euros, e cila vjen nga bota e nëndheshme (malavita)”, shpjegon ekonomisti Selami Xhepa.

Praninë e eurove të shtuara në qarkullim u detyrua ta pranojë edhe guvernatori i Bankës së Shqipërisë.

“Në ekonominë e vendit ndihet presioni i prezencës së eurove jashtë sistemit bankar”, deklaroi Gent Sejko në një konferencë për shtyp në janar 2024.

Institucionet financiare përgjegjëse në vend nuk kanë dijeni se sa është sasia e monedhës euro që qarkullon jashtë sistemit bankar.

“Banka e Shqipërisë nuk disponon informacion mbi sasinë e euros fizike (kesh) që qarkullon në ekonomi, pasi kjo është e pamundur të matet dhe të përpunohet si informacion statistikor për sa kohë që monedha euro nuk emetohet në Shqipëri”, sqaroi për “Shteg” zyra e shtypit të Bankës së Shqipërisë.

Institucioni kontrollues i qarkullimit monetar në vend nuk ka informacion as për vlerën e transaksioneve të kryera në euro në ekonominë shqiptare.

“Nuk disponojmë informacion mbi vëllimin e transaksioneve të cilët kryhen në euro fizike (kesh)”, sqaroi Banka e Shqipërisë, sqarim ky që bie ndesh me deklaratat e Guvernatorit Seiko.

“Jashtë sistemit bankar janë 4 miliardë euro në qarkullim”, deklaronte në fillim të vitit guvernatori, ndërsa statistikat zyrtare tregojnë se gjatë vitit 2023 sasia e euros së qarkulluar në vend ka qenë e barabartë si brenda sistemit bankar, ashtu dhe jashtë saj.

Sipas AIPS EURO (sistemi i gjurmimit të parave nga institucionet qendrore), në sistemin bankar qarkullonin rreth 4.1 miliardë euro.

Për ekspertët këto shifra të deklaruara nga guvernatori dhe sistemet e monitorimeve të parave janë tregues të informalitetit të ekonomisë shqiptare.

Leku i fuqizuar?!

Para të sekuestruara nga Policia e Shtetit në pikën kufitare, Kakavijë me 02.06.2024
Credit: Policia Shtetit

Qeveria shqiptare, shprehet entuziaste për fuqizimin e monedhës vendase, pasi sipas tyre kjo ka sjellë një rritje të ekonomisë, mbajtje të inflacionit në nivele të ulëta dhe një mundësi e shlyerjes së borxhit publik. Ekspertët e ekonomisë argumentojnë të kundërtën, duke vendosur theksin se shfuqizimi i euros, në fakt, nuk është për shkak të rritjes ekonomike, por për shkak të prezencës së euros informale në ekonomi.

“Kemi 3 vite që euroja ka njohur një dobësim të theksuar. Më mirë të themi që monedha jonë kombëtare ka njohur një fuqizim që shkon përtej asaj që mund të jenë balancat e përgjithshme që justifikojnë këtë fuqizim të sajin”, shpjegon për “Shteg” presidenti i Universitetit Evropian të Tiranës, Selami Xhepa.

Për profesorin e ekonomisë rritja e vlerës së monedhës vendase është e pajustifikuar me treguesit ekonomikë.

“Është shqetësuese kjo luhatje kaq e fortë e parasë dhe e pajustifikuar nga faktorët fondamentale, por nga faktorë që media po i ekspozon çdo ditë thasët e fshehura nëpër bodrume. Kështu që, pa përfunduar ky cikël i pastrimit të shoqërisë dhe i parasë së ardhur nga bota e malavitës apo bota e informalitetit, është e vështirë që të japësh një gjykim të shëndetshëm”, sqaron Xhepa.

Faktorë të tjerë që kanë ndikuar në zhvlerësimin e euros, sipas ekspertëve, janë dhe remitancat, paratë e ardhura nga emigrantët dhe rritja e shifrave në sektorin e ndërtimit.

“Nga ana tjetër, kemi edhe sektorin e ndërtimit, ku përveç blerësit vendas kanë njohur një rritje të konsiderueshme dhe blerjet në këtë sektor nga individë apo biznese të vendeve të ndryshme, kryesisht të qytetarëve brenda Bashkimit Evropian”, thotë për “Shteg” kryetari i Shoqatës së Këmbimit Valutor, Dritan Vakaj.

Në një raport të publikuar në vitin 2022 nga rrjeti “Iniciativa Globale kundër Krimit të Organizuar Ndërkombëtar” mbi përmasat, hartat, kostot dhe përfitimet e trafiqeve kriminale në Ballkanin Perëndimor, zbulohet se ndërtimi është sektori kryesor ku po pastrohen shuma të mëdha të parave kriminale.

“Raporti thekson se një pjesë e mirë e parave të paligjshme që sigurohen nga trafiqet, pastrohen po në rajon. Në Shqipëri shumica pastrohen në kryeqytet, në Tiranë, përmes bumit të ndërtimeve, siç e dinë të gjithë. Një pjesë e madhe e këtyre të ardhurave të paligjshme shkojnë të pastrohen edhe në ndërtimet përgjatë bregdetit shqiptar”, thotë Fatjona Mejdini, drejtore e rrjetit  “Iniciativa Globale kundër Krimit të Organizuar Ndërkombëtar.

Studimi vëren se nga 2017-a e në vazhdim Shqipëria po përjeton një bum ndërtimesh dhe një kulm të ri në çmimet e pronave; nga 800 euro metri në 2017 gati dyfish, 1400 – 2000 euro në vitin 2020.

Grupet kriminale, thuhet në studim, po investojnë në sektorin e turizmit me hotele luksoze në bregdet, po ashtu me çmime të larta, që nuk vijnë nga ndonjë kërkesë e lartë në ekonominë reale apo nga një zhvillim i ligjshëm i sektorit.

Ndërtimet bëhen me para kesh nga krimi i organizuar dhe korrupsioni, vlerësojnë ekspertët e fushës.

Mirilda Tili
Gazetare |  + posts

Mirilda Tili është gazetare i Rrjetit për Raportimin e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri. Ajo ka përfunduar studimet për gazetari në Universitetin e Tiranës. Tili ka punuar që nga viti 2005 në media, shtyp të shkruar dhe televizion, ku ka mbuluar çështjet të ndryshme si aktualiteti, shëndetësia, mjedisi dhe në 10 vitete e fundit fokus ka qenë ekonomia. Në këtë të fundit, buxheti i shtetit, tatimet dhe taksat, aviacioni, bujqësia, transporti, energjia kanë qenë prioritet.